TIRANE - Revolta e qytetarëve të Kavajës kundër sistemit komunist e ka zanafillën në mars të vitit 1991 në ndeshjen përballë ekipit të Partizanit të vlefshme për Kupën e Shqipërisë në fazën e çerekfinaleve. Ndeshja e parë përfundoi me rezultatin 3-1 për Partizanin më darë 13 shkurt të vitit 1991, ndërsa ndeshja e dytë u zhvillua më datë 3 mars.

Ndeshja u zhvillua në një atmosferë tensioni, pasi shumë forca policie udhëtuan nga Tirana për në Kavajë, pasi kishin marrë informacione se në minutën e 52' të ndeshjes qytetarët kavajas do të ngriheshin në revoltë kundër sistemit politik.

Ndeshja përfundoi 2-0, por si e kujtojnë dy nga protagonistët kryesorë këtë ndeshje. Ilir Biturku dhe Perlat Musa tregojnë gjithcka për 'Shqiptarja.com'. Ilir Biturku ishte sulmuesi i ekipit të Besës dhe autori i golit të dytë të ndeshjes me Partizanin.

Z. Biturku si e kujtoni 3 marsin e viti 1991 në Kavajë?
Ajo datë dhe ai vit do të mbeten gjatë në memorien time, pasi kam shënuar golin e dytë të ndeshjes në prag të një epoke të re për Shqipërinë. Ndeshja përballë Partizanit u zhvillua në një atmosferë mjaft të tensionuar në fushë. Nga Tirana kishin ardhur shumë përforcime, pasi ishin njoftuar se në minutën e 52' të ndeshjes do të kishte një revoltë kundër sistemit.

Si ishte atmosfera në stadiumin 'Besa' gjatë ndeshjes?
Atmosfera ishte e ndezur, tifozët brohorisnin të gjithë në kor "Liri Demokraci", "Poshtë Komunizmi", "Poshtë Enver Hoxha". Nga minuta në minutë në shkallët e stadiumit situata po precipitonte. Ai stadium është zanafilla e demokracisë për qytetin e Kavajës.

Ju e fituat ndeshjen, por më pas kërkuat humbjen në tavolinë?
Po, është e vërtetë që e kërkuam humbjen në tavolinë pas rrëmujave që u shkaktuan në shkallët e stadiumit, por në fushën e lojës nuk ndodhi asnjë incident. Ndeshja ishte korrekte, por për shkak të trazirave në stadium ne kërkuam që ndeshja të shkonte për Partizanin.

Si e komentoni gjestin e Nevil Dedes që bëri kundrejt tifozëve?
Absolutisht që gjesti është i papranueshëm për një qytet si Kavaja që është djepi i demokracisë. Ky qytet ka luftuar kundër sistemit komunist dhe është e rëndë që t'iu drejtohesh me grusht. Mendoj që gjesti duhet të dënohet.

Z. Musta çfarë ju kujton data 3 mars e vitit 1991?
Ajo ditë më kujton hapat e parë të demokracisë në Shqipëri. Qyteti i Kavajës renditet përkrah qyteteve që kanë qenë kundër atij sistemi me mish dhe me shpirt. Ne luanim në Kavajë përballë Besës për Kupën e Shqipërisë. Ndeshjen e parë e fituam, por të dytën e e humbëm.
 
A kishit presion gjatë 90' minutave në fushë dhe jashtë saj?
Jo, nuk kishim asnjë lloj presioni, përkundrazi, unë mbaj mend që pas portës qëndronin një numër i madh tifozësh të cilët hidhnin pankarta kundër sistemit dhe Enver Hoxhës. Ndërsa mua dhe shokëve të ekipit na thonin që nuk kemi asgjë me ju, por me sistemin.

Por ndeshjen e fituat në tavolinë me dëshirën e ekipit të Besës?
Ndeshjen e fituam në tavolinë me kërkesën e Besës, pasi në minutat e fundit të ndeshjes u krijua një situatë që doli jashtë kontrollit nga protestat anti sistemit.


Formacioni i Besës në ndeshjen me Partizanin më 3 Mars të 1991.
Shkurti, Shala, Emini, Ruci, Biturku, Daiu, Kasa, Cela, Furiu, Rraklli dhe Dekavelli.


KOMISIONI I DISIPLINES MBLIDHET SOT PER ELVIS RROSHIN E BESEN
Komisioni i Disiplinës sot do të thotë fjalën e tij përsa i përket ndeshjes së Kavajës, në të cilën u regjistruan disa incidente në fushë dhe jashtë saj.

Neni 65, pika 2 parashikon se në rast të shkeljeve të rënda mund të ndërmerren dënime si zhvillimi i ndeshjes pa spektatorë, zhvillimi i ndeshjes në fushë asnjanëse, ndalimi i zhvillimit të ndeshjes në stadiumin përkatës, anulimi i rezultatit të ndeshjes, përjashtimi nga një garë ose kampionat dhe humbje e ndeshjes në tavolinë.

Neni 58, Pika 2 Nëse kërcënimi kryhet gjatë zhvillimit të një ndeshjeje, ekipi ku bën pjesë personi që kryen kërcënimin ndaj zyrtarëve të ndeshjes do të dënohet me humbjen e ndeshjes në tavolinë me rezultatin 3-0 dhe zbritjen e 3 pikëve nga klasifikimi.
Ndërsa kreu i bashkisë Elvis Roshi mund të dënohet me një vit pezullim nga të gjitha aktivitet sportive dhe me një gjobë që mund të shkojë deri në një milionë lekë të vjetra. Theksojmë që të gjitha vendimet e Komisionit të Disiplinës mun dtë apelohen.

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)