Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka dalë kundër pjesëmarrjes së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në marshin e paralajmëruar për 12 shtator në mbështetje të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.

Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, tha se organizata do ta mbështesë protestën, por nuk dëshiron që në të të jenë të pranishëm përfaqësuesit e Vetëvendosjes. Sipas tij, Kurti nuk ka mbrojtur publikisht ish-krerët e UÇK-së, ndërsa kritikoi edhe qëndrimet që, sipas tij, deputetët e kësaj force politike kanë mbajtur ndaj veteranëve.

“Ne do ta mbështesim protestën, por nuk mund të jemi aty me Lëvizjen Vetëvendosje. E dimë se lideri i tyre në Parlamentin e Kosovës e quan kriminel Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe të tjerët. Nuk mund të jemi aty me deputetët e tij, të cilët i hoqën nga paga minimale veteranët e UÇK-së së bashku me Listën Serbe”, deklaroi Gucati.

Marshi në mbështetje të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së është paralajmëruar të mbahet më 12 shtator, 4 ditë para shpalljes së vendimit final në Hagë. OVL-UÇK konfirmoi se do të marrë pjesë në këtë aktivitet, por bëri të qartë se nuk e mbështet praninë e përfaqësuesve të Vetëvendosjes.