Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiç, ka kundërshtuar deklaratën e komisioneres evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së tha se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ "i pavarur dhe i paanshëm" dhe se vendimet e tyre duhet të respektohen.
"Nuk i takon Marta Kos-it ta paragjykojë këtë çështje", shkruan Mishetiç, duke theksuar se ende mbetet për t'u përcaktuar nëse Dhomat e Specializuara kanë vepruar në mënyrë të paanshme në çështjen ndaj Hashim Thaçit.
Në reagimin e tij, avokati i Thaçit i referohet edhe një raporti të Komitetit për të Drejtat e Njeriut të Shoqatës së Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit, të publikuar në maj 2026. Sipas tij, raporti ngre shqetësime për pavarësinë gjyqësore, barazinë e palëve, pranueshmërinë e provave dhe mënyrën e funksionimit praktik të Dhomave të Specializuara.
Nga ana tjetër, vetë Dhomat e Specializuara kanë kundërshtuar disa interpretime të raportit, duke theksuar se ai nuk ka konstatuar shkelje të të drejtave të të akuzuarve nga vendimet e gjyqtarëve.
Me këtë reagim, Mishetiç kërkon që vlerësimi për paanshmërinë e Gjykatës Speciale të mos trajtohet si një çështje e mbyllur, por të lihet në vlerësimin e procesit gjyqësor.









Komente
Komento