Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos tha gjatë fjalës së saj se Shqipëria ka bërë një punë të jashtëzakonshme për t'u anëtarësuar në BE.
Kos nënvizoi se procesi i integrimit në BE është një projekt kombëtar prandaj duhet të përfshihet jo vetëm qeveria por të gjithë aktorët politikë dhe shoqëror.
“Shqipëria është një nga kryesuesit e këtij progresi mbresëlënës, po mbyllim një kapitull tjetër negociues. Bizneset e vogla dhe të mesme janë shtylla kurrizore e ekonomisë shqiptare. Shqipëria po sjell politikat e saj industriale më afër BE, sa u takon teknologjive të reja. Këto janë thelbësore për të ndërtuar një ekonomi më të fortë. Dua të përgëzoj Shqipërinë për një tjetër arritje. Shqipëria i ka vënë vetes ambicie për të mbyllur kapitujt deri në fund të 2027, ne e mbështesim këtë ambicie, por, për ta arritur atë, Shqipëria duhet të vazhdojë të japë rezultate, sidomos në fushën e Themeloreve.
Kjo punë duhet të përfshijë të gjithë qeverisjen, opozitën, shoqërinë civile dhe qytetarët. Sepse anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar. Nga ana jonë, ne po përgatitemi për një Bashkim Evropian më të gjerë. Javën e kaluar paraqitëm vlerësimin tonë se duhet të përgatitemi për një Bashkim Evropian më të madh. Mesazhi ynë ishte se ne mund ta bëjmë një Bashkim më të madh të funksionojë. Po hedhim hapat e nevojshëm për ta bërë këtë realitet. E ardhmja e Shqipërisë është në BE”, tha Marta Kos.
Lajmi kryesor:
Shqipëria mbyll kapitullin e 4-t të negociatave me BE, Rama: Hap vendimtar, deri në fund të vitit mbyllim dyfishin e kapitujve! Kos: Mbështesim ambicien tuaj, vazhdoni reformat!






