Bashkimi Europian ka intensifikuar përpjekjet për të çuar përpara zgjerimin me 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, një proces që siç ka konfirmuar presidentja e Parlamentit Europian Roberta Metsola dhe Komisionerja pwr Zgjerimin, Marta Kos, kryesohet nga Mali i Zi dhe Shqipëria.

Zgjerimi i BE-së me Malin e Zi Shqipërinë, Ukrainën dhe Moldavinë ishte pikërisht çështja që Kos, diskutoi sot në Athinë me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis dhe Ministrin e Jashtëm Giorgos Gerapetritis, të cilët konfirmuan angazhimin e tyre për të çuar procesin e zgjerimit gjatë presidencës greke të Këshillit të BE-së.

“Në Athinë, me Kryeministrin Mitsotakis, diskutuam zhvillimet e fundit pozitive në Mal të Zi, Shqipëri, Ukrainë dhe Moldavi, si dhe rrugën më të gjerë të Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu u takova këtu edhe me Giorgos Gerapetritis. Qeveria greke është shumë e angazhuar në procesin e zgjerimit, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, dhe do të luajë një rol kyç në shtyrjen përpara të progresit gjatë Presidencës së saj të Këshillit të BE-së, në një moment të rëndësishëm vitin e ardhshëm. Diskutuam gjithashtu për hapa të mundshëm për të vazhduar ndërtimin e besimit mes Turqisë dhe të gjitha shteteve anëtare të BE-së, veçanërisht Qipros.”,u shpreh ajo pas takimit me kryeministrin Mitsotakis.

Mbështetjen e Athinës për procesin e zgjerimit e konfirmoi edhe ministri i Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis.

“Qeveria greke është shumë e angazhuar në procesin e zgjerimit, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor, dhe do të luajë një rol vendimtar në nxitjen e progresit gjatë Presidencës së saj të Këshillit në një moment të rëndësishëm vitin e ardhshëm”. tha ai.