Deputeti i PD-së, Tritan Shehu kërkoi që kryeministri Edi Rama të thirret në Kuvend për të dhënë shpjegime mbi emërimin e Vlora Hysenit në krye të SHISH-it. Në Komisionin e Jashtëm, ai tha se masa e sigurisë ndaj saj cenon imazhin e Shqipërisë dhe besueshmërinë e vendit te aleatët e NATO-s.

“Ka rënë shteti shqiptar, imazhi i Shqipërisë, besueshmëria ndërkombëtare e Shqipërisë dhe ne, si Komision i Jashtëm, nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Arresti shtëpiak i shefes së SHISH-it, Vlora Hyseni, është ngjarje e paprecedentë dhe komprometuese për ata që e vunë atë zonjë, e cila ishte me hije të mëdha nga Kosova për dekonspirim të dokumenteve në favor të Serbisë. Komprometon rëndë qeverisjen shqiptare, shtetin shqiptar.

Është një ngjarje politike që prek sovranitetin e Shqipërisë, besueshmërinë ndaj aleatëve. Mos harrojmë se jemi vend i NATO-s dhe kur shefja e SHISH-it deklarohet dhe vendoset në arrest shtëpie për lidhje me krimin, është një pikë ku duhet të ndalojmë të gjithë së bashku. Ne, si komision, duhet të kërkojmë që kryeministri, që e emëroi në mënyrë të dyshimtë, në seancën e parë parlamentare të vijë dhe të përgjigjet për këtë”, tha Shehu.


Lajmi kryesor:

Arresti për drejtoreshën e SHISH, PD thirrje Begajt: Mblidh Këshillin e Sigurisë, u faktuan akuzat tona, të dorëhiqet Rama! PS: Pasojë e shtetit të së drejtës (REAGIMET)