Masakër mjedisore, 52 fuçi me kimikat helmues në lumin Mat
Në lumin Mat, në afërsi të fshatit Gurëz në rrethin e Kurbinit janë hedhur 52 fuçi me kimikate helmuese duke vënë në rrezik shëndetin e banorëve të zonës. Nëse kimikati bie në kontakt me lëkurën dhe nëse konsumohet në paretet e organeve të brendshme mund të shkaktojë asfiksimin dhe vdekjen. (Në foto, fuçitë e hedhura në lumin Mat që prej pasdites së djeshme)
KURBIN - Në lumin Mat, në afërsi të fshatit Gurëz në rrethin e Kurbinit janë hedhur 52 fuçi me kimikate helmuese. Sipas specialistëve të Agjencisë Rajonale të Mjedisit këto fuçi janë të mbushura me kimikatin e “Potasium ethyl xanthate” dhe përbëjnë rrezik serioz për banorët e zonës.
“Në mjediset e qarkut Lezhë sapo kam marrë njoftimet nga inspektori dhe nga banorët e zonës kemi bërë të gjitha veprimet e para të cilat janë edhe procedurale, kemi njoftuar komisariatin e policisë Kurbin, kemi njoftuar prokurorinë e rrethit gjyqësor Kurbin dhe njëkohësisht drejtorinë e bujqësisë dhe të shëndetit publik. Pastaj kemi bërë edhe bllokimin e zonës këtu. Kemi marrë të gjitha masat për të mbrojtur banorët.”, - u shpreh për mikrofonin e televizionit A1Report, drejtori i ARM-së Lezhë, Edmond Ndreu.
Kreu i komunës së Fushë-Kuqes, Gjovalin Miri ka kërkuar që largimi i këtyre fuçive me kimikate të bëhet sa më shpejt, pasi sipas tij janë të dëmshme për komunitetin.
“Këtu janë helme shumë të rrezikshme. Kemi lajmëruar dhe informuar edhe policinë e shtetit. Janë duke u marrë me procedurat e duhura, por ne kërkojmë sa më shpejtë të largohen nga vendi ku janë hedhur, për arsye se janë shumë të dëmshme për komunitetin”, tha kryetari i komunës së Fushë-Kuqes, Gjovalin Miri.
Ndërkaq, banorët thonë se era e keqe që është prodhuar prej kimikateve është kthyer në mjaft shqetësuese, ndërsa shprehen të frikësuar për pasojat që mund t’i vijnë shëndetit të tyre.
Sipas korrespondentit të televizionit A1Report, Julian Hila kimikatet nuk janë nga kompani që ushtrojnë funksion aktualisht, por janë të skaduara që prej vitit 1996.
Që prej ditës së djeshme në zonën ku janë gjetur fuçitë me kimikate kanë mbërritur edhe ekspertët e agjencisë rajonale të mjedisit në Lezhë. Nga hetimet e para dhe marrja në pyetje e banorëve të zonës është bërë e ditur se fuçitë janë hedhur nga një kamion, i cili ka ardhur nga qyteti i Krujës.