Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko, përmes një postimi në facebook ka reaguar në lidhje me 32-vjetorin e Masakrës së 2 Prillit. Bejko thotë se në kryeqytet do të ngrihet monumenti dhe muzeu i viktimave të komunizmit.
“Do ngremë monumentin dhe muzeun e viktimave të komunizmint në Tiranë! Nevoja për ngritjen e monumentit në Tiranë për të nderuar viktimat e komunizmit është urgjente, dhe detyrë patriotike e të gjithëve, aq më tepër, e të djathtëve. Ky do të jetë një nga prioritetet e mia në nder të mijra njerëzve që kanë humbur jetën dhe kanë vuajtur nga regjimi kriminal i Enver Hoxhës.
Këtë premtim e ndjej për detyrë që ta bëj sot më 2 prill. Në 2 prill 1991 u vranë në Shkodër, Arben Broci, Besnik Ceka, Bujar Beshanaku dhe Nazmi Kryeziu. Këto vrasje ishin përpëlitjet e fundit të regjimit komunist për të mbytur frymën e lirisë dhe demokracisë. Ata njerëz, si dhe shumë të tjerë, kanë dhënë jetën për të rrëzuar regjimin me të ashpër të komunizmit. Sot, edhe pas 32 vitesh demokraci sakrifica e tyre nuk gjen nderim në asnjë monument, në asnjë muze të mirëfilltë. Ky është një turp për politikën shqiptare, por që nuk do ta lejojmë që të vashdojë më.
Legjislacioni ekziston*. Ai thjesht nuk është zbatuar. Tirana dhe gjithë Shqipëria e ka per detyrë të nderojë sakrificën e tyre. Dhe unë personalisht, do të angazhohem për të ngritur një të tillë në bashkëpunim me shoqatat e të perndjekurve, me shoqerinë civile dhe komunitetin e profesionistëve të botës së artit e të memories. Unë e ndjej si detyrë, Partia Demokratike e ka për detyrë, e gjithë shoqeria e ka per detyrë ndërmarrjen e një nisme të tillë në shërbim të memories historike të popullit shqiptar.
Shënim*
“Ligj nr.10241, datë 25.2.2010 “Për simbolet e përkujtimit të viktimave dhe të krimeve të komunizmit në Shqipëri”.
Neni 4
Ngarkohet Këshilli i Ministrave të krijojë Muzeun Kombëtar të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Shqipëri, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 5
Këshilli i Ministrave të nxjerrë aktet e nevojshme nënligjore për ngritjen e Obeliskut të Viktimave dhe të Krimeve të Komunizmit në Tiranë, si dhe të monumenteve përkujtimore në qytetet e tjera të Shqipërisë”, shkruan Bejko në postimin e tij.
Lajmi kryesor: