Kryeministri Edi Rama ka risjellë dhe njëherë në kujtesë sesi protesta e 21 janarit e opozitës së kohës, nisi e qetë dhe më pas u provokua nga policia e deri tek fundi fatal me 4 viktima përpara kryeministrisë nga plumbat që u lëshuan nga shteti mbi protestuesit. 

Ndonëse nuk e përmedi me emër, Rama iu referua kryeministrit të kohës, Sali Berisha, si personi që u tregoi shqiptarëve që të vriste me të vërtetë.

“15 vjet më parë, këtu, në këtë godinë, ishte barrikaduar një hordhi e armatosur, një përzierje e trupës së rregullt të Gardës së Republikës dhe çetës së paramilitantëve famëkeq të Kryeministrisë. Godina ishte përforcuar me tela me gjemba, të shtrira gjithandej pas atij gardhi të shëmtuar dhe hekurave që e rrethonin që pas sulmit të armatosur të 14 shtatorit ’98, sepse kishte edhe të barrikaduar më 21 janar. Njeriu i futur nga populli në Kryeministri kishte lëshuar ushtrimin e një përgjigjeje me plumb ballit ndaj protestës së opozitës së bashkuar të kohës.

Kujtoj se, së bashku me Pandeli Majkon dhe disa shokë të tjerë, po kalonim urën e bulevardit për të ardhur këtu, përpara godinës. Një autoblindë u shfaq në horizont dhe një valë gazi lotsjellës u lëshua mbi kokat e njerëzve pa nisur ende protesta, duke na zmbrapsur nga Parku Rinia dhe duke shkaktuar rrëmujë nga ajo mësymje qorre, e duke e kthyer protestën në një lëmsh kaotik mes protestuesve. Duke na detyruar të ktheheshim në selinë e partisë, protesta doli jashtë kontrollit. Por, përtej reagimit të turmës ndaj policisë dhe vatrave të zjarrit të ndezura nën ndonjë makinë apo mbi faqet e Piramidës, për asnjë çast protestuesit nuk tentuan të kapërcenin gardhin e godinës së Kryeministrisë.

Përveç një veture që hyri në portën anësore të hekurit, e hapur çuditërisht nga brenda, si një ftesë për kurth, askush nga protestuesit nuk bëri asnjë përçapje për të shkelur perimetrin e sigurisë. Asnjë material filmik nuk nxori askund në pah praninë e ndonjë arme në radhët e protestuesve, ndërkohë që mijëra fishekë ushtarakë u lëshuan mbi ta. Kur protestuesit po largoheshin, tytat e pushkëve u ulën mbi turmën, duke marrë 4 jetë, pasojë fatale e mendjes kriminale, e cila me gjasë nuk deshi ta humbte rastin për t’u treguar kundërshtarëve politikë dhe krejt shqiptarëve se të vret me të vërtetë. Dreqi e di çfarë u tha mendja atyre që e urdhëruan dhe atyre që e ekzekutuan atë krim shtetëror”, Tha Rama.


Lajmi kryesor:

Rama: SPAK i vonuar, bëri sikur 21 janari nuk ekziston! S’ka drejtësi të re pa ndëshkimin e krimit më të egër të demokracisë! Homazhe në Bulevard