Sezoni veror dhe festat e fundvitit janë periudhat më problematike që ngarkojnë statistikat e krimit në Shqipëri. Kështu deklaroi ish-prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, për emisionin ‘Kontrast’ në Report TV. Duke u ndalur tek vrasja e tre të rinjve këtë të diel, Beci shtoi se është tepër herët për të thënë se krimi u krye nga vrasës me pagesë. Në studio me gazetarët Denis Minga e Lorenc Vangjeli, ish-prokurori shpjegoi edhe procedurën e hetimeve. Ai tha se pas hetimeve nga Porkuroria e Krujës, nëse haset në një grup të strukturuar kriminal, atëherë çështjen mund ta marrë edhe SPAK.

“Kryesisht dy sezone janë problematike sa i përket ngarkesës me ngjarje kriminale. Është sezoni i verës dhe ai i fundvitit. Ndoshta një nga arsyet është kthimi i shqiptarëve në atdhe ku një pjesë e tyre mund të jenë kontigjent për ngjarje të tilla dhe duke patur fluks ata dalin jashtë ‘radarit’ të Policisë. Numri i lartë i të shtënave në rastin e Fushë-Krujës, shpërthimi i automjetit apo përdorimi i disa armëve në krim e bëjnë më makabre ngjarjen, por gjithashtu krijon vështirësi edhe në hetime për ekspertët. E rëndësishme është që gjithçka e ndryshuar në vendngjarje si pasojë e veprës penale ka rëndësi që të dihet me saktësi. Mund të gjesh një gëzhojë të fundit që nga tre autorë e kthen pjesëmarrjen në katër. Përshembull zjarri i makinës mund të ketë qenë i qëllimshëm apo aksidental. Përcaktimi i të gjithë këtyre elementëve do të mundësojnë që ekspertët të kenë një dinamikë të qartë të krimit” – deklaroi Beci.

Referuar deklaratave nga media të ndryshme, se vrasja e trefishtë u krye nga vrasës me pagesë apo ‘komando’, Eugen Beci u shpreh se ky është një spekulim. Sipas tij, duhen kryer një sërë ekspertimesh për të arritur në konkluzione të tilla.

“Është shumë shpejt të aludosh nëse krimi është kryer nga vrasës me pagesë ndërsa ende nuk është tharë boja e kqyrjes së vendit të ngjarjes. Aty janë shumë ekspertime për t’u bërë” – tha ish-Prokurori i Krimeve të Rënda për emisionin ‘Kontrast’ në Report TV. 

Por përse digjen kryesisht automjetet dhe armët e autorëve në ngjarje kriminale? Ish-prokurori deklaroi se kjo është një metodë e krimit të sofistikuar, për të zhdukur gjurmët daktiloskopike dhe duke vështirësuar kështu zbulueshmërinë e krimit.

“Mbaj mend shumë vite më parë që në jug të vendit, kryesisht në Vlorë, makinat që përdoreshin për krime dhe armët e zjarrit ishte zakon që të hidheshin në liqene. Por me ardhjen e thatësirave armët, makinat apo edhe kufomat e zhdukura shfaqeshin dhe krimet nisën të zbuloheshin. Tani kanë menduar që t’i djegin për arsye që të zhduken edhe gjurmët daktiloskopike.” – tha Beci.