Gjykata e Posaçme Antikorripsion ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për ekspertim të shënimit “për Shkelzenin”, një fax i paraqitur si provë në procesin për masakrën e Gërdecit nga SPAK.
Ky fax është nisur në atë kohë nga ish-ministri i Drejtësisë Aldo Bumçi për ministrinë e Mbrojtjes, për hapjen e fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec, shkresë e cila ka shënim emrin e Shkëlzen Berishës ‘Për Shkëlzenin', djali i kryeministrit të kohës, Sali Berisha. Mediu dhe Bumçi pretendojnë se ajo shkresë është një mashtrim.
Avokatët e ish-ministrit pretenduan edhe për një sërë aktesh, që janë referuar nga prokurorët në gjyq, por nuk iu janë vënë në dispozicion nga Gjykata. Për ta mundësuar këtë seanca u shty për në datën 10 shkurt.
Në dosjen hetimore të masakrës së Gërdecit, emri i Shkëlzen Berishës lakohet dhe për telefonatat me pronarët e kompanive të fabrikës së demontimi të armëve. Nga provat që SPAK paraqet, vërtetohet përfshirja e Shkëlzen Berishës.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjetjet e ekspertëve. Gjyqi për Mediun vijon që prej prillit 2023.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.
Komente












