18 vite nga Masakra e Gërdecit, 26 jetët e pafajshme që u lanë në mes apo edhe ato qindra të tjera që ajo ngjarje e rëndë i la të plagosur apo të pastrehë ende nuk kanë njohur ‘shpagimin’ e drejtësisë. Askush i dënuar për vrasje dhe asnjë dënim për përgjegjësit kryesorë, ndërsa një hetim i hapur i SPAK për korrupsion dhe pastrim parash ende nuk ka rezultat.
***
Vala e shpërthimit mesditën e së shtunës së 15 marsit 2008 në Gërdec, pak kilometra nga kryeqyteti mori 26 jetë, ndërsa plagosi rreth treqind të tjerë, njerëz të thjeshtë, fëmijë e banorë të zonës që punonin në fabrikën e vdekjes, ngritur në fshatin e tyre, nga babëzia e shumë prej atyre që sot e kësaj dite, nuk panë t’u hynte gjemb në këmbë.
18 vite më pas, plaga e madhe, ajo e një drejtësie të munguar, është ende e hapur, përsa kohë një aferë e pastër korrupsioni politik, e dirigjuar nga Shkëlzen Berisha, nën tutelën e babait, kryeministër i kohës, që i vuri shtetin në shërbim, do të mbetet zyrtarisht një “aksident teknologjik”.
Në Gërdec asgjë nuk lidhej me teknologjinë. Kishte vetëm predha të kalibrit të madh që duhet shkarkoheshin nga mjetet e ushtrisë, për t’u demontuar në mënyrën më primitive, të shpërndara rrëmujshëm, mes qeseve të barutit të grumbulluar. Në të ashtuquajturën fabrikë, të gjithë punonin në të zezë. Mes burrave e madje dhe të miturve që numëronin ngarkesat, humbi jetën dhe baxhanaku i Sali Berishës. Ky i fundit u përpoq në mënyrë të përsëritur, ta shmangte emrin e tij, duke ja deformuar ndërsa lexonte listën e viktimave, me qëllimin e vetëm që të fshihte çdo mundësi që do zbulonte fijet që e çonin drejt tij dhe Shkëlzenit.
Këto fije do të dilnin në dritë shumë shpejt. Hetimet e kohës zbuluan vizitat e tij të përditshme në Ministrinë e Mbrojtjes, si të ishte zyrtar i saj. Madje dhe shkresa e ministrit të Drejtësisë së kohës, Aldo Bumçi, e cila miratonte procedurat që i hapën rrugë procesit të demontimit në Gërdec, drejtuar ministrisë së Mbrojtjes mbante shënimin e shkruar me dorë “për Shkëlzen Berishën” . Tabulatet telefonike, pjesë e dosjes hetimore, tregojnë se pas shpërthimit ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Fatmir Mediu, kishte komunikuar disa herë me Shkëlzen Berishën, ndërsa ky i fundit, kishte qenë ndër njerëzit e parë që Mihal Delijorgji, pronari në letra, i shoqërisë që kryente demontimin, kishte telefonuar 30 minuta pasi kërpudha gjigande e zjarrit u ngrit mbi qiellin e Gërdecit.
Shkëlzen Berisha nuk u thirr asnjë herë të dëshmonte gjatë hetimeve që u zhvilluan pas ngjarjes, ndërsa Fatmir Mediu nuk u gjykua, falë imunitetit parlamentar që rifitoi në zgjedhjet e vitit 2009. Pas më shumë se një dekade gjyqi i mbetur pezull ndaj tij, do të rihapej me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pas këmbënguljes së familjes Durda, e cila humbi fëmijën nga shpërthimi.
Në Gjykatën Kundër Krimit dhe Korrupsionit në Tiranë procesi gjyqësor ndaj tij vijon prej një kohe të gjatë. SPAK e çoi në gjyq nën akuzën e shpërdorimit të detyrës të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, duke mos formuluar asnjë akuzë të re apo bërë hetim të ri. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut.
Në proces deri më tani janë pyetur dhjetëra dëshmitarë, por shumë prej tyre kanë refuzuar të flasin. Është thirrur dhe Shkëlzen Berisha, emri më i përmendur në skandalin ndërkombëtar të demontimit të fishekëve. Ai foli, duke mohuar çdo lidhje të tij me ngjarjen, sikundër dhe vetë Mediu, i cili këmbëngul për një “proces me sfond politik”.
Ish-drejtori i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, Dritan Minxolli, ka refuzuar të flasë gjithashtu, duke shfrytëzuar të drejtën për të mos dëshmuar, njëlloj siç bënë edhe ish-ushtarakë si Sokol Ngjeçi, Besnik Dauti, Dashnor Çaushi ndërsa të gjithë janë në kërkim të Anjola Agollit, ish-sekretare e Ministrit të Drejtësisë që ta pyesin për faksin për ‘Shkëlzen Berishën’ dërguar nga Ministria e Drejtësisë tek ajo e Mbrojtjes. Ndërsa vetë ish-ministri Aldo Bumçi mohoi të jetë shkrimi i tij në faksin e dërguar Ministrit të Mbrojtjes. Ndërkohë që ende nuk kanë folur dhe është e paqartë se si do të procedohet me ish-gjeneralin Luan Hoxha dhe amerikanët e SAC që dinë shumë për atë aferë kriminale.
18 vite nga Gërdeci, askush nuk është sot në qeli dhe askush nuk është i dënuar për vrasje nga 28 të pandehurit që morën dënime pranverën e 2012-s, 4 vite pas masakrës. Dënimin më të rëndë me 18 vjet burg e mori Ylli Pinari, ish-drejtori i “Meico”-s, ndërmarrjes shtetërore të import-eksportit të armëve dhe drejtori i Fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli, ndërsa pronari i fabrikës, Mihal Delijorgji u dënua me 10 vjet. Për të tre këta ishte kërkuar burgim i përjetshëm. Për ish-shefin e Shtabit, Luan Hoxha, i cili thuhet se është larguar nga vendi, dënimi ishte 6 vjet burg, ndërsa disa ish-gjeneralë të tjerë u shpallën të pafajshëm.
Po ashtu, 10 vjet u dhanë dhe për Sokol Ngjecin, zyrtar i “Meico”-s. Për ish-kupolën e ushtrisë shqiptare, dënimi më i madh u dha për ish-shefin e Shtabit Luan Hoxha, me 6 vjet nga 8 të kërkuar nga Prokuroria, dy ish-gjeneralë u shpallën të pafajshëm, ndërsa dy të tjerë u dënuan, njëri, Dashnor Caushi me tre vjet, ndërsa tjetri, Shpëtim Spahiu me katër vjet, por me kusht. Për të tjerët, funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes u dhanë dënime nga 1 deri tre vjet burgim. Në total, Gjykata dha 94 vite burgim, gjoba dhe 9 të pandehur morën pafajësinë. Një vendim, i cili që në sallën e gjyqit provokoi acarimin e familjarëve të viktimave, të cilët e quajtën të turpshëm atë. Një pjesë e mirë të dënuarve përfituan nga shkurtimi i dënimit në Apel, përllogaritja e ditëve të paraburgimit dhe ulja më vonë e dënimit për “sjellje të mirë”.
Paralelisht me procesin gjyqësor në GJKKO ndaj Mediut, SPAK, ka hapur dhe një tjetër hetim, për “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash” në rastin e procedurave të ndjekura në atë kohë nga Ministria e Mbrojtjes për shitjen e municioneve dy kompanive të huaja, një hetim që jep shpresë se do të çojë te përgjegjësia e Sali Berishës dhe djalit të tij, Shkëlzenit, emra të cilat dalin në shumë prova. Edhe sot pas 18 vitesh, afera kriminale dhe masakra më e madhe që ka prodhuar korrupsioni i nivelit të lartë në historinë e pluralizmit shqiptar pret të zbardhet.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente












E tmerrshme per prinderit dhe familjaret dhe banoret e gerdecit te shikojne fytyrat e ketyre vemjeve gjakpirese cdo dite ne televizor te lire dhe me miliardere se kurre…vazhdojne pastrojne parate dhe vjedhin e vrasin pa fund dhe nuk ndodh asgje! Karma is a bitch.Ketyre duhet t’u dhjesesh plot arkivolet.
Përgjigju