GJKKO u zhvillua seanca gjyqësore për masakrën e Gërdecit me të pandehur ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediun, i cili akuzohet për shpërdorim detyre. Gjyqtarja Etleva Deda rrëzoi kërkesën e Mediut dhe avokatëve të tij për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka nga shqyrtimi i çështjes.

Gazetarja Keti Banushi raporton se, gjyqtarja Deda argumentoi se kërkesa është e pabazuar në ligj dhe se procesi do të vijojë me Gjokën.

Në seancën e kaluar, të mbajtur më 31 tetor, Mediu kërkoi revokimin e vendimit të gjyqtares Irena Gjoka që ka pranuar familjen Durda si palë, ndërsa ngriti edhe pretendime absurde se avokati i tyre, Dorian Matlija paguhet nga George Soros. Mediu vijoi me akuzat duke thënë se në emër të familjes po bëhet politikë, ndërsa tha se vendimi demontimin e municioneve u zbatua nga Forcat e Armatosura.

Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjetjet e ekspertëve. Gjyqi për Mediun vijon që prej prillit 2023.

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.