Masakra e Gërdecit/ Debate në sallën e gjyqit, Mediu përplaset me SPAK e ekspertët, gjyqtarja Gjoka nxjerr jashtë avokatin! E pranishme edhe Zamira Durda

Tirane - Me debate të forta, që solli deri në përjashtimin e një prej avokatëve mbrojtës, u karakterizua seancë e kësaj të mërkure në GJKKO për ish ministrin Fatmir Mediut për masakrën e Gërdecit. Në seancë ishte parashikuar marrja në pyetje e 5 ekspertëve që kanë përcaktuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga shpërthimi i 15 marsit 2008, Bexhed Zeqiri- financier kontabël,  Ymer Stafa-ekonomist financiar,  Rasim Metallari- financier, Latif Çela- financier, dhe Mondi Hoxha- punonjës në sektor privat.

Që në fillim ekspertët kërkuan kohë që të mund t’i jepnin përgjigje të gjitha pyetjeve për shkak se do të duhej të konsultoheshin, po gjykata tha se këtë mund ta bënin në seancë.

Nga ky moment filloi një përplasje e ashpër, pasi avokati i Mediut Ardian Visha filloi t’i bënte pyetje ekspertit Zeqiri, të cilat GJKKO i konsideronte si pyetje të papranueshme. Edhe pse Gjykata i tërhoqi vëmendjen disa herë, Visha nuk u tërhoq, madje pati edhe një përplasje me avokatin e viktimave Matlija, derisa gjyqtarja Gjoka vendosi përjashtimin e tij nga seanca për shkelje të Kodit të Etikës.

E pranishme në senacë ishte Zamira Durda, e cila në masakrën e Grëdecit humbi djalin 7-vjeçar. Ajo nuk ka folur në sallën e gjyqit. 

Gjatë seancës por edhe jashtë për mediat Mediu tha se SPAK ngre pretendime absurde, ndërsa ekspertët që kanë bërë aktin e ekspertimit i quajti jo kompetente.

“Ky është një proces inkuizitor, që synon të marrë gjërat e mirëqena pa bërë proces gjyqësor. E gjithë kjo është një situatë absurde. Prokuroria me këtë akt ekspertimi që janë dënuar 24 nga 29 persona duhet të thotë ku janë përgjegjësitë e ministrit. Me këtë akt ekspertimi ka marrëdhënie që nuk lidhjen me ministrin”-tha Mediu.

Avokati Visha akuzoi Gjykatën për njëanshmëri.

“Ne kemi pyetje për ekspertët. Ne vëmë re që ka një mori shkeljesh në formë dhe përmbajtje. 80% të pyetjeve tona gjykata ndërhynte pa dhënë shpjegime. Sa herë që kërkonte prokuroria gjykata vepronte. Dini ndonjë rast që të ketë ndërhyrë prokurori dhe gjykata t’i ketë tërhequr vëmendjen, zero”.- u shpreh Visha.

Pas debateve në seancë GJKKO ndërpreu seancën, duke e shtyrë për më 17 korrik, ndërkohë që deri të enjten palët duhet të depozitojnë pyetjet me shkrim.

GJKKO tha për shkak se akti i ekspertimit është voluminoz dhe fakti që është përpiluar nga 5 ekspertë si dhe kohën e gjatë që ka kaluar që në 2008, u lë kohën ekspertëve që të konsultohen me shënimet dhe dokumentet e tjera.

Më herë familja Durdaj, e cila në shpërthimin e 15 marsit në 2008 humbi djalin 7-vjeçar, i është drejtuar GJKKO me kërkesë në lidhje me përshpejtimin e procesit dhe marrjen e një masë sigurie ndaj ish-ministrit Mediu, nën akuzë për shpërdorim detyre.

Çfarë ndodhi në 15 mars?
15 mars 2008, mesditë ora 12:05 një shpërthim i fuqishëm tronditi Tiranën, ndërsa krateri i tij u shënua pak kilometra më tutje në fshatin Gërdec në Vorë. Teksa minutat kalonin ajo çka kishte ndodhur ishte e paimagjinueshme, 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur dhe me 100 shtëpi të rrafshuara. Këto ishin pasojat e shpërthimit në punishten e demontimit të municioneve shtetërore në pronësi të biznesmenit Mihal Delijorgji. Sot 15 vite më pas, ai shpërthim është ende i freskët në memorien e të gjithë. Kjo ngjarje përfundoi dhe në dyert e gjykatave shqiptare, por sot për 26 të vdekur e 300 të plagosur nuk ka asnjë person pas hekurave. Pati persona që ndërruan jetë në mënyrë të pashpjegueshme, pati dëshmitarë që u arratisën, ushtarak që morën azil politik, por për familjarët asnjëherë nuk u vendos drejtësi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:25
Masakra e Gërdecit, përplasje verbale mes avokatëve! Nxirret nga seanca Ardian Visha! Matlia: Kemi 4 orë që dëgjojmë e lagu s'e lagu

 

Avokati i ish-ministrit Fatmir Mediut, Ardian Visha, është përplasur verbalisht me avokatin e viktimave të Gërdecit Dorian Matlia.

Pjesë nga debati

Dorian Matlia: Ne nuk kemi pyetje për këtë pjesë, është pjesa me distante për interesat tona. Gjykata duhet të orientoje me mirë palët, mos të këtë përplasje.

Visha: Leksion është ky? Ça është ky muhabet ? Ky na jep leksion ne se si gjykohet?

Matlia; Ruaj qetësinë. Kemi dëgjuar 4 orë e lagu se lagu.

Visha; Nuk ka të drejte ai të sugjerojë si bëhet procesi. Nuk kam dëshire të dëgjoj.

Gjoka: Urdhërohet Ardian Visha te dale nga salla.

Ora 10:34
Seanca për masakrën e Gërdecit, Mediu u drejtohet 5 ekspertëve të thirrur në seancë: Dua të di kush janë përgjegjësitë e mia

1718178328_mediu.jpg

Pesë ekspertë të thirrur nga gjykata për gjyqin kundër Fatmir Mediut do t’ju përgjigjen gjatë ditës pyetjeve të mbrojtjes për aktekspertimin ekonomiko financiar. Gjatë seancës gjyqësore që po zhvillohet në GJKKO, ish -ministri ka pyetur ekspertët se cila është përgjegjësia e tij.

Pjesë nga debati në seancë

Fatmir Mediu: A mund te na thoni se në këtë akt ekspertimi ekonomiko-financiar, cilat janë përgjegjësitë e ministrit? Kush është dëmi ekonomik nga urdhrat e ministrit? Çfarë ka bërë ministri që ka sjelle dëm ekonomik, me urdhrat, aktet, shënimet…? Ku është përgjegjësia e ministrit në këtë akt ekspertimi? Çfarë dëmi financiar i ka shkaktuar buxhetit të shtetit? Besoj e kanë dijeninë e aktit.
Klodian Braho: Ne do kërkojmë që pyetjet të ishin konkretisht pyetje-përgjigje që janë në aktin e ekspertimit. Pyetja duhet të jete me specifike (në faqen kaq, pyes për këtë).
Mediu: Ne këtu nuk bëjmë pyetjen e prokurorit. Ju duhet të na kishit thënë kush janë përgjegjësitë e ministrit? Ju nuk e keni bërë në asnjë nga aktet e deri tanishme. Unë duhet te di ku është përcaktuar përgjegjësia ime.

Ekspertët: Nuk mund te flasim, na ndihmoni. Në një seancë tjetër na janë bërë 200 pyetje dhe ne kemi operuar në të njëjtën mënyrë. Ne nuk po vëmë kusht për pyetjen, por duhet të na jepet mundësua, që në një material 100 faqe të gjejmë sqarimin. E kemi të vështirë, materiali është shume voluminoz. Nuk mund të flasim secili, e kemi të vështirë.
Mediu: Unë po kërkoj në mënyrë shumë korrekte, kërkoj te di ku janë përgjegjësitë e ministrit për dëmin financiar? Ju jeni thirrur në cilësinë e ekspertit ekonomiku-financiar, në pyetjet që ka bërë prokuroria, ka pyetje te karakterit ligjor. I jeni përgjigjur ju këtyre pyetjeve, apo i keni refuzuar? Cilësinë e përgjigjes e ka prokurori. Prokuroria ju ka kërkuar nëse aktet de facto të vëna në dispozicion të Ministrise së Mbrojtjes janë të rregullta , te plota… kjo pyetje është brenda sferës suaj të ekspertizës? Është pyetja e parë, faqja e parë. Kush konsiderohet de facto dhe kush konsiderohet de jure?
Ekspertët: Nuk mund të përgjigjemi kështu. Përgjigja është shkruar ne faqen 1 deri në faqen 2. (E lexon përgjigjen).

Henrik Ligori: Nuk mund të na lexoni përgjigjen. Pyetja është konkrete. Me këtë akt ekspertim janë dënuar 20 vetë, ata duhet të dijne përmendësh këtë akt. Ky është idiotizim i mbrojtjes.

Mediu: Ju keni përmendur disa akte qe janë nevojë për pyetje të tjera.

Klodian Braho: Deformimi që i bën i pandehuri faktit, është i papranueshëm e aq më tepër ti kërkoi llogari ekspertëve. I kemi kërkuar llogari ministrit që pse ka lidhur kontrata me SAC kur kjo kompani nuk ishte e regjistruar në tatime. Dhe e keni urdhëruar ju me urdhrin 550.

Ora 10:20
Gjyqi për Mediun, ekspertët kërkojnë kohë, avokati Visha: S’kam si bëj pyetje kur treçereku i tyre nuk pranohet

1715768618_saimirvishajfatmirmediu.jpg

Po zhvillohet në GJKKO seanca ndaj ish-ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu për masakrën e Gërdecit, ndërsa është zhvilluar me debate mes avokatit, prokurorit dhe gjyqtares për marrjen në pyetje të ekspertëve që kanë përcaktuar dëmin ekonomik të shkaktuar nga shpërthimi i 15 marsit 2008.

Ekspertët kërkuan më shumë kohë që tu japin përgjigje avokatëve, ndërsa avokati i Mediut Ardian Visha tha se s’mund të bëjnë pyetje kur treçereku i tyre nuk pranohet. Prokurori Klodian Braho sugjeroi po ashtu që ekspertëve tu jepet më shumë kohë.

Pjesë nga debati në seancë

Eksperti Bexhet Zeqir: E kemi të vështire të biem dakord për çdo pyetje këtu. Nuk mundemi, është një material dhe mbi atë material do diskutojmë. Për të gjitha pyetjet, ne jemi gati ti përgjigjemi qoftë me shkrim, qoftë në një moment të dyte. Tani nuk mundemi, për një material që është 500 faqe. E kemi lexuar materialin disa herë, por nuk mundemi të përgjigjemi tani. Na vini ne vështirësi dhe ne.

Visha: Sugjerimi im është që ekspertët të përcaktojnë metodologjinë e punës së tyre, si e kanë kryer aktin. Është e pamundur të adresojmë pyetje konkrete. Kush ka shkruar kë? Si e kanë ndarë punën? Kështu siç thotë eksperti që puna është bashkë, është e vështirë të bëjmë pyetje. Pse duhet të bëhet e vështirë një gjë që mund të jetë e lehtë?

Klodian Braho: Ne mendojmë që të vazhdojmë me pyetjet e ekspertëve. Nëse ata nuk janë në gjendje të përgjigjen sot, të marrin kohen për tu përzgjedhur ne seancën e radhës.

Ardian Visha: Kjo nuk është mënyrë pune. Nëse pyetje të veçanta janë shumica, si do ndahet kjo punë?

Visha-ekspertëve: Mbi çbazë keni bërë interpretim që shënimi i ministrit është urdhër? Këtë strategji pyetjesh kemi bërë, të përgjithshme fillmisht, e më pas do ndalemi faqe më faqe, rresht më rresht. Le ta thonë për momentin që nuk i kujtohet diçka.

Ekspertët: Nuk kemi asnjë përgjigje.

Visha: Kush prej jush ka cilësi vërtetë shkencore me titull akademik?

Ekspertët: Asnjë prej nesh.

Visha: Vlerësoni komplimentin e madh që ju bëri gjyqtarja që tha jeni shkencëtarë. Unë nuk kam si bëj pyetje, kur treçereku i tyre nuk pranohet. Ata janë caktuar sepse janë urdhëruar si te tillë, në kohën e veprimit. Ne pretendojmë tejkalim të kompetencave të tyre për nxjerrjen e konkluzioneve.

Ora 10:00
Seanca ndaj Mediut, debate mes Ardian Vishës dhe gjyqtares! Ndërhyn edhe prokurori Kraja, avokati: Mos bëj ngritje provokuese

1720598618_ardianvishairenagjoka.jpg

Në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion po zhvillohet seanca në ngarkim të ish ministrit të mbrojtjes Fatmir Mediu i pandehur për masakrën e Gërdecit. Gjatë seancës ka pasur debate mes avokatit të Mediut, Ardian Visha për marrjen në pyetje të ekspertit me gjyqtaren Irena Gjoka. Në një moment debati është zhvilluar edhe mes prokurorit të SPAK, Arben Kraja dhe avokatit Ardian Visha. Ky i fundit i kërkoi që të mos bëjë ngritje provokuese.

Debati i plotë brenda sallës së gjyqit

Avokati Ardian Visha: Ne kemi një ndarje në pyetjet tona. Keni ndonjë titull akademik në profesionin qe keni?
Eksperti; Jo nuk kemi.
Visha: Çfarë akti keni, si jeni certifikuar?
Eksperti: Në vitin 2008 jam certifikuar.
Visha: Si jeni përzgjedhur si ekspert nga prokuroria në vitin 2008? Kush jua komunikoi qe jeni ekspert i çështjes?
Eksperti: Nuk jam ekspert i licensuar.
Visha: Kush ju njoftoi që do jeni ekspert për këtë çështje?
Irena Gjoka-ekspertit- Nuk do përgjigjesh.
Visha: Nuk më ndaloni dot për procedurën, për te pyetur se kush e përzgjodhi.

Debat mes Vishës dhe Arben Krajës: Ti mos bëj ngritje provokuese fare.

Visha: Jeni ekspert i licencuar?
Eksperti: Jo.
Irena Gjoka: I tërhiqet vëmendje Ardian Vishës, ka shkelur kodin e etikes.
Visha: Po prokurori?
Gjoka: Ulu, dhe njëherë fole do dalësh jashtë.
Visha: Me gjithë dashurën e madhe për ju dhe respektin, nuk ju lejoj. Të mos lejohet eksperti të japë përgjigjen, ju nuk ju lejohet. Nuk kam dëshirë te punoj kështu.
Visha: Mos lejoni të ndërhyrje prokuroria, nuk kemi ndërhyrë kurrë ne. Kush ju ka thënë qe do jeni ekspert në këtë çështje?
Gjoka: Nuk pranohet pyetja.
Visha: Ku punonit ju në kohën kur u caktuat ekspert?
Eksperti: Në ministrinë e financave.

Visha: SA kohë keni punuar për te bëre aktin?
Eksperti: Nuk e mbaj mend, disa muaj.
Visha: Sa herë jeni mbledhur gjatë kësaj periudhe:
Gjoka: Nuk pranohet pyetja.
Eksperti:  Nuk mbaj mend, kanë kaluar 17 vjet.
Visha: Ka mundësi të mos ndërhyrje asnjë njeri? Kush e ka shkuar aktin?
Eksperti: Të gjithë bashkë.
Visha: Si e ndaji punën?
Eksperti: Te gjithë bashkë.
Visha: Kush e ka shkuar?
Eksperti; Të pestë bashkë.
Visha: Për pjesën ushtarake çfarë keni shkruar ju?
Eksperti- Unë nuk merrem me pjesën ushtarake.
Visha: Mbi materialet që ju ka vënë në dispozion prokuroria, çfarë volumi kishte materiali?
Gjoka: Nuk pranohet pyetja. Bëj kujdes me pyetjet që bën.
Visha: A mund ti bëni ju pyetjet? Ne të rrejmë kot. Ku i lexonit materialet, në çfarë ambienti, në çfarë selie?
Gjoka: Nuk pranohet pyetja.

M.Q./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • MAZLLUM KASAP REXHEP BULE LEKA [ KEPI ]: 10/07/2024 12:13

    Ore Krimineli hajdut Fatmir Mediu duhej prej kohēsh tē ishte nē burg sēbashku me sy peshkaqenin xen e me gjith Sali Bajgēn. E kta vazhdojn bējn teatēr me tipat si : Fatmir Mediu e Sali Bajga me tē birin sy peshkaqeni xen.

    Përgjigju
  • LORA: 10/07/2024 11:37

    16 vjet kaluar nga krimi apokaliptik shteteror ne Gerdec,,,,dhe ministri i mbrojtjes i kohes,f.mediu, nuk paska mesuar ende pergjegjsite e tij penale!?!? Pres me padurim info per kete proces gjykimi ne GJKKO.

    Përgjigju
  • Ta rras lala: 10/07/2024 11:11

    Cfare pergjegjesie ka ministri kur ndodh ngjarje e jashtezakonshme e di edhe miu e nuk e ditka Fatmir Mediu qe i ka dhene licencen firmes, nuk shkoi ndonjehere ky te shihte sesi behej demontimi i armeve, kush punonte atje, a e kishin pergatitjen e duhur ata qe punonim ne Gerdec? Minimalja qe duhet te beje eshte te kerkoje falje per 26 jetet e humbura e jo te kercenoje dhe te beje rolin e ekspertit te gjyqtarit te prokurorit. Kapeni dhe futeni ne biruce se atje e ka vendin bashke me ate qe del ne ballkon nate per nate duke share dhe bertitur

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Renditja/ Superliga mbyll vitin 2024, Teuta barazon pa gola me Bylisin! Tifozët numërohen me 'gishtat e një dore'

Renditja/ Superliga mbyll vitin 2024, Teuta barazon pa gola me Bylisin! Tifozët numërohen me 'gishtat e një dore'