Në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO), u zhvillua seanca e radhës për ish-ministrin e Mbrojtjes të qeverisë Berisha, Fatmir Mediu, i marrë i pandehur për masakrën e Gërdecit.
Vetë Mediu nuk ishte i pranishëm pasi ndodhet në SHBA dhe përfaqësohej nga dy avokatët Henrik Ligori dhe Ardian Visha. Gjyqi u ndjek nga vëllai i ish-ministrit, si edhe Geraldo Druda, i cili ka humbur vëllain 7-vjeçar nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armëve në Gërdec.
Për të disatën seancë radhazi, avokatët mbrojtës të Fatmir Mediut, kundërshtuan provat shkencore të paraqitura nga SPAK ku pretenduan se nuk ka asnjë veprim individual të ministrit që ta lidhë atë me përgjegjësi penale. Transferimi i përgjegjësive të hallkave tekniko- administrative të shtabit të përgjithshëm, komandave dhe MEICO-s tek ministri, sipas tyre është arbitrar.
Avokatët mbrojtës shtuan se pretendimet e SPAK nuk mbështeten në asnjë bazë faktike të provuar. Seanca e radhës u la në datë 16 qershor, ku ish-ministri i Mbrojtjes do të vijojë sërish me kundërshtimet.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, pasi, sipas SPAK, janë shkelur procedurat e ngritjes së fabrikës së demontimit në Gërdec, pranë një zone të banuar si dhe ato të municioneve. Vetë Mediu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura dhe gjetjet e ekspertëve.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Durda, e një prej viktimave të shpërthimit në 15 mars 2008, në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente










