18-vjetorin e masakrës së Gërdecit, Dorian Matlija, avokati i familjarëve të viktimave thotë se procesi gjyqësor është i vonuar. Në GJKKO është dërguar për gjykim vetëm ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu i cili akuzohet për shpërdorim detyre

“I gjithë procesi është i vonuar, hetimi është bërë në 2008, ka përfunduar në 2009 dhe sot jemi në vitin 2026, 18 vite pas tragjedisë. Prokuroria e Përgjithshme s’ka ndërmarrë asnjë lloj verimi dhe s’ka dashur ta ngacmojë këtë dosje, veç asaj që çoi në gjykim herën e parë. Ishte SPAK që vendosi pas shumë kërkesash të hapet si çështje”, tha Dorian Matlija në Report Tv.

Për 26 personat që mbetën të vrarë në fabrikën e demontimit të armëve, ende askush nuk është dënuar për vrasje dhe asnjë dënim për përgjegjësit kryesorë, ndërsa një hetim i hapur i SPAK për korrupsion dhe pastrim parash ende nuk ka rezultat. Avokati Matlija thotë në një intervistë për Report Tv se familjarët kërkojnë që të zbardhet i gjithë zinxhiri i përgjegjësive për masakrën e Gërdecit.

Për familjarët, Gërdeci ishte një ngjarje e paralajmëruar dhe ata besojnë se zyrtarë të lartë kanë pasur dijeni që mund të ndodhte një shpërthim i përmasave të tilla, por jo vetëm që nuk kanë marrë asnjë masë, por kanë shtuar edhe sasinë e municioneve.

“Familjarët kanë dashur të zbardhet zinxhiri i përgjegjësive të ngjarjes, të kuptohet pse ndodhi, çfarë nuk funksionin, kush mban përgjegjësi. Nëse del përgjegjësi e kujtdo, të vihen edhe para përgjegjësisë penale. Familjarët duan të ketë një përgjigje, jo vetëm për çështjen e moszbatimit të rregullave në kushte neglizhence, por e çojnë më tutje përgjegjësinë, ata mendojnë se zyrtarë të lartë kanë pasur dijeni që mund të ndodhnin dhe situata të jashtëzakonshme dhe s’kanë marrë asnjë masë, por kanë shtuar sasitë e akumuluara në Gërdec derisa në fund fare ajo ishte gati ngjarje e paralajmëruar për ata që dinin informacionet nga brenda. Kjo nuk është çështje që shkon deri në nivelin e shpërdorimit të detyrës, por shkon dhe më tutje, për vrasje në rrethana të cilësuara me dashje indirekte. Kjo ka qenë kërkesa e familjarëve. SPAK nuk e ka ndjekur për momentin, e çoi në gjykim për shpërdorim detyre, e sheh pak të vështirë ndarjen e asaj vijës së hollë. Jemi duke diskutuar ende provat dhe nuk është ndërtuar kazusi në kuptimin e fjalës me të gjithë elementët e tij”, shprehet avokati Matlija.

Avokati thotë se nuk ka asnjë informacion se në çfarë faze është hetimi i hapur në SPAK për Gërdecin për korrupsion dhe pastrim parash dhe nëse hetimet kanë çuar tek persona të tjerë të përfshirë. Por, ai thekson se ministri i Mbrojtjes i asaj kohe, Mediu, nuk ka vepruar në “vakum”, por mbi të ishte ish-kryeministri Sali Berisha.

“Çështja është një zinxhir i gjatë, ka vendimmarrje administrative, presione politike, ka pasur dyshime prokuroria që mund të ketë pasur implikim të personave të tjerë, ka një fraksion të ndarë të këtij hetimi që po hetohet më vete dhe nuk ka informacion se në çfarë faze është. SPAK mori përsipër të çoje dosjen në gjykim atë hetim që ishte bërë në vitin 2008-2009, për elementë të rinj që mund të zbulonte hapi fraksionin e rin. Nuk ka informacion, hetimet mund të jenë për persona të tjerë të përfshirë. Ministri nuk vepron në vakum, ka një kryeministër mbi kokë, ka njerëz që janë diskutuar që kanë qenë të përfshirë. Ne nuk kemi informacion, se është sekret hetimor”, thekson avokati.