TIRANE-Prokuroria e Krimeve të Rënda pas rihapjes së dosjes së masakrës së Peshkëpisë ka marrë sot në pyetje Fredi Belerin, i cili ishte njëri nga anëtarët e komandos ekstremiste greke në 10 prill 1994 në Gjirokastër. Gazetari i Report Tv Artan Hoxha raporton se Beleri është marrë në pyetje për tre orë ditë e sotme nga 12:00 deri në 15:00. Para dy muajsh kur u hap dosja ai u shpall në kërkim policor, por nuk u gjet, pasi ishte larguar jashtë vendit, ndërsa u thirr për të dhënë dëshminë dhe sot u paraqit së bashku me avokatin.

Artan Hoxha thekson se Belerit i është komunikuar zyrtarisht që është marrë nën hetim për akuzën e aktit terrorist mbi ngjarjen. Beleri është shprehur se nuk ka qenë në masakrën e Peshkëpisë dhe për këtë ka prova.

"Erdha në prokurori që të mbarojë baltosja mbi figurën time për një cështje që nuk kam asnjë lidhje. Në ditën që u bë veprimi unë kam qenë në Qipro. Nuk jam marrë në hetim" tha deklaruar ai per Top Channel. 

Prokuroria nuk e ka parë të arsyeshme të kërkojë masën e arrestit për shkak të kohës së gjatë dhe se Beleri ka treguar vullnet për t'u paraqitur para drejtësisë.

Hetimi i kësaj ngjarje, ku mbetën të vrarë, dy “Dëshmorët e Atdheut”, komandanti i repartit Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini, nuk iu besua prokurorisë së Gjirokastrës, por asaj të Krimeve të Rënda, pikërisht pasi ngjarja është cilësuar akt terrorist. Ndërkohë që prokuroria ka sekuestruar dokumentarët e gazetarëve Artan Hoxha dhe Marin Memës që japin dëshmi lidhur me ngjarjen.

Ndërtesa e ish-repartit ushtarak të Peshkëpisë që u sulmua nga terroristët grekë

Komando greke ‘Pirro i Parë’ që sulmoi postën shqiptare në 10 prill 1994 në Gjirokastër
-Jorgo Anastasulis, 34 vjeç, oficer i ushtrisë greke me gradën toger.
-Apostolos Karvelas, 26 vjeç, punonjës i policisë greke.
-Mario Kutulla, 25 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë, punëtor.
-Fredi Bejleri, asokohe 23 vjeç, shqiptar nga Himara, banues në Athinë, me profesion hidraulik.
-Jorgo Kristo, 26 vjeç, shtetas shqiptar nga Himara, banues në Athinë.
-Harallamb Papa, 21 vjeç, shtetas shqiptar, banues në Athinë, punëtor ngarkim – shkarkimi.
-Jorgo Papa, 30 vjeç me profesion teknik frigoriferësh, vëllai i Harallamb Papas.

Fredi Beleri

Por, pavarësisht asaj që kishte ndodhur në 1994 në Gjirokastër, Fredi Beleri mori guximin dhe kandidoi për kryetar të bashkisë së Himarës në zgjedhjet lokale të 2015 në siglën e PBDNJ dhe i mbështetur nga opozita e djathtë, por nuk arriti që të fitonte. Ndërkohë që kandidoi sërish për zgjedhjet e 30 qershorit 2019 tani por u rrëzua nga KQZ pasi nuk ishte rehabilituar nga një dënim disa vite më parë.

Tashmë përpos tij pritet që të merren në pyetje edhe 30 persona të tjerë lidhur me ngjarjen e shumë viteve më parë, ndërsa autoritetet shqiptare kanë dërguar disa letër porosi edhe në Greqi për të marrë informacion mbi personat që kanë qenë pjesë e komandos.  (Historia e dosjes së masakrës së Peshkëpisë si u zbulua Beleri)

Dy “Dëshmorët e Atdheut”, komandanti i repartit Fatmir Shehu dhe ushtari Arsen Gjini