TIRANE- Eduart Çipa një ndër të akuzuarit nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si shkaktar i masakrës së Qafë-Gjashtës në Sarandë dhe i shpallur i pafajshëm nga gjykata, është dëmshpërblyer financiarisht me 42 milion lekë të vjetra për 1420 ditët qëndimit në burg.

Gjatë gjykimit, Çipa pretendoi se gjatë qëndrimit në burg, kishte humbur mundësinë e sigurimit të të ardhurave financiare, ndërkohë për shkak edhe të mos pasjes së menaxherit, një dyqan ushqimor në pronësi të tij, kishte falimentuar. Pala e paditur ka qënë dakort gjatë gjykimit që të pranohet kërkesa por jo në shumën prej 42 milion, por në një vlerë më të vogël.

Eduart Çipa ju drejtua pak kohë më parë me një kërkesë Gjykatës së Tiranës, ku kërkon prej saj dëmshpërblimin financiar për ditët e qëndrimit në burg. Kërkesë-padia është paraqitur në datën 9 shtator 2013 në sekretarinë e gjykatës së kryeqytetit, ku Çipa kërkon shpërblimin financiar për të gjitha ditët e qëndrimit në burg, nga moment i arrestimit të tij prej policisë dhe deri në ditën e lirimit nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Në padinë e tij Cipa ka paditur degën e thesarit në Tiranë dhe Ministrinë e Financave, duke u kërkuar këtyre të fundit detyrimin financiar të mbajtjes në mënyrë të pa drejtë në qeli, për një periudhë më shumë se dy vjeçare.

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka shpallur në muajin tetor 2011 të pafajshëm Eduart Çipën, i dënuar me 15 vjet burg në Shkallën e Parë, si një nga autorët e masakrës së Qafë-Gjashtës të marsit 1997 në Sarandë, ku u vra e u dogj një polic dhe u mor peng një tjetër. Për nëntë të pandehurit e tjerë, Gjykata e Apelit la të pandryshuar vendimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë, në 11 maj të këtij viti. Mbi të pandehurit e kësaj dosje rëndonin akuzat e “Vrasjes me dashje” në bashkëpunim, ndaj punonjësit të policisë Gjergji Mehmeti. Gjithashtu, ata akuzoheshin për “Vrasje me dashje” në bashkëpunim, mbetur në tentativë ndaj punonjësve të tjerë të policisë, Sokol Bizhga, Eduart Alija dhe Myzafer Blushi. Katër punonjësit e policisë së Vlorës ranë në një pritë të armatosur më 4 mars 1997, në vendin e quajtur Qafë-Gjashtë, teksa po ktheheshin nga Saranda drejt Vlorës.


 Shkrimi u publikua sot (08.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)