ShkodërAgjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar materialet në Prokurorinë e Shkodrës ku akuzon efektivët e policisë lokale atje për “shpërdorim detyre” në lidhje me masakrën me 4 viktima në Dobraç.

Sipas burimeve, AMP ka dyshime të forta se efektivët nuk kanë kryer detyrën duke lënë që të ikë nga vendngjarja personin e tretë që dyshohet se ishte në makinën e Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.

Tashmë pritet që organi i akuzës të thellojë hetimet në lidhje me grupin e efektivëve që ishin në vendngjarje.

Ende mbetet mister personi që del në video, ndërkohë që dyshohet se ishte Ibrahim Lici, vëllai i Hamza Licit, i vrarë në atentat. Ka dyshime se Ibrahim Lici të jetë lënë nga efektivët që të largohet nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që për autoritetet 32-vjeçari është një nga personat më të kërkuar, për vrasjen e Endri Mustafës.

Në një moment, në pamjet që qarkullojnë nëpër rrjete shihet që personi i tretë që dyshohet të ketë qenë në makinën që u qëllua me breshëri plumbash e mbeti dhe i plagosur, qëndron pranë trupit të pajetë të Hamza Licit, dhe ngjitur me të, është edhe një efektiv policie.

Një ditë më parë Prokuroria e Shkodrës shpalli moskompetencën, dhe kërkoi që masakrën me 4 të vrarë në Dobraç ta hetojë SPAK me dyshimet se pas atentatit fshihet një grup i strukturuar kriminal,

Viktima të pafajshme të atentatit të 30 tetorit mbetën mbetën Bashkim dhe Flutura Basha. Një çift bashkëshortësh që udhëtonin me motoçikletë dhe që u përplasën nga automjeti i Licit, pasi doli jashtë kontrollit. Për hetuesit, ngjarja dyshohet të jetë hakmarrje mes fiseve Bajri e Lici, përplasje që ndër vite ka prodhuar disa të vrarë.