PUKE - Prokuroria e Pukës nis hetimet për shefin e Komisariatit të policisë së këtij qyteti si dhe dy punonjës të tjerë të tij. Ky vendim i Prokurorisë vjen pas rekomandimit të Avokatit të Popullit, se këta tre zyrtarë të policisë me veprimet apo mosveprimet e tyre kanë përgjegjësi për masakrën që ndodhi më 29 qershor në fshatin Marrnaq të komunës Qelëz, ku mbetën të vrarë dy vëllezërit Markaj dhe u plagosen 3 persona të tjerë.

Ndërkaq, Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës së Pukës ndalimin e Ridvan Bushatit, me detyrë shef i komisariatit të Pukës, si dhe të shefit të krimeve të lehta pranë këtij komisariati, Qetësor Gurra dhe të punonjësit tjetër të policisë, Lulëzim Latifi.

Në njoftimin e Prokurorisë theksohet se në bazë të materialit kallëzues të përcjellë nga Avokati i Popullit, rezulton se shefi i Komisariatit të Policisë Pukë, Ridvan Bushati, specialisti i zonës Lulzim Latifi, shefi i krimeve të lehta Qetësor Gurra, kanë pasur dijeni në lidhje me konfliktet mes familjeve Markaj dhe Përmarkaj, dhe pavarësisht këtij fakti, jo vetëm që nuk kanë marrë asnjë masë për parandalimin e përshkallëzimit të këtij konflikti, por gjithashtu, në rastin e fundit para ndodhjes së ngjarjes së datës 29.06.2012, nuk e kanë referuar materialin kallëzues në Prokurori dhe e kanë mbyllur si një konflikt të thjeshtë. Ky veprim është bërë pavarësisht faktit se kallëzuesi Françesk Markaj ka pretenduar se është ndjekur nga shtetasit Anton Përmarkaj, Bardhok Përmarkaj, Fran Përmarkaj, nga të cilët njëri prej tyre, shtetasi Bardhok Përmarkaj, ka qenë i armatosur me automatik.

Në kushtet kur ka nisur hetimi ndaj tyre, Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës pezullimin nga detyra të 3 punonjësve të policisë.

(jd/shqiptarja.com)