Pati probleme me mungesën e transparencës dhe shpërdorimin e buxhetit të pavarësisë dhe problemi më i rëndë ishte ai që u shënua me konkursin në muajin mars, ku dështoi projekti me bocetin e shtatores së Ismail Qemalit. Në Vlorë 100-vjetori i pavarësisë u festua më i organizuar në krahasim me Tiranën, ku u shoqërua me një program të pasur, aktivitete dhe manifestime simbolike. Ndërsa në Tiranë dita e pavarësisë, 28 nëntor 2012 pati një incident të rëndë me tortën gjigante të ideuar nga Kryetari i Bashkisë z.Lulzim Basha, e cila u kthye në një objekt talljeje publike, kërcimesh dhe loje. Gjithashtu përgjatë vitit 2012 organizimi i 100-vjetorit në Tiranë u karakterizua nga probleme të mëdha: mosftesa e akademikut Rexhep Qosja, ngritja në piedestal e figurës së Ahmet Zogut nga qeveria, duke lënë në harresë figurën e Ismail Qemalit, etj.
Gjithashtu u shoqërua nga komentet dhe akuzat në media ideja e vjedhur e veprës së shpallur si fituese për Monumentin e Pavarësisë. 100-vjetori në Tiranë u shoqërua nga shpërdorimi dhe dyfishimi i buxhetit të shtetit që jepej pa kriter shumë shpenzime dhjetëra-milionëshe shkuan për tenderët e koncerteve dhe dekorimeve në emër të pavarësisë. Të gjitha këto sollën një dëm të madh, jo vetëm të kulturës kombëtare, por edhe të buxhetit të shtetit. Më poshtë po japim disa nga ngjarjet më mbresëlënëse të vitit.
26 maj 2012/ Rona Nishliu fiton vendin e pestë në Eurovizion
Nga transmetimi i Eurovizionit, që zhvillohej në Baku të Azerbajxhanit, në një nga kanalet Rai drejtuesi komentoi "largoni kristalet sepse këndon Rona Nishliu", duke komplimentuar kështu, fuqinë e zërit të saj që vetëm dy ditë më parë po nga media italiane u krahasua me atë të Aretha Franklin. Votat e renditën Rona Nishliun në vend të pestë, duke e çuar kështu vitin e ardhshëm Shqipërinë menjëherë në finale.
Korrik-dhjetor 2012/ Debatet të mëdha për standardin e shqipes
Gazeta "Shqiptarja.com" zbulon se një klan i caktuar akademikësh shpallin në një mbledhje të fshehtë ndryshimet në standardin e shqipes. Pas këtij lajmi protestojnë akademiket dhe gjuhëtarët. Më 26-28 qershor 2012 u mblodh në Tiranë Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. Tema e diskutimeve ishte Drejtshkrimi i zanores "ë" të patheksuar në shqipen standarde, por një pjesë e anëtareve të këtij grupi si Emil Lafe, Rrami Memushi, Jani Thomai dhe akademikë të tjerë dolën kundër me polemika të forta në media.
Korrik-shtator 2012/ Ismail Kadare hedh në gjyq Nexhmije Hoxhën
Shkrimtari Ismail Kadare hapi gjyq kundër së vesë së diktatorit, zonjës Nexhmije Hoxha për dorëshkrimin "Dimri i vetmisë së madhe", i cili mori shumë publicitet me akuza nga dypalëshe që shpërthyen në prag të çmimit Nobel 2012, nërsa Kadare ishte ngjitur në krye të Listës. Edhe pse Kadare e fitoi gjyqin dhe zonja Hoxha më në fund i kthen dorëshkrimin, ajo përdori të gjitha arkivat kundër imazhit të Kadaresë në media duke u shprehur fillimisht se "nuk ia jap dorëshkrimin", se "ma ka dhuruar vetë Kadareja", etj. Nuk dihet nëse ka ndikuar zhurma mediatike tek çmimi, por Ismail Kadare edhe këtë vit nuk e fitoi Nobelin, i cili shkoi për shkrimtarin kinez Mo Yan.
17 nëntor/ Kthimi i eshtrave të Ahmet Zogut në atdhe
Vendimi i Qeverisë për kthimin e eshtrave të Mbretit Ahmet Zog I ka pasur reagime për datën që përkonte me ditën e Çlirimit të Tiranës dhe pse figura e Ahmet Zogut, ndryshe nga ajo e Ismail Qemalit është vendosur në qendër të vëmendjes nga Kryeministri berisha gjatë festimeve të 100-vjetorit.
Sukseset
22 nëntor 2012 Rikthehen pas 600 vjetësh armët e Skënderbeut në atdhe. Ekspozita ka qëndruar e çelur në Muzeun Kombëtar për 45 ditë dhe pati mbi një milionë vizitorë.
12 Nëntor 2012 Vepra origjinale e "Meshari" të Buzukut ekspozohet në Tiranë. Njihet si libri i parë shqip, i botuar në vitin 1555 dhe erdhi nga Biblioteka Apostolike e Vatikanit. Pati 25 mijë vizitorë
7 gusht 2012/ Aprovohet buxheti i pavarësisë me 5 milionë euro. Abuzimet e qeverisë, dyfishohen më pas.
Me një buxhet që kalon shifrën e 5 milionë eurove, Kryeministri Berisha u dha dorën e fundit vendimeve për projektet e 100-vjetorit e Pavarësisë. Por shtesat e fondeve e dyfishuan shifrën e ligjëruar nga komiteti i festimeve të pavarësisë. Një pjesë e këtij buxheti shkoi dëm, siç ndodhi me shtatoren e Ismail Qemalit, e cila edhe pse nuk u realizua si duhej, pati një fitues dhe vepra e tij mbeti më muze, ndërsa në shesh doli vepra e Odise Paskalit që ishte bërë vite më parë për Muzeun Kombëtar.
Masakrat në objektet kulturore gjatë 2012-ës
20 Maj: Zjarre dhe masakra e gërmimeve me buldozer dhe grabitjeve në sitin arkeologjikë të Finiqit
16 gusht: Shembet me buldozer natën shtëpia muze e Themistokli Gërmenjit e quajtur ndryshe si Shtëpia e Flamurit. Humbasin pa asnjë gjurmë reliktet e këtij muzeu.
21 Shtator: Humbje e madhe për historinë e arteve pamore. Vidhen 35 vepra arti të piktorit të madh Vangjush Mio në muzeun e Korçës. Policia në kërkim. Nuk janë gjetur ende.
Largohen nga jeta gjatë 2012-s
Ky vit ka rrëmbyer nga jeta për fat të keq shumë personalitete të letrave, artit e kulturës, njerëz të shquar të skenës e të ekranit, ku pjesa më e madhe e tyre ka pasur vdekje tragjike. Ju prehtë shpirti në paqe:
Agron Aliaj
Arbën Xhaferi
Ardian Klosi
Ali Podrimja
Safo Marko
Sheri Mita
Tefik Caushi
Pano Taçi
Agron Çobani
Dorian Nini
Perikli Jorgoni
Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com, print(30 dhjetor 2012)
(ad.ti/shqiptarja.com)