Sapo mësuesja hyri në zyrë, inspektori i arsimit mbylli derën…’/ Ngjarja tragjike në Tepelenë në ’67-ën që, alarmoi shtetin dhe vetë Enver Hoxhën

Sapo mësuesja hyri në zyrë, inspektori i arsimit mbylli derën…’/ Ngjarja tragjike në Tepelenë në ’67-ën që, alarmoi shtetin dhe vetë Enver Hoxhën

Memorie.al / Ishin ditët e fundit për maturantët shkollës “Jani Minga” të Vlorës, të cilët, pasi të përfundonin provimet, do të merrnin diplomën e mësuesisë. Si çdo maturant, edhe Xhevairja, ndjente shqetësimin dhe gëzimin e mbarimit të shkollës dhe shpesh tërhiqej nga shoqëria dhe ëndërronte. “Si do të jetoj pa shoqet e mia? Kemi ndarë gëzimet dhe shqetësimet… kemi ndarë dhe emocionet tona të para duke treguar njëra – tjetrës me një sinqeritet dhe çiltërsi fëmije. Si vallë do jetoj larg tyre?” – mendonte dhe shfletonte fletoren e kujtimeve e cila ende s’kishte përfunduar, por Klodi, Shpresa, Vitoria, Merushja, Penelopi, Nadineja, Hamideja, Pashako, Vangjelia, Elpiniqi…i kishin hedhur ato me shkrim të bukur, ku shprehnin dashurinë e pastër shoqërore dhe shqetësimin se ndonjë herë mund t’i harronte ato. Qëndroi tek faqja e Klodi Kadut, ku ndër të tjera shkruante: “Xhevo, s’besoj se do të më harroni dhe po t’më harroni, po deshët kujtoni shakatë që bënim bashkë…”! I lexoi dhe filloi të qeshë nën vete. “E, ku mund të harroj unë jetën katërvjeçare, ku kemi ndarë kohën dhe kafshatën bashkë? O shoqja ime, sa humor më sillje, kurrë s’më lije të mërzitur…”

Vazhdoi më tej, tek Shpresa. Filloi të qeshte me zë. Kishte shkruar një ekuacione pasi kishte bërë thjeshtimet kishte përfunduar: Të [4du] . 4a = Të dua”! Me Natashën qeshi edhe më fort kur shkruante: “Në qoftë se gomari do hipi mbi çati, atëherë dhe shoqëria do të prishet…”! Apo Vitorja: “Kur Vollga shpërthen është zor ta kalosh, kur shoqen e don, është zor t’a harrosh…”

– Xhevo, – e ndërpreu një zë.

– Oh, sa më trembe! – ia ktheu ajo në vend të përgjigjej.

– Vërtet e kam zërin si djalë, por si ti jam, vajzë, s’ke pse trembesh nga unë, – foli Myzua, shoqja e saj e ngushtë.

– Po lexoja kujtimet e shoqeve dhe nuk di pse më ngjan, sikur nuk do t’i shikoj më shoqet e mia…?

– Mali me malin s’takohet, njerëzit takohen…!

– Në bangat e shkollës moj mike, dy emra u gdhendën dikur… – filluan të këndonin të dyja dhe ashtu me dorë në qafë u futën në shkollë.

Ndarja për to ishte shndërruar në ankth. Tek bisedonin një ditë, një shoqja e saj kishte treguar, se kur kishin mbaruar klasën e shtatë, mësuesi kujdestar i kishte mbledhur poshtë një peme dhe u kishte thënë:

– Të dashur nxënës, ngrini kokat lart dhe shikoni këtë pemë.

Nxënësit shikuan me vëmendje se mos ishte ndonjë çerdhe zogu, por asgjë s’panë.

– Çfarë shikoni? – I pyeti mësuesi.

– Asgjë zoti mësues…!

– Shikojeni prapë…!

Përsëri dhe përsëri nxënësit shikuan lart dhe sa herë shikonin, mësuesi u drejtonte të njëjtën pyetje “Çfarë shikoni?”, por nxënësit jepnin të njëjtën përgjigje ” Asgjë zoti mësues!” Atëherë mësuesi u tha:

– Shikojeni edhe një herë këtë pemë!

Të gjithë ngritën përsëri kokat lart, por mësuesi nuk ua bëri më atë pyetje, por u tha:

– Tani shikoni njëri – tjetrin me vëmendje.

Nxënësit shikuan me habi njëri – tjetrin dhe s’po kuptonin se çfarë do të thoshte kjo. Atëherë mësuesi shtoi:

– Mbajeni mend këtë pemë dhe sa herë të kaloni këtej, kujtoni njëri – tjetrin, se kurrë nuk do jeni më në jetë kështu të mbledhur siç jeni sot!

Nga të gjitha bisedat, ky rrëfim i asaj shoqeje, nuk i shkitej nga mendja. Kujtimet shkruhen në zemër, në shpirt, por këto vajza të reja ende shpirtin e kishin si një fletë të bardhë, të pa trazuar, të pa shkelur, ndaj dhe kërkonin të shkruanin gjëra të thjeshta, por që pas vitesh do ishin thesare…!

Ishte viti 1967. Pushimet verore kaluan me mallin për shkollën, për shoqet e shokët, për shakatë e çiltra, për bisedat pafund… dhe më në fund erdhi emërimi.

Duke bërë punën e tyre, “kalecat” e Partisë, u përhap lajmi se 11 vajza nga Vlora, kanë shprehur dëshirën të shkojnë në Veri, për të përhapur dritën e Partisë. Kjo nismë “vullnetare” e kishte bazën tek aksioni: “Lufta kundër zakoneve prapanike dhe besëtytnive fetare”, që kishte pak kohë që kishte shpërthyer në të katër anët e vendit, duke shkatërruar kisha, xhamia, teqe, vakëfe, gjithçka që kishte të bënte me fenë, duke ruajtur vetëm disa nga ato, si “Objekte muzeale”.

Ndër këto 11 vajza ishte edhe Xhevahirja bashkë me Myzejenin, të cilat ishin caktuar në fshatrat e Tropojës.

U trishtua shumë që do të largohej nga shtëpia, por kur mendonte varfërinë e tejskajshme që kishte familja e saj, e cila kishte ardhur para 10 vjetësh nga fshati Mallkeq dhe ishte vendosur në një barangë pranë stadiumit, ngazëllehej, se mendonte që diçka do t’i mbetej nga rroga për ta sjellë në shtëpi, ku ishin 12 veta dhe asnjë në punë, sepse shumica ishin të mitur dhe babai invalid.

Dita e nisjes ishte organizuar si festë. Kishin dalë shokët dhe shoqet t’i përcillnin duke kënduar dhe brohoritur. Ishte një entuziazëm delirant, ashtu si flutura shkon drejt dritës dhe përvëlohet, edhe ato vajza sapodalë nga bangat e shkollës i ndillte e panjohura e treguar me fjalë tutorësh, kur duan të mashtrojnë vajzat e mitura.

U dha urdhri të hipnin në makinën e sapoardhur, e cila ishte një “Skoda” ngjyrë gri dhe të gjitha duke shtyrë njëra – tjetrën hipën në karroceri. Të gjitha shkuan përpara të mbaheshin për spondën, se sapo ishte zbrazur nga dheu e s’kishe si të uleshe.

Makina u nis. Të njëmbëdhjeta ngritën dorën dhe përshëndetën të afërmit duke fshehur lotët. Të mbledhura si zogj pa klloçkë, i pushtoi heshtja dhe filluan të mendojnë pa mend, për vendin se ku do të shkonin. U vinin nëpër mend grimca mendimesh të të afërmve, të cilat kishin lënë brenda tyre gjurmë ankthi. Shoqëruesi i tyre, një anëtar i Seksionit të Arsimit dhe një i Sigurimit, ishin brenda në kabinën e makinës, por kur nuk po i ndjenin vajzat, urdhëruan shoferin të ndalonte.

– Pse nuk këndoni? – U hakërrye ai vajzave që poshtë.

– Mësuese fshatit je, në zemër nxënësit ke… – filluan ato të këndojnë me një zë, në vend që të përgjigjeshin.

– Ja, kështu u do Partia dhe shoku Enver! Ju jeni komisaret e dritës së Partisë! – Tha dhe hyri sërish në kabinë dhe makina u nis.

Rruga deri në Tropojë, ishte e gjatë dhe pjesa më e madhe e saj ishte pa asfalt, ndaj kur kalonte ndonjë makinë para tyre, ato mbyteshin nga tymi i rrugës dhe pak nga pak, po u transformoheshin tiparet aq sa nuk mund t’i dalloje se cila ishte Xhevua, cila Myzua, cila…?! Asnjëra s’kishte orë, por ato dinin që u nisën që shpejt nga Vlora dhe arritën në Tropojë natën. Makina ndaloi dhe u dëgjua zëri i njeriut të Sigurimit të Shtetit.

– Zbrisni! Arritëm në Tropojë!

– Ato zbritën duke dhënë dorën përsëri njëra – tjetrës dhe qëndruan sërish si zogj pa klloçkë.

– Mirëserdhët shoqe! – U dëgjua një zë nëpër errësirë.

– Mirëmbrëma! – Përshëndetën ato me një zë.

– Shoku inspektor, – u kthye ai shoqëruesit të arsimit, – urdhri është anulluar, këto do të shkojnë në Tepelenë, ndaj bëni mirë të vazhdoni udhëtimin që nesër të jeni atje.

Duke ndihmuar sërish njëra – tjetrën, vajzat u ngjitën në karroceri, por tashmë u ulën dhe mbështetën kokat tek njëra – tjetra si të ishin thasë të mbushur. Rruga ishte shumë e vështirë, saqë herë – herë dëgjoheshin klithma ankthi nëpër errësirë. Vendosën të flinin me radhë, njëra të mbahej për spondë dhe tjetra të flinte në prehrin e saj. Por edhe ato që flinin, ashtu nëpër gjumë thërrisnin me tmerr, kur makina binte nëpër gropa.

Gjithë nata kaloi rrugë. Agu i gjeti pranë një kantieri miniere. Makina ndali dhe inspektori urdhëroi të zbrisnin. Vajzat nuk pritën të ndihmonin njëra – tjetrën, por duke u shpërvarur u hodhën njëra pas – tjetrës në tokë.

Nga një lokal – barangë dolën një grumbull minatorësh, të cilët me ato rrobat e pista dhe kokoret me “syrin”, në ballë dukeshin si jashtëtokësorë. Vajzat vlonjate, për një moment shtangën, por kur shikuan njëra – tjetrën, që ishin bërë më keq se minatorët, mblodhën veten dhe u nisën pas inspektorit dhe atij të Sigurimit, të cilët u drejtuan nga lokali.

Aroma e çajit të malit u ngacmoi hundët, e vetmja ndjesi e këndshme në këtë kantier punëtorësh.

– Do hamë mëngjes këtu, – thanë shoqëruesit, – më pas do të shkojmë në qytet, ku na presin shokët e Partisë dhe të Seksionit të Arsimit.

– O shyqyr, se vdiqa për të ngrënë! – Tha Myzua.

– Partia na do të kalitur, jo qaramanë, po s’ke faj ti, fajin e ka origjina jote… – u kthye me të egër ai i Sigurimit.

– Po… – deshi të kundërshtonte ajo, por ndjeu shtrëngimin e krahut nga Xhevahirja dhe s’foli më. Të gjitha u drejtuan nga çezma, lanë duart dhe sytë, fshinë me sa mundën rrobat dhe hynë në lokalin e punëtorëve.

Vajzat hanin me uri ushqimin më të shijshëm të provuar ndonjëherë, thua se s’kishin ngrënë asnjëherë mëngjes me çaj dhe djathë.

– Do nisemi, – foli prerë ai i Sigurimit, – duhet të jemi korrekt me orarin.

– Sigurisht! – Pohoi instruktori dhe dolën.

Pasi zunë vende në karrige, kryeinspektori i Seksionit të Arsimit të Tepelenës, nxori një fletë dhe thirri emrat e vajzave, sikur të ishin në bangat e shkollës. Kur arriti tek emri i Myzejenit, qëndroi dhe e vështroi me vëmendje dhe qarkoi numrin 5 me rreth. Më pas thirri dhe emrat e tjerë duke i vështruar nga koka tek këmbët, sikur do u priste ndonjë kostum dhe kur arriti tek Xhevahirja, lëvizi sytë nga lart – poshtë disa herë e në fund, ia nguli sytë në sy, aq gjatë saqë ajo u ndje keq dhe i uli poshtë dhe mbi fytyrë i ra ngjyra e lulëkuqes.

Inspektori qarkoi edhe emrin e saj dhe foli.

– Sipas orientimeve të Partisë në rreth dhe dëshirës suaj për të shërbyer ku të ketë nevojë Atdheu, kemi menduar t’u ndajmë nëpër fshatra dy e nga dy, ku do të bëheni udhëheqëse të grupeve të edukimit të rinisë me frymën marksiste – leniniste, duke luftuar me zjarr zakonet prapanike e besëtytnitë fetare. Ju do të jeni të parat që do të hidheni në sulm për të çrrënjosur çdo gjë që bije në kundërshtim me ideologjinë komuniste. Dhe lexoi emrat dy nga dy në pesë fshatrat më të thella të Tepelenës, por që asnjëra s’e kishte idenë se nga binin dhe si do shkonin atje. E njëmbëdhjeta ishte Xhevairja. Ai e kundroi edhe një herë vajzën dhe foli:

– I fundit, ose qesh, ose qanë, por ty të ka ndritur fati, se kemi një vend bosh në gjimnaz dhe do të mbajmë këtu në qytet, – tha dhe përsëri ia nguli sytë.

Xhevairja, që si gjithë shoqet e saj, kishte prerë gërshetin e gjatë, dhe kaçurrelat e verdha ishin harbuar mbi ballë, në qafë, mbi sup e në harmoni me sytë e saj të shkruar dhe fytyrën bardhoshe, krijonin një portret vajze lozonjare e shumë tërheqëse, në kundërshtim me karakterin e saj të fortë prej labeje.

– Ju, vajzat që morët emërimin nëpër fshatra, tani mund të shkoni. Sigurisht një pjesë rruge mund ta bëni me makinë, por pjesën më të madhe do ta ngjitni në këmbë, ndërsa ti shoqja Xhevahire, do të sistemohesh në një dhomë tek pallati përballë seksionit, ku për momentin jeton një mamie. Besoj ajo dhomë do t’u mjaftojë.

– Shkojmë, pra, – tha ai dhe u drejtua shoqëruesve, – puna juaj mbaron këtu dhe u dha dorën.

– Të gjithë u ngritën dhe dolën, ndërsa ai thirri Xhevahiren të qëndronte, se do ta shoqëronte tek dhoma.

Ajo u hodh në qafë shoqeve dhe ngashëreu. Asaj u duk vetja më e mjerë e pse ishte në qytet, se nuk do kishte asnjërën shoqe.

– Ulu pak, sa të sistemoj disa dokumenta, – foli ai dhe bëri sikur rregulloi tavolinën e njëkohësisht filloi ta pyeste:

– Keni ndonjë komunist në familje?

– Jo… babanë e kam invalid. Ne jemi shumë fëmijë…!

– Mos u shqetëso, unë do të ndihmoj për çdo gjë, por edhe ti, duhet të më nderosh dhe të më dëgjosh.

– Faleminderit…!

Dolën dhe disa metra më tutje ishte pallati. U ngjitën lart dhe trokitën, por në vend të hapej dera e dhomës, doli komshija, një mesogrua.

– Kë kërkoni shoku…?

– Kjo shoqja ka ardhur nga Vlora dhe do të strehohet këtu bashkë me mamien.

– Ajo ka shkuar në punë, po le të vijë të rrijë tek unë gjer të vijë ajo.

– Meqë ke ardhur nga larg, pusho sot e nesër në mëngjes, do vish në zyrën time dhe do të prezantoj në shkollë…!

Shpesh befasohemi me surprizat e jetës dhe i ngazëllehemi fatit, por do të ishte më me fat të provoje vetë fatin mes vështirësive, sesa t’i detyrohesh gjithë jetën dikujt për mirësinë që të jep. Asnjëherë nuk mund të bëhen favore pa pasur një paramendim. Jeta është eksplorim, por kur bie drejt dhe në një pozicion që s’të duhet eksplorimi për të gjetur më të mirën e mundshme duke u kacavjerrë me duar dhe me thonj e kur ia del, ndjen atë kënaqësinë e ligjshme, që s’ta jep asnjë shërbim falas i kujtdo qoftë.

Gjithsesi le të themi se vërtet Xhevairja ishte me fat, kur mendon për shoqet e saj që ku do t’i zinte mëngjesi, s’do i zinte darka nëpër fshatra, se pasi mbaronin mësimin, do të drejtonin grupet e edukimit dhe kështu dita e tyre ishte shkollë, fshat, mbledhje… nëpër baltë, shi e borë…!

Ajo ishte edhe më me fat për komshien, e cila kishte dy fëmijë të mrekullueshëm dhe gjatë bisedës që bënë, ajo i tha se ishte shtatzënë me dy binjakë. Ditët kalonin dhe Xhevairja, vërtet e ndjente veten me fat që ishte në qytet, se në një seminar që u zhvillua për të dhënë orientime se si do veprohej në aksionin “Për zhdukjen e zakoneve prapanike dhe besëtytnive fetare”, takoi shoqet dhe si tregonin ato për vështirësitë dhe kushtet e tmerrshme të jetesës në këto fshatra, u ndje fatlume. Edhe komshia, që e priti atë ditë, sillej me të si të ishte mamaja e saj.

I shoqi i saj ishte instruktor në Komitetin e Rinisë së rrethit, njeri jashtëzakonisht i mirë dhe bujar. Tek po bisedonte një natë me të shoqen, ai i tha që Xhevairen ta fejonin me të vëllanë e tij, i cili jetonte me prindërit në lagjen tjetër, por nuk guxonin t’i thonin gjë, ndaj po prisnin momentin e përshtatshëm. Edhe djali, kishte rastisur aty, kur kishte ardhur Xhevairja për vizitë, se pothuaj çdo pasdite ajo, bashkë me maminë, shkonin dhe pinin kafe tek komshinjtë.

Një pasdite, tek po pinin kafenë, Besimi i tha Xhevaires:

– Kërkohet një kuadër në Komitetin e Rinisë që do të ngarkohej me drejtimin e organizatave të rinisë në rreth për aksionin e madh kundër zakoneve prapanike e besëtytnive fetare, ta bisedoj një herë me shokët e Partisë, që të vish ti, se më kanë thënë që je organizatore shumë e mirë.

– Si të dojë Partia, shoku Besim, unë jam gati t’i shërbej kudo qoftë.

Kishin kaluar disa ditë dhe Besimi nuk ia përmendi më ndërrimin e punës, por ajo që e befasoi Xhevahiren, qe ardhja e kryeinspektorit në shkollën e saj dhe bashkë me drejtorin e shkollës i shkuan kontroll.

Ishte e para herë që vinte kontroll nga Seksioni dhe vërtet u ndje disi e emocionuar. Ditarin e kishte bërë në rregull çdo ditë. Ajo kishte një shkrim jashtëzakonisht të bukur dhe vërtet gjatë kontrollit inspektori u mahnit. Mbaroi ora e mësimit dhe inspektori në të dalë i tha:

– Nuk kam kohë të bëj analizën e orës, por eja tek zyra pas mësimit…!

– Mirë, – foli ajo me gjysëm zëri duke vështruar nga drejtori i shkollës.

– Po, po duhet të shkoni, – tha, – se unë s’kam të drejtë të bëj analizën kur në kontroll është një nga seksioni i arsimit… po, ti mos u shqetëso, shumë mirë dole…!

Xhevahirja doli nga shkolla dhe mori rrugën për në zyrën e inspektorit. Ai ishte një burrë rreth të dyzetave, i martuar dhe me dy fëmijë, por që Xhevahirja s’dinte asgjë rreth tij. Që nga dita që kishte ardhur, e kishte ndeshur dy a tri herë në rrugë dhe vetëm e kish përshëndetur pa qëndruar ta takonte, ndërsa ai as që i kishte kthyer përshëndetjen, thua se nuk e kishte parë ndonjëherë.

Trokiti, por askush nuk u përgjigj. Trokiti sërish dhe dera u hap gjysëm dhe u dëgjuar një fije zëri: “Hyr”.

Xhevahirja u kthye në brinjë dhe u fut brenda. Pas saj ndjeu derën që u mbyll me çelës. Instinktivisht u kthye të dilte, por vështrimi i tij e ndali duke i thënë se do të mbaronin shpejt. Si të bënte? Po, çfarë do bënte? Ajo i detyrohej atij për mundësinë e punës, ndaj dhe heshti, por asnjë çast nuk e ngriti kokën për ta vështruar drejt.

– Nxirre bllokun dhe shëno vërejtjet…!

– Po, – foli ajo si zog i trembur.

– Mos mendoni se jeni e zonja të jepni mësim në gjimnaz, por mundësia që të dhashë, duhet justifikuar zyshe…!

– Unë jam munduar t’a justifikoj me punë. Edhe drejtori ka mbetur i kënaqur…!

– Ju kishit një shkrim të bukur, siç jeni edhe vetë…!

– ……………

– Pse nuk e ngre kokën, – foli ai duke u ngritur nga karrigja dhe e zuri për mjekre dhe e ngriti lart derisa sytë u takuan.

Dy palë sy: një palë të egër si ujk i uritur dhe një palë si qengj i trembur. Ajo nuk po kuptonte çfarë po ndodhte, por që diçka e papërballueshme po krijohej, ndaj ajo u ngrit nga korrigja dhe u drejtua nga dera.

– Më duhet të iki shoku inspektor…!

– Sot do të lë të ikësh, por nëse nuk vjen për të ndenjur me mua, kur të vij herën tjetër, dije se ke për të përfunduar përtej shoqeve.

– Të lutem hapeni derën, se u bëra vonë e shqetësohet shoqja e dhomës.

Ai u ngrit dhe rrotulloi çelësin ngadalë dhe kur Xhevahirja po dilte, e zuri prej krahu dhe i tha:

– Ti më pëlqeve sapo të pashë atë ditë. Unë të dhashë një shans… po dite shfrytëzosh atë.

Ajo u përgjigj me heshtje. Minutat u dukën shekuj. Ai rrotullim çelësi i dukej sikur po e mbyllte në qeli. Më në fund dera u hap dhe u ndje e lirë. Vrapoi drejt dhomës së saj, por shoqja ende s’kishte ardhur, ndaj trokiti tek komshia. Donte dikë t’i rrëfehej. Po kujt t’i besonte? Ajo ende ishte ajo vajza e Pedagogjikes, ku shpirtin e kishte të bardhë, pa gjurmë dhembjeje, të virgjër siç ishte edhe vetë. Tronditja qe e madhe dhe s’kishte si t’i shpëtonte syrit të komshies.

– Xhevo, ke ndonjë hall?

– Jo, pse më pyet?

– Se si më dukesh sot…?!

– Jam pak e lodhur, se kisha kontroll nga Seksioni Arsimit…!

– Cili ishte nga ata?

– Kryeinspektori.

– Nuk e tregojnë burrë të mirë…

– Pse?

– Ai të shuan pishën…!

– Si ta kuptoj këtë…?!

– Ka në dorë çdo gjë, ai vendos për çdo gjë në Seksionin e Arsimit… Thonë që edhe i përdor mësueset…! Memorie.al

G.MO/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • S k: 23/01/2023 18:05

    Shkrim nuk esht fare sakt mendoj se eshte ndertuar na baz thashe themeve ashtu si margjinizua nga thash e themet un qe shkruaj kate koment te dy personazbe l kami kam njour vet ishin me dinjitet dhe personalitet qe gezibin respektin e njezeve

    Përgjigju
  • Z.K.: 23/01/2023 13:11

    Unë kujtoj se kjo ngjarje ka ndodhur pas viteve '70,dhe u tha se ky person e kishte të fejuarën e vëllait,dhe kjo vajzë ra pre e thashethemeve.Dhe u zhvillua një propogandë e madhe nga Partia-Luftë të ashpër kundër thashethemeve.Besoj se ky është rasti që mbaj mend unë.

    Përgjigju
  • TITI: 23/01/2023 11:01

    Te thuash gjerat reale eshte e drejte por jo ti shtosh e ti shtremnerosh

    Përgjigju
  • A. N.: 23/01/2023 08:55

    Mbaj mend qe jane denuar persona vetem sepse kishin grate e bukura. Keta njerez kemi qene dhe vazhdojme te jemi. Drejtuesa langaraqe qe burojne nga nje popull po i tille dhe qe i meriton.

    Përgjigju
    • Populli: 24/01/2023 01:09

      E vertet

    • Bashkekohesi: 23/01/2023 10:12

      Pavaresisht gjinise se shkrimit,sajesave te autores, perderisa flitet per nje njeri real, sajesat kane nje kufi. Xhevairja ishte nje vajze me shume personalitet dhe qe gezonte me te drejte simpatine e njerezve. Ajo u nda nga jeta ne rrethana te cuditshme, jo ne 1967, sic thote autorja, por ne 1969.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë