Duke u nisur nga krahasimet shifrore, mund të thuhet se gjobat pritet të dhjetëfishohen. Këtë gjë e pohoi edhe ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, në konferencën e përbashkët për sigurinë rrugore, të zhvilluar ditën e djeshme me ministren e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni. “Shqiptarja.com” sjell për lexuesin ndryshimet që parashikohen në Kodin Rrugor, për sa i përket kësaj çështjeje.
Degëzimet
Në draftin paraprak të projektligjit për ndryshimin e Kodit Rrugor parashikohet që gjoba për ndryshime e degëzime në rrugë apo për hapjen e degëzimeve të reja, në mënyrë të paligjshme, të jetë nga 100 mijë lekë deri në 400 mijë lekë. Kjo parashikohet në pikën 1, të Nenit 7 të draftit të projektligjit për ndryshimin e Kodit Rrugor. Aktualisht, sipas pikës 11, të Nenit 22 “Hyrje dhe degëzime”, të Kodit Rrugor”, gjoba për ndryshimin apo hapjen e degëzimeve të rrugëve në mënyrë të paligjshme është 10 mijë deri në 40 mijë lekë. Ndërkaq, sipas Neni 22, masat për të rikthyer rrugën në gjendjen e mëparshme ( që do të thotë se subjekti, i cili e ka kryer ndryshimin e rrugës në mënyrë të paligjshme, duhet të paguajë për këtë), nuk zbatohen nëse ato rregullohen nëpërmjet një autorizimi përkatës. Në draftin e projektligjit, kjo alternativë ligjore pritet të hiqet.
Pra, për një rrugë, tek e cila është bërë një ndërhyrje e paligjshme, nuk do të jetë më opsioni për të lëshuar një autorizim, sipas të cilit, ndryshimet e ndërmarra do të ligjëroheshin. Në pikën 12, të Nenit 22, gjobat për shkeljen e normave të këtij Neni janë nga 2500 lekë deri në 10 mijë lekë. Sipas pikës 2, të Nenit 7, të draftit të projektligjit gjobat për këtë parashikohen të rriten nga 25 mijë lekë deri në 100 mijë lekë
Reklamat
Aktualisht, nëse vendosen reklama, te cilat janë në kundërshtim me Nenin 23 “Reklamat në rrugë dhe mbi mjetet rrugore”, sipas pikës 11 të këtij Neni, gjoba që duhet paguar është nga 25 mijë lekë deri në 100 mijë lekë. Kjo masë pritet të rritet duke variuar nga 100 mijë deri në 400 mijë lekë, sipas Nenit 8, të draftit të projektligjit.
Pjesët e Rrugës
Për të shfrytëzuar pjesë të ndryshme të rrugës, në disa raste nevojitet pajisja me leje. Nëse ky shfrytëzim kryhet pa u pajisur me lejen e kërkuar nga ligji, atëherë sipas pikës 6, të Nenit 24 “Pjesët që i përkasin rrugës”, gjobitesh me 5 mijë lekë deri në 20 mijë lekë. Në draftin e projektligjit, sipas pikës 1, të nenit 9, kjo masë parashikohet të rritet nga 50 mijë lekë deri në 20 mijë lekë. Ndërkaq, nëse shfrytëzimi i pjesës së rrugës kryhet në kundërshtim të lejes së dhënë, sipas pikës 7, të Nenit 24, gjobitesh me 2500 deri në 10 mijë lekë. Kjo masë parashikohet të rritet në 25 mijë deri në 100 mijë lekë, sipas pikës 2, të Nenit 9, të drafti të projektligjit.
Shkrimi u publikua sot (22.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)