Masat anti COVID, Kushi: Sezoni i provimeve të zgjatet në 45 ditë, mungesat online të mos penalizojnë studentët, jo më shumë se 15 vetë në klasë

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, në një deklaratë për shtyp ka bërë me dije se ka kontaktuar me Komitetin Teknik të Ekspertëve në lidhje me zhvillimin e sezonit të provimeve, ku ka kërkuar që të zgjatet në 45 ditë duke pasur parasysh situatën e pandemisë në të cilën jemi.

Duke qenë se anëtarët e këtij Komiteti, iu përgjigjën pozitivisht kësaj kërkese dhe disa shqetësimeve lidhur me një proces kaq të rëndësishëm siç është përmbyllja e një semestri akademik, Kushi u bën thirrje të universiteteve që lëndët për të cilat provimi nuk mund të zhvillohet online, ta zhvillojnë në klasë, por me jo me më shumë se 15 nxënës. Kushi theksoi se mungesat duhet të mos penalizojnë studentët dhe se kohëzgjatja e provimit të jetë jo më shumë se 1 orë.

Universitetet sipas Kushit duhet të marrin parasysh kërkesën e studentëve për të mos marrë pjesë në sezon për shkak të pamundësisë dhe atyre që s'do marrin pjesë duhet t'u ofrohet mundësia e një sezoni të ndërmjetëm.

"Prandaj, para pak ditësh, bazuar në kërkesat e vazhdueshme të studentëve dhe pedagogëve, si dhe pas një takimi të gjatë me rektorët e të gjitha universiteteve, publike dhe jo-publike, i kam drejtuar një kërkesë Komitetit Teknik të Ekspertëve, për të vlerësuar propozimet e tyre mbi mënyrën e zhvillimit të provimeve të sezonit të dimrit. Që në fillim, dua të falenderoj maksimalisht të gjithë anëtarët e këtij Komiteti, të cilët me shumë mirëkuptim dhe përkushtim, iu përgjigjën pozitivisht shqetësimeve tona të përbashkëta lidhur me një proces kaq të rëndësishëm siç është përmbyllja e një semestri akademik.  Prandaj, që nga ky moment, duke qenë se përgjegjësia jonë e përbashkët është shumë e lartë, për të garantuar një proces të rregullt, ku natyrisht prioriteti absolut është shëndeti dhe jeta e gjithsecilit, do të kërkoja nga të gjitha universitetet:  

Së pari, në ato raste kur provimi i lëndës është e pamundur të zhvillohet “online”, për arsye të specifikave të lëndës, sipas vlerësimit të vetë universiteteve, provimi mund të zhvillohet në auditore, duke respektuar me korrektësi maksimale zbatimin e protokolleve anti-COVID; Së dyti, universitetet të shohin mundësinë për t’i dhënë të drejtën studentëve të vendosin nëse do të marrin pjesë apo jo në këtë sezon, në varësi të mundësisë apo pamundësisë të tyre për arsye që lidhen me pandeminë. Të gjithë studentëve që nuk do të marrin pjesë në këtë sezon, t’u ofrohet mundësia e një sezoni shtesë të ndërmjetëm, në varësi të përmirësimit të situatës së pandemisë; 

Së treti, sugjerojmë që kohëzgjatja e sezonit të jetë më shumë se 45 ditë, për të mundësuar distancë midis provimeve dhe për të parandaluar mbipopullimin e mjediseve të universiteteve. Kjo do t’i ndihmojë edhe studentët që të kenë më shumë kohë për t’u përgatitur në këto provime;  Së katërti, sugjerojmë që mungesat e studentëve në leksionet apo seminaret “online” të mos i penalizojnë ata për pjesëmarrje në provime, duke vlerësuar vështirësitë objektive që mund të kenë pasur një pjesë e studentëve gjatë kësaj periudhe;  Së pesti, e konsideroj shumë të rëndësishme të sjell edhe një herë në vëmendjen tuaj garantimin e kushteve për të minimizuar riskun e infektimit për studentët, pedagogët dhe të gjithë stafet universitare. Kjo nënkupton që:

Ndarja e studentëve të bëhet në grupe dhe orare të ndryshme; Numri i studentëve në sallë të jetë jo më shumë se 15 veta, duke garantuar distancën e nevojshme;
Kohëzgjatja e provimeve të jetë jo më shumë se një orë, Mbajtja e maskës të jetë e detyrueshme; Higjenizimi i mjediseve të bëhet në mënyrë të vazhdueshme dhe sidomos për sallat, para dhe pas çdo provimi", tha Kushi.

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka prezantuar ditën e sotme masat e reja, të cilat erdhën si pasojë e rritjes së rasteve ditore. Nisur nga ulja e grupshmoshave të të prekurve, është marrë vendimi që shkollat e mesme në 10 bashki që janë cilësuar si me rrezikshmëri të lartë, të kalojnë në skenarin e tretë, pra të bëjnë mësimin online. Nga ana tjetër, pavarësisht kërkesës së studentëve për t’u rikthyer në auditore, Ekspertët kanë deklaruar se një gjë e tillë nuk është e mundur. Megjithatë, për të lehtësuar këtë proces, ato kanë vendosur që të zgjasin sezonin e provimeve, me qëllim që testet që nuk mund të bëhen online të zhvillohen në klasa. Sezoni ministrja Kushi tha se do zgjatet në 45 ditë.

Ndërkaq  duke nisur nga nesër, Shqipëria do të mbyllet në orën 20:00 dhe jo në 22:00, siç është aktualisht, këtu përfshihet lëvizja e qytetarëve dhe mbyllja e bareve dhe restoranteve. Këto masa do të jenë në fuqi deri më 25 shkurt, 2 javë vendimtare i ka cilësuar ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastiliu, pasi në varësi të respektimit të këtyre  rregullave do të përcaktohet nëse do të ketë shtim të masave apo lehtësim të tyre në vijim.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • LORA: 10/02/2021 15:45

    Sezonet normale te provimeve zgjasin kater jave.Zgjatja me dy jave e ben plotesisht te mundur organizimin e tyre ne audotor ,brenda parametrave te mbrojtjes,duke shfrytezuar te shtate ditet e javes. Te tjerat jane qurravitje te pa-pranushme. TUNG.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Fusha e mbetjeve përfshihet përsëri nga flakët, zjarrfikësit drejt vendngjarjes!

Vlorë/ Fusha e mbetjeve përfshihet përsëri nga flakët, zjarrfikësit drejt vendngjarjes!