Në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik, policia e shtetit ka hartuar një plan të gjerë masash, me qëllim krijmin e kushteve sa më të mira të sigurisë për pushuesit shqiptarë dhe të huaj në zonat turistike.
Punonjës të policisë së Shtetit janë angazhuar për mbarëvajtjen e sezonit turistik 2023, të cilët do të jenë të përqendruar në të gjitha zonat bregdetare dhe nw pikat turistike.Në kuadër të mbarëvajtjes së sezonit turistik, punonjësit e Policisë, nga Velipoja në Ksamil, janë angazhuar maksimalisht për sigurinë e pushuesve.
Drejtori i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë Publike në DPPSH, Drejtues i Lartë Rebani Jaupi, ka inspektuar qarkun Durrës, për të parë në terren, zbatimin e masave të ndërmarra nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, për sezonin turistik.
Jaupi, i shoqëruar nga Drejtori i DVP Durrës Skëndër Hita dhe nga Drejtori i DVKM Durrës Luan Arifaj, iu ka kërkuar punonjësve të Policisë të angazhuar gjatë sezonit turistik, performancë, përkushtim dhe vigjilencë, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur fenomenet që cenojnë sigurinë e pushuesve, për t’iu ardhur në ndihmë turistëve, vizitorëve dhe qytetarëve, në rast nevoje, si dhe për t’iu ofruar qytetarëve një shërbim sa më cilësor.
Njëkohësisht, ai ka kërkuar koordinim të veprimeve mes stukturave vendore dhe atyre kufitare, koordinim i cili do të sjellë kontroll më të mirë të vijës bregdetare dhe rritje të parametrave të sigurisë për pushuesit.
Drejtues Jaupi ka apeluar nga Durrësi, për administratorët e subjekteve që ushtrojnë aktivitetet përgjatë vijës bregdetare apo në zonat urbane, që të respektojnë orarin e muzikës, të mos krijojnë shqetësime për pushuesit dhe banorët, sepse Policia është e vendosur në zbatimin e ligjit, për të sekuestruar pajisjet muzikore dhe për të proceduar penalisht shtetasit përgjegjës për prishjen e qetësisë publike.
“Policia e Shtetit ka marrë masa për rregullimin e trafikut, ndaj iu bëj thirrje të gjithë përdoruesve që të zbatojnë më korrektësi Kodin Rrugor, sepse të gjitha akset monitorohen me radarë dhe makina inteligjente”, ka theksuar Jaupi.
Gjithashtu, Jaupi ka theksuar se Policia, krahas masave për sezonin turistik veror, është e angazhuar maksimalisht për parandalimin dhe goditjen e tentative për kultivim të bimëve narkotike dhe në këtë kuadër çdo ditë vijon kontrolli i territorit, për evidentimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Në fund, ai ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë edhe më shumë me Policinë, duke adresuar rastet e paligjshmërisë që ata hasin, duke qenë se në ato raste kur ka patur bashkëpunim mes Policisë dhe qytetarëve, rezultatet kanë qenë shumë pozitive.
Gjatë inspektimit në portin e Durrësit, Drejtori i DVKM Durrës Luan Arifaj e ka njohur Drejtor Jaupin me masat e ndërmarra jo vetëm për sezonin turistik veror, por edhe me masat e ndërmarra që në muajin janar, duke qenë se numri i turistëve dhe i vizitorëve ka qenë i lartë që në fillim të vitit.
Arifaj ka theksuar se krijimi i Njësisë Policore Detare ka ndikuar shumë pozitivisht në rritjen e forcës goditëse të Policisë Kufitare dhe në rritjen e parametarve të sigurisë për pushuesit.
Gjatë kësaj periudhe, janë ndëshkuar me masa administrative drejtuesit e dhjetëra mjeteve lundurese, kryesisht mjeteve lundruese për argetim (skaf, gomone), për mungesë dokumentacioni, si dhe janë bllokuar 60 mjete të tilla që janë konstatuar në paligjshmëri ose në cenim të perimetrit të sigurisë.
Arifaj ka ftuar qytetarët që të denonojnë në numrin pa pagesë 112, çdo rast të shkeljes së ligjit që ata konstatojnë në bregdet ose në tërminalet e pasagjerëve, duke iu ofruar shërbim korrekt dhe të shpejtë.
Inspektimi ka vijuar në plazhet e Durrësit, ku drejtori i DVP Durrës Skënder Hita ka bërë apel për moszaptimin e hapësirave publike, duke theksuar se në bashkëpunim me Policinë Bashkiake vijon operacioni policor i koduar “Plazh i lirë”, për lirimin e hapësirave publike, si dhe vijon kontrolli për parandalimin e ndotjes akustike. Deri tani janë evidentuar 21 raste të këtyre paligjshmërive dhe janë proceduar penalisht administratorët e subjekteve që kanë prishur qetësinë publike duke vënë muzikë të lartë apo kanë zënë hapësirat publike duke vënë çadra dhe shezlongë.
Hita ka theksuar se për sezonin turistik është mbështetur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me shërbimet të Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH). Inspektimi nga drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, në terren, për zbatimin e masave për sezonin turistik, do të vijojë përgjatë gjithë vijës bregdetare dhe në zonat turistike.