Fatmir Xhafaj dha të parin reagim nga kampi socialist për masën e sigurisë që u lëshua për drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni.  Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës për rënien e shtetit, ai tha se institucionet po bëjnë detyrën e tyre dhe se kjo është shenjë e forcimit të shtetit të së drejtës.

“Keni të drejtën e fjalës dhe të gjykimit qoftë nga këndvështrimi i opozitës, qoftë personal, u folët për institucionet, por në fakt çdo institucion ka detyrën dhe përgjegjësinë e vet. Institucionet e drejtësisë penale kanë funksion ndjekjen penale ne kemi detyrën tonë si ligjvënës për kontrollin parlamentar. Sa i përket fjalisë “institucionet arrestojnë njëri-tjetrin”, institucionet nuk arrestojnë individët, institucionet bëjnë detyrën, konform ligjit. Dhe kjo është shenjë e pjekurisë së demokracisë, e forcimit të shtetit të së drejtës, tregues i pjekurisë së institucioneve. E kundërta do të ishte e vërtetë, atë që kemi parë për 30 e ca vjet në këtë vend. Kjo që po shohim sot është ajo që ndodh rëndom në botën normale në vendet demokratike ku vepron shteti i së drejtës. E shohim në SHBA. Fenomene të tilla janë normale për një shtet të konsoliduar për një shtet të së drejtës. Nëse ka çështje që mbi këtë bazë, që duhet reflektuar, jam shumë dakord, nëse kjo lidhet me komisionin tonë, ulemi si kryesi e komisionit, nëse lidhet me ne, unë nuk e shoh të jetë e lidhur me ne si komision drejtpërsëdrejti, apo me ndonjë komision tjetër, apo ka diçka kuvendi, unë dhe kolegët jemi të gatshëm të vlerësojmë propozimet tuaja. Ne nuk zëvendësojmë institucionet e drejtësisë, ata bëjnë punën e tyre ne punën tonë, pavarësisht cilat janë emrat”, tha Xhafaj.


Lajmi kryesor:

Arresti për drejtoreshën e SHISH, PD thirrje Begajt: Mblidh Këshillin e Sigurisë, u faktuan akuzat tona, të dorëhiqet Rama! PS: Pasojë e shtetit të së drejtës (REAGIMET)