Emigrantët shqiptarë do të kualifikohen dhe certifikohen për profesionin që ata ushtrojnë prej vitesh në vendin ku edhe janë emigrantë, por që aktualisht nuk iu njihet. Të paktën kështu premton Agjencia e Arsimit dhe Formimit profesional në vend, e cila premton se do t'ju mundësojë emigrantëve, por edhe personave të tjerë që pas një kursi kualifikimi, ata të pajisen me një dokument, i cili do të njihet zyrtarisht si në Shqipëri po ashtu dhe në shtetin ku ata punojnë, duke ju sjellë përfitime këtyre të fundit nga politikat që kanë shtetet përkatëse për profesionistët. "Synimi i kësaj marrëveshje është të integrohen gjithmonë e më tepër njerëz të cilët janë profesionistë, kanë punuar për një kohë të gjatë në profesion, por ju mungon certifikimi i duhur.

Kjo është veçanërisht problematike për emigrantët që kanë punuar me dekada me radhë në Itali, në Gjermani, etj, që e njohin shumë mirë profesionin, por ju mungon certifikimi. Ndaj edhe në synojmë t'i japim fund pikërisht këtij ngërçi. Me diplomimin apo certifikimin e tyre do të bëhen edhe marrëveshjet reciproke në kuadër të sistemit të Bolonjës dhe Sistemi të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve", - ka shpjeguar për mediat Ilir Kalemaj, drejtor i Agjencisë së Arsimit dhe Formimit Profesional. Më tej ai shpjegon se certifikimi i profesioneve nëpërmjet kurseve të posaçme do të nxisë të rinjtë të arsimohen në profile për të cilat tregu i punës ka nevojë. Sipas tij, sot gjithnjë e më shumë po rritet interesi për profesione të mirëfillta që lidhen me shërbimet në komunitet si hidraulik, mekanik apo ata që merren me bujqësinë.

"Shërbimi i mjeteve të transportit është një nga degët më të kërkuara për sa i përket shkollave profesionale. Po ashtu shkolla të tilla si mekanik, hidraulik. Shkollave bujqësore po u jepet gjithnjë e më tepër vëmendje"- ka shpjeguar Kalemaj, sa u përket degëve të shkollave profesionale që preferohen nga tregu i punës.

Profesionalet
Aktualisht ministria e Arsimit është drejt përfundimit të strategjisë kombëtare për arsimin profesional në vend, 2013-2020. Krahas kurseve në të synohet që rreth 30% e nxënësve që mbarojnë arsimin 9-vjeçar të ndjekin atë të mesëm profesional në shkollat e posaçme. Por shkollat në vendin tonë deri këtë vit kanë qenë pa libra. Deri tani, nxënësit për lëndë specifike që lidhen drejtpërdrejt me profesion që ata kanë zgjedhur kanë mbajtur shënime, në mungesë të librave shkollorë. Drejtuesit e arsimit profesional në vend thonë se tekstet kanë munguar pasi kërkesat për profesione të ndryshme në këto shkolla kanë qenë të pakta, ndërkohë që tekstet kishin një kosto që shkonte dëm. Tekstet u përkasin profesioneve që lidhen me mekanikën, ekonomikun dhe turizmin. "Një pjesë e mirë e këtyre teksteve janë tekste të integruara, që përfshijnë profile dhe drejtime nga më të ndryshmet për shembull baza e mekanikës, apo tekste ekonomia, bazat e sipërmarrjes. Pra, janë tekste që mund të përdoren në një sërë profilesh dhe në një sërë drejtimesh", - shpjegon Ilir Kalemaj, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional.

MASTERI

Fituesit, ja dokumentet që duhet për t'u regjistruar

Aplikantët fitues të studimeve master kanë nisur procesin e regjistrimit. Fakultetet kanë njoftuar fituesit se duhet të paraqiten pranë sekretarisë së fakultetit për të bërë regjistrimin nga data 21 tetor 2012 deri 25 tetor 2012. Dokumentet që duhet të paraqiten janë: Diploma Origjinale e Ciklit të parë të studimeve shoqëruar me listën origjinale të notave; Dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje e dokumentit të identitetit; Dy fotografi për dokument; Mandati i arkëtimit për tarifën e aplikimit prej 2500 lekë si dhe deklarata e mosndjekjes së një programi tjetër master i shkencave/ master profesional në institucionet e arsimit të lartë publik.

Shkrimi u botua ne numrin e sotem te se perditshmes SHQIPTARJA.com


(Gre.M/Shqiptarja.com)