Lorenc Muçalliu, 35 vjeç ka rënë në prangat e policisë së kryeqytetit. I riu në bashkëpunim me katër të tjerë ( të gjithë pjesëtarë të grupit të të shumëkërkuarit po për mashtrim, Florian Gjergji) mashtruan kambistin nga Shkodra duke i marrë 40 mijë euro.
Autorët e morën 55-vjeçarin në aplikacionin Viber me një numër të paregjistruar duke iu prezantuar si miku i ngushtë i Tonin Marinajt, kryetarit të bashkisë në Malësi e Madhe. Të arrestuarit i kërkuan paratë, me pretendimin se do ua çonin Marinajt dhe do ia kthente brenda pak ditësh.
Sipas dëshmisë së biznesmenit, paratë ua ka dhënë me mirëbesim dhe në mbrëmje pasi ka marrë Tonin Marinajn në telefon për ta pyetur nëse i kishte marrë paratë, ka kuptuar se ishte mashtruar. Pasi bëri kallëzimin në polici, autorët u identifikuan nga kamerat e një biznesi pranë Rinasit, ku edhe ishin dhënë paratë.
“Në vijim të operacionit të koduar “Skema”, u vu në pranga shtetasi i shpallur në kërkim, L. M., 35 vjeç, banues në Divjakë. Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me 4 shtetas të vënë në pranga më parë, i kanë marrë një 55-vjeçari shumën prej 40 000 eurosh, duke e mashtruar nëpërmjet mesazheve elektronike, se ishin të njohur të tij”, njoftoi sot policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente







