Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim, gjatë 2 operacioneve kundër mashtrimit dhe vjedhjes, të kryera nga Policia e Tiranës.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se në operacionin “Shuma”, dy persona, shtetasit Brian Serica dhe Skerdi Meta u arrestuan dhe një tjetër u shpall në kërkim pasi mashtruan një 70-vjeçar dhe i morën 100 mijë euro.
Ata përdorën inteligjencën artificiale për t’ju prezantuar të moshuarit, që ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave, si të njohurit e tij. Mësohet se ata kanë përdorur imazhin e biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj (të krijuar me AI), për të arritur objektivin e tyre. "Jam Bashkim Ulaj, jepi 100 mijë euro", dyshohet të jenë fjalët e gjeneruara me AI, të cilat bindën të moshuarin që të dorëzonte paratë.
Ndërkohë në operacionin “Imazhi”, u prangos 37-vjeçari Gentian Bufazi, i shpallur në kërkim, i dyshuar për mashtrime dhe vjedhje në disa biznese në Tiranë.
Materialet procedurale për të dyja rastet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme hetimore.
Njoftimi i Policisë:
DVP Tiranë/Finalizohen gjatë 24 orëve të fundit, 2 operacione kundër krimeve ekonomike për zbardhen e raste me pasoja në fushën e mashtrimit dhe të vjedhjes.
Në njërin prej rasteve, autorët kanë mashtruar një shtetas duke përdorur inteligjencën artificiale, gjatë komunikimit.
Si rezultat i veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, si dhe nga shërbimet e Komisariateve të Policisë Nr. 1 dhe Nr. 2, pas kallëzimeve të disa qytetarëve për raste mashtrimi dhe/ose vjedhjeje në subjektet e tyre, u finalizuan, në 24 orë, 2 operacione për zbardhjen e këtyre krimeve dhe nxjerrjen e autorëve të tyre përpara përgjegjësisë penale. Konkretisht:
-Në kuadër të operacionit të koduar “Shuma”, u arrestuan shtetasit B. S., 31 vjeç, dhe S. M., 23 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. H., 31 vjeç.
Këta shtetas, duke përdorur inteligjencën artificiale dhe duke iu prezantuar një 70-vjeçari, përmes mesazheve, si të njohur të tij, e kanë mashtruar 70-vjeçarin që ushtronte aktivitetin e këmbimit të valutave dhe i kanë marrë 100 000 euro me justifikimin se do t’ia kthenin pas disa orësh. 70 vjeçari, pasi nuk ka marrë shumën e dhënë në orën e premtuar, ka njoftuar menjëherë Policinë.
Operacioni vijon për kapjen e shtetasit R. H., si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasit që ka shkuar te subjekti i 70-vjeçarit dhe ka marrë shumën e eurove, si dhe të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.
-Në kuadër të operacionit të koduar “Imazhi”, u kap dhe u ndalua shtetasi i shpallur në kërkim, G. B., 37 vjeç, i cili dyshohet se:
-më datë 14.08.2026, ka marrë 20 000 lekë, në 2 biznese, në rrugët “Brigada VIII” dhe “Teodor Keko”, duke mashtruar punonjësit se ishte i njohur i pronarëve të subjekteve dhe se do t’ua kthente paratë menjëherë, ndërsa më datë 21.08.2026, ka vjedhur një çantë me 25 000 lekë brenda, në një subjekt në rrugën “Skënder Luarasi”.
Vijon hetimi për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht veprimtaritë kriminale të 37-vjeçarit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Shtetit apelon për qytetarët dhe administratorët e subjekteve që të tregojnë vigjilencë dhe kujdes të shtuar ndaj rasteve të mashtrimit, si dhe që në asnjë rast të mos japin para ose të dhëna shtetasve të paverifikuar që i kontaktojnë në mënyra të ndryshme përfshi dhe videot e krijuara me inteligjencë artificiale.
Gjithashtu, Policia e Shtetit fton për denoncim të menjëhershëm të çdo dyshimi, personi të dyshuar, indicieje apo rasti kur bien pre e veprave penale në këtë fushë, pasi vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të shpejtë dhe të ngushtë mundësohet identifikimi dhe kapja e autorëve, si dhe mbrojtja e pronës dhe pasurisë së qytetarëve.
-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Krimi Ekonomik pranë policisë së Tiranës ka arritur që të godasë grupin e mashtrimit që arritën ti merrnin 100 mijë euro 70-vjeçarit.
Ky i fundit kishte një pikë këmbimi valutor dhe kishte njohje me biznesmenin Bashkim Ulaj. Autorët e dyshuar i kanë shkruar 70-vjeçarit në emrin e Ulajt dhe gjatë bisedës e kanë marrë me videocall.
Biseda me video ka zgjatur pak sekonda ku përmes inteligjencës artificiale kambistit i ka dalë fytyra e biznesmenit Ulaj.
Në këto kushte 70-vjeçari është bindur se 100 mijë eurot ia kërkonte biznesmeni dhe i ka dorëzuar. Pas disa orësh kambisti ka telefonuar numrin që kishte folur, por autorët i kishin bërë bllok.
70-vjeçari më pas ka marrë në telefon numrin e Bashkim Ulajt, i cili i ka thënë se nuk kishte dijeni. Pas kallëzimit, Krimi Ekonomik pranë policisë së Tiranës nisi hetimet ku përmes kamerave të sigurisë të personit që mori paratë arriti që të lokalizonte edhe mjetin që përdorën autorët, mjet që rezultoi i marrë me qira. Ndërkohë më pas blutë arritën të identifikojnë autorët, të cilët janë nga Elbasani.










Komente
Komento