Një skemë mashtrimi, me protagonist të gjithë rrjetin e kompanisë së njohur TIBO, është zbardhur nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka dërguar në gjyq biznesmenin Adnand Mahmuti dhe 5 persona të tjerë, administratorë e pronarë kompanish.
Pas një hetimi gati 3-vjeçar, prokurorët Ndini Tavani dhe Mirela Zavalani, kanë konkluduar se Adnan Mahmuti, pronar dhe administrator i kompanive “Magoware”, “Tibo”, “Tibo AL”, “Tibo Communication” dhe “Oversport”, të njohura për transmetimet televizive, sidomos të ndeshjeve sportive, ka ngritur në bashkëpunim edhe skema evazioni fiskal dhe pastrimi parash.
Hetimi nisi në vitin 2023, kur Mirlinda Heidorn, një biznesmene shqiptaro-gjermane kallëzoi për mashtrim Mahmutin. Ky i fundit i kishte kërkuar Heidorn një hua prej 2.2 milionë eurosh, të përfituara nga sipërmarrësja prej shitjes së një pasurie të paluajtshme.
Qëllimi sipas Mahmutit ishte se së bashku me ortakun e tij në “Magoware”, Saimir Gora, t’i investonin. Para hua u dhanë me kontratë dhe qëllimi ishin dy projekte, “Supercapital Italia” dhe “Oversport” shpk për transmetimet e sezoneve futbollistike të kampionatit italian Seria A dhe eventeve të tjera.
Por prokuroria doli në përfundimin se Adnand Mahmuti thjesht kishte mashtruar. Ai shfrytëzoi marrëdhënien miqësore me Mirlinda Heidorn por edhe imazhin që i jepte fakti se ishte pronar i 5 kompanive të fuqishme, për të mos ia kthyer asaj paratë, apo edhe interesat që ishin shkruar në kontratë.
Prokurorët thonë se kompanitë që sipas kontratës do të merreshin me investimin e premtuar i kishin paratë për ta shlyer borxhin por nuk e kanë bërë këtë. Jo vetëm kaq thotë prokuroria por edhe firmat ‘Tibo Communcations’ dhe ‘Tibo AL’, apo edhe shoqëritë e tjera të lidhura me to kishin goxha mundësi financiare.
Në këtë mashtrim, për të cilin që në korrik 2023 gjykata kishte vendosur sekuestrim të disa kompanive të përfshira, përveç Mahmutit dhe ortakut të tij te “Magoware” dhe firma të tjera, Saimir Gora kanë marrë pjesë edhe administratorja e atëhershme e “TIBO AL” Blerina Kapaj, administratoret e “Oversport”, Mirela Guri dhe Blerina Kota, si dhe administratori i “Tibo Communications”, Mirgen Zaçellari. Të gjatë akuzohen se kanë marrë pjesë në realizimin e mashtrimit përmes veprimeve duke penguar kthimin e shumës së përfituar në mënyrë të kundërligjshme. Sipas prokurorisë ata kishin dijeni të plotë për natyrën mashtruese të veprimeve të tyre.
Nga hetimet rezultoi gjithashtu se të gjashtë të akuzuar për mashtrim, së bashku me pesë kompanitë kanë bërë evazion fiskal duke feshur të ardhurat dhe nuk kanë paguar taksat.
Një ekspertim kontabël i vitit 2022 konkluzoi se “TIBO” e Adnand Mahmutit ka deklaruar rritje të madhe të gjoja detyrimeve, pa dokumentacion. Ai fshihte të ardhurat reale në TIBO duke shmangur pagimin e tatimeve përkatëse. Të njëjtën skemë kanë përdorur edhe kompanitë e tjera.
Por TIBO s’ka mbetur vetëm me kaq sipas prokurorisë por ka bërë edhe pastrim parash. Kompania ka kryer transferime të shumta dhe të paarsyetuara ndërmjet firmave të tjerë të rrjetit. Mes transferimeve, një borxh i dhënë prej rreth 4 milionë eurosh (383.158.664 lekësh) nga TIBO drejt “Oversport”, pa faturim tatimor dhe pa pasqyrim në bilancet financiare si të drejtë arkëtimi. Prokuroria thotë se vlerat kanë qarkulluar jashtë sistemit bankar, kryesisht në cash dhe janë shpërndarë ndërmjet shoqërive të lidhura, me qëllim fragmentimin egjurmëve financiare dhe vështirësimin e identifikimit të origjinës së shumave që rrjedhin nga mashtrimi dhe fshehja e të ardhurave.
Rrjeti i kompanive TIBO e Adnand Mahmutit janë akuzuar më herët edhe për pirateri televizive dhe në dhjetor 2023, Autoriteti i Mediave Audiovizive i ka hequr licencën.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë
Komente












