Një operacion i pazakontë policor, i lidhur me atmosferën e Kupës së Botës, ka çuar në arrestimin e një trafikanti droge në Peru. Oficerë të Policisë Kombëtare Peruane përdorën një strategji origjinale duke u veshur si maskotat zyrtare të Botërorit për të mos ngjallur dyshime te trafikanti.
Ngjarja ndodhi në lagjen Las Flores të Limës, ku dy efektivë të maskuar si Clutch dhe Maple, dy nga maskotat e Kupës së Botës, iu afruan objektivit ndërsa ai po ndiqte ceremoninë e hapjes së turneut në banesën e tij.
I arrestuari është identifikuar si Carlos Cabrera, 48 vjeç, i njohur me nofkën “Pichichi”. Sipas autoriteteve, ai po hetohet për trafikim të lëndëve narkotike dhe ka precedentë penalë për të njëjtën vepër.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi 2,524 doza kokainë të fortë, 210 gramë pastë kokaine, 209 gramë marihuanë, si dhe një armë zjarri me municionet përkatëse.
Autoritetet bëjnë me dije se Cabrera ka vuajtur më parë dy dënime me burg për trafik droge, duke kaluar rreth nëntë vite në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Operacioni ka tërhequr vëmendjen e medieve vendase dhe ndërkombëtare, jo vetëm për rezultatet e tij, por edhe për mënyrën kreative të përdorur nga policia, e cila shfrytëzoi pasionin e të dyshuarit për futbollin dhe Kupën e Botës për të finalizuar arrestimin.
Komente







