Mateo Çili: Ç’do të thotë
të jesh aktor sot në Itali!

Mateo Çili: Ç’do të thotë<br />të jesh aktor sot në Itali!
Mateo Çili 29 vjeç, aktor shqiptare origjinë nga Fieri, që pas moshës 14-vjeçare është formuar e shkolluar në Itali. Atje ka ndjekur studimet në Fakultetin e Shkencave të Komunikimit dhe më pas, në Padova ka bërë Akademinë e Artit Dramatik. Ëndrra për aktor tek ai kishte nisur në fëmijërinë e hershme, kur jetonte në Shqipëri. Vendi sundohej ende nga diktatura komuniste dhe ai gjithë kërshëri lëvizte antenën për të parë televizionet “e ndalura” të shtetit fqinj, Italisë. Ishte një ëndërr e fortë që ushqehej në nënvetëdijen e tij, me imazhet e yjeve të vjetër të kinemasë italiane. Vetëm atë ëndërr mori me vete kur u largua nga Shqipëria, ende pa mbushur 14 vjeç. Sot që Mateo Çili e ka prekur ëndrrën, rrëfen në intervistën për “Shqiptarja.com” se kthimi i tij në Tiranë “e ka marrë spunton nga një ftesë e kryeministrit Edi Rama”, që u bëri të gjithë artistëve jashtë Shqipërisë të bëjnë karrierë në atdheun e tyre. Kështu, aktori Çili vendos të vijë me dy projekte; të japë mësime dhe të ushtrojë aktorët e rinj shqiptarë për “teatrin fizik”, atë që ai mendon se mungon këtu. Jo pak interesant është edhe projekti tjetër. Bëhet fjalë për filmin “Piccola patria” (Vendi i vogël), që u realizua në vitin 2013 nga regjisori Alessandro Rossetto, ku Mateo Çili luan rolin e një emigranti shqiptar. Ai ka biseduar me drejtorin e Akademisë së Filmit “Marubi”, Kujtim Çashkun, që ky film të shfaqet edhe në Tiranë. “Piccola patria” është një film italian me mesazhe kritike, por edhe me temë shqiptare.

Matteo, le ta nisim intervistën nga ëndrra jote për t’u bërë aktor. Si guxove të vijoje këtë ëndërr në Italinë e aktorëve dhe regjisorëve të famshëm?

Ëndrra për t’u bërë aktor lindi nga një pasion që ishte i fshehur brenda meje, sepse ne si bijtë e postkomunizmit kemi qenë shumë të ndikuar nga kinemaja italiane. Unë mora shumë prej aktorëve italianë. Duke parë filmat, mësova edhe gjuhën, dhe në mënyrë të nënvetëdijshme mora shumë nga artistët italianë. Pastaj vajta në Itali, vijova shkollën atje, te mesmen dhe të lartën dhe më tepër u shtua ky pasion. Natyrisht, nuk është e lehtë se Italia ka shumë persona që duan të bëhen aktorë, sepse ka 60 milionë banorë, e ne jemi tre milionë e ca. Atje fakti është që konkurron fort. Unë mendoj, megjithatë, se si shqiptar i kisha mundësitë për t’u bërë aktor i mirë, sepse në fëmijërinë time unë u edukova më emra të mëdhenj të aktrimit shqiptar si Kadri Roshi, Timo Floko, Sandër Prosi, Drita Pelingu, Margarita Xhepa, etj. Por mendoj se tradita e vjetër e këtyre aktorëve sot nuk po vijon. Por unë pata fat të formohem në Itali, në laboratorë të ndryshme, dhe erdha të sjellë këtë përvojë pune në Shqipëri, në mënyrë modeste, nëpërmjet një projekti të atij që ne e quajmë “teatri fizik” që më vlejti më parë mua dhe tani unë dua ta praktikoj këtu.

Cilët kanë qenë aktorët italianë që ke adhuruar?

Sigurisht janë aktorët e vjetër si Alberto Sordi, Sophia Loren, Alberto Terrani, Ugo Tognazzi, etj. Para kësaj dua të them se Italia ka pasur më shumë regjisorë të mirë. Është kontributi i tyre, që punuan me aktorët dhe mori kinemaja e teatri vlera. Por sot në Itali ka ndodhur si në Shqipëri. Brezi i ri i aktorëve është pak më i dobët. Pasi ka ikur brezi i vjetër, ka më pak aktorë që shkëlqejnë. Është ende një boshllëk nga koha e shkëlqimit të vjetër.

Atëherë si e prekët ëndrrën tuaj për t’u bërë aktor në Itali?

Nisi si rastësisht. Unë frekuentoja një kurs që bëhej atëherë në provincën e Viçences. Kishim dy mësuese të reja që na bënin shfaqje, dhe pas kësaj më pëlqeu fakti që kisha mësuar shumë gjera dhe fillova të kërkoja situata të njëjta që të jepnin këtë edukim. Mësova se në Padovaekzistonte Akademia, sepse çdo teatër rajonal në Itali ka akademinë e vet. Këto akademi formojnë aktorë dhe japin kontributin e tyre që më të mirët të ecin më tej. Pra në Padova frekuentova akademinë që mban emrin e Alberto Terranit, një aktor i viteve ‘60. Ai ka punuar me aktorët më të famshëm. Akademia ishte falas dhe po të fitojë konkursin, pranoheshe të studioje aje. Konkurrova me një pjesë të Pirandelos dhe mësova shumicën e gjërave që njoh. Pastaj mbas akademisë u ndjeva i humbur. Por, ndërkohë mësova një mënyrë të re të të bërit teatër që është teatri fizik, domethënë teatri i tretë, dhe u informova dhe frekuentova master klase dhe laboratorë me mjeshtrit e teatrit, si Peter Brook, etj

Por ne nuk dimë se çfarë është teatri fizik?!

Këtu është problemi. Në Shqipëri vijon ende të bëhet teatër tradicional. Në fakt kjo nuk është fjala e duhur për ta shprehur, por më mirë teatër rutinor. Mund të dukem pak mendjemadh po të them se sot ky lloj teatri nuk të lë asgjë në mendje. Por duke ditur se në Itali jam mësuar shumë i përulur, se ne i përulemi dhe i përkushtohemi punës, unë mund ta theksojë këtë. Mungon përkushtimi i aktorëve. Teatri fizik do përkushtim po aq sa duan futbollistët para një loje. Nuk ka asnjë diferencë. Nëse futbollisti stërvitet nga e hëna në të shtunën, me tetë orë në ditë që të luajë mirë të dielën, edhe teatri fizik me këtë lloj përkushtimi krijon një laborator që me ushtrime zhvillon dhe gjallëron trupin e aktorit. Pra fitohet ajo që aktori komunikon nëpërmjet trupit të gjallë,jo “të vdekur”.

Dhe ku do ta bëni ju këtë projekt?

Drejtoresha e Teatrit të Metropolit më ka dhënë një sallë për këto projekte që do të aktivizohen nga e hëna deri të shtunën nga ora pesë deri në orën 9.30. Ka të rinj me eksperiencë që stërviten me mua. Qëllimi është të mos mbetemi tek “teatri vdekjeprurës”. Unë kam ardhur me shpresë se është një gjë që vlen. Erdha duke parë edhe deklaratën e kryeministrit që shqiptarët që jetojnë jashtë mund të vijnë të bëjnë karrierë dhe në atdhe. Dhe unë nuk vij ataman për këtë, por kam kënaqësinë të bëj një projekt që të hedhë rrënjë për një hap më para ose një ndryshim të rutinës së teatrit.

Ju keni bërë disa filma me metrazh të shkurtër, pse nuk jeni pjesëmarrës në festivalin TIFF?

Më vjen keq, por mendoj se ende nuk është mësuar në Itali se ka një festival me metrazh të shkurtër. Nëse një festival quhet ndërkombëtar edhe informacioni i tillë duhet të jetë. Ma merr mendja se shumë persona në Itali nuk janë në dijeni se ekziston festivali TIFF.

Pavarësisht moshës së re në aktrim. A keni ju një arritje që duhet shënuar?

Unë kam marrë pjesë në një film me metrazh të gjatë që ka konkurruar vitin e kaluar në Festivalin Ndërkombëtar të Venecias në kategorinë Horizonte. Ka shkuar edhe në Festivalin e Roterdamit e shumë të tjerë. Unë jam shoku i protagonistit të filmit në këtë rol, dhe të dy ne kemi role shqiptarësh. Filmi quhet “Piccola patria”. Me regji të Alessandro Rossettos. Ai ka ka lindur në Padova dhe ka studiuar për prodhimin
e filmave dokumentarë në Paris.

Pse regjisorët italianë vijojnë të kenë personazhe emigrantët shqiptarë në filmat e tyre?

Këtë herë është ndryshe. Bukuria e filmit është se regjisori Alessandro Rossetto ka marrë vlerësime shumë të mira nga kritika, edhe për mesazhin e drejtë të filmit. Në Corriere della Sera është vlerësuar si një nga filmat më të mirë të sezonit dhe po përpiqemi ta sjellim në Shqipëri këtë film. Kam kontaktuar drejtorin e Akademisë “Marubi” me regjisorin.

Pse thoni se është trajtuar ndryshe tema e emigrantëve shqiptarë në këtë film?

Ky është një film italian që ka në bazë të vërtetën, atë që po ndodhe realisht në Itali dhe zbulon shkaqet se pse ndodh. Janë dy vajza nga provincat italiane, dhe njëra prej tyre është e dashuruar me një djalë shqiptar. Por një ditë këto dy vajza arrijnë t’i bëjnë një kërcënim dhe i kërkojnë lekë, duke e shfrytëzuar djalin shqiptar, sepse këto dy vajza italiane duan të dalin nga provinca ku jetojnë. Ëndërrojnë të ikin larg. Dhe me lekët që i kërkojnë këtij personi synojnë të ikin jashtë shtetit drejt vendit më të mirë. Filmi flet për dekadencën italiane dhe vë në mes edhe të ardhmen si një arsye e kësaj dekadence. Mesazhi është se në të vërtetë, arsyet e dekadencës italiane nuk duhen parë në të huajin që vjen, por në bazën, në rrënjët ku vjen i huaji. Se po erdhi i huaji në një vend ku rrënjët janë në tokë, ai mund t’i përshtatet atij vendi pa dëme. Pra dekadenca
e sotme nuk mund te merret si pretekst kundër të huajit, në vend që të krijohen rrënjët që t’i bashkohen qytetërimit, siç ndodh në vende më shumë të zhvilluara.

mateo cili

Shkrimi u botua në numrin e sotëm (4 nëntor 2014) të gazetës "Shqiptarja.com", versioni print

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje