Shtrëngimi i duarve me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo dhe me Zv/ Presidentin amerikan Mike Pence në Shtëpinë e bardhe dhe takimet kokë më kokë të cilat nuk u pasuan nga konferenca të përbashkëta për shtyp, ndoshta nuk donin të tregonin se Shtëpia e Bardhë ka vendosur të jetë më shumë prezente në sfidat e mëdha ekonomike dhe politikat e zhvillimit brenda qeverisë italiane, sidomos të gjitha përsa i përket asaj që quhet Flat Tax, (tatim i sheshtë) që është dhe një nga pikat e fërkimit brenda qeverisë së Kryeministrit Giuseppe Conte. Duket se SHBA janë dakord me propozimet ekonomike të Salvinit, duke pasur parasysh se ishte një politikë e tillë e propozuar nga Presidenti Amerikan Trump e cila, pas debateve të shumta, solli rritje të forte ekonomike në SHBA.
Por Propozimi i Zv/Kryeministrit Italian duket se kundërshtohet fort nga Brukseli. Nga ana tjetër e oqeanit, Salvini i dërgoi fjalë Brukselit se: “Qeveria italiane "nuk do të jetë më e kënaqur me thërrime" dhe se "Italia nuk do të jetë Greqia, të cilën Evropa e ka vrarë ". Sipas Salvinit - “taksat do të shkurtohen. Ne do ti bindim europianët për taksën e sheshtë me shifra dhe mirësjellje, por nëse ata nuk binden, ne prapë do ta bëjmë”
Matteo Salvini në misionin e tij flash në Washington, mori staturën e njeriut i cili mund të çimentojë aleancën me Shtëpinë e Bardhë të Donald Trump.
“Italia është bashkëbiseduesi i parë, më i besueshëm dhe më i fortë i SHBA-së ndër vendet e Bashkimit Evropian dhe është vendi më i madh evropian me të cilin Shtetet e Bashkuara mund dhe dëshirojnë të dialogojnë"- Tha Salvini gjatë një interviste.
Vizita e Matteo Salvinit në SHBA shërbeu për dy qëllime. Zv/kryeministri italian rinisi sfidën ndaj BE duke marrë bekimin në bregun e Washingtonit dhe deklaroi se “Italia do të ristartojë një "manovër ekonomike Trumpiane" për të arritur qëllimin e dëshiruar fort, uljen e taksave. Ligji i ri buxhetor që do të shkojë në Parlamentin italian për tu miratura "do të duhet të jetë Trumpian".
Duket se shkurtimi drastik i taksave për kompanitë dhe individët si dhe reduktimet burokratike do të jenë prioritare në këtë fazë të ristartimit ekonomik në Itali. "Mblodha shumë materiale në departamentin e taksave. Shtetet e Bashkuara duhet të jenë modeli ynë " – u shpreh Salvini
Në lidhje me politikën e jashtme ekonomike dhe atë që lideri i Lega Nord e ka quajtur "arroganca e Kinës me Evropën", Salvini ka ndarë në Washington shqetësimet rreth planeve të Pekinit për Rrugën e Mëndafshit, në të cilën është bashkuar dhe Italia. " Biznesi nuk është gjithçka dhe përballë sigurisë kombëtare nuk përbën kompromis"
Në lidhje me Rusinë, Salvini tha se: "Ne duhet të rinisim rrugën e dialogut. Do të ishte një gabim strategjik si komercial ashtu edhe gjeopolitik për të shmangur Moskën nga Perëndimi dhe ta linim atë në krahët e kinezëve. Duhet bërë çdo gjë për t'i sjellë ata përsëri në tavolinë dhe preferojë të mendojë për kthimin tonë në aksin Moskë-Pekin".
Vizita e rrufeshme e Salvinit në SHBA vjen tre ditë përpara se treshja italiane, Kryeministri Conte dhe dy zëvendëskryeministrat Di Maio dhe Salvini do të ulen për të rënë dakord dhe përpiluar letrën që ata do ti drejtojnë Brukselit ku do tju bëhet e qartë organizmave politik dhe financiar europian se Italia do të ndërmarrë veprime konkrete për të kundërshtuar paralajmërimet e Brukselit në lidhje me deficitin buxhetor dhe do të ulë taksat. /Përgatiti Ilir Çuçi