TIRANE - Ministria e Arsimit dhe Sportit ka publikuar ditën e sotme udhëzimin për Maturën Shtetërore 2015 dhe pranimin në shkollat e larta publike dhe për shkollat jo profesionale.
 
Në bazë të udhëzimit të MAS, lëndët e provimeve të detyruara për të gjithë maturantët për këtë do të jenë: Gjuha dhe Letërsia Shqipe, Matematika dhe Gjuha e Huaj. Sipas udhëzimit të MAS, lista e gjuhëve të huaja, që do të jepen si provim i detyruar D3, do të jenë anglisht, italisht, frëngjisht dhe gjermanisht.
 
Siç thekson MAS, vlerësimi i gjuhës së huaj (D3) do të pasqyrohet në Çertifikatën e Maturës Shtetërore por nuk do të ndikojë në pikët, në bazë të formulës së përcaktuar.
 
Maturantët të cilët vitin e kaluar, rezultuan mbetës në D3, janë të detyruar ta rijapin këtë provim, ndërkohë që  kandidatët e tjerë, që aplikojnë në AlZ, nuk do ta rijapin provimin e detyruar D3.
 
Nga ana tjetër, në udhëzim theksohet se maturanti ka të drejtë të zgjedhë 2 lëndë nga lista e lëndëve me zgjedhje pavarësisht nëse i ka zhvilluar ose jo ato.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)