Matura shtetërore
në fokus të inspektimit

Përgatitjet për provimet e maturës shtetërore të vitit 2014 shënojnë disa risi që pritet ta përmirësojnë cilësisht procesin. Në pak vitet e aplikimit të maturës është krijuar një traditë e cila shërbën si bazë e mirë për përmirësime të mëtejshme në funksion të një procesi cilësor dhe të pakontestuar.

Rezultatet e inspektimit më të fundit për vlerësimin e procesit të parapërgatitjeve për  provimin e maturës shtetërore, zhvilluar nga Inspektorati Shtetëror i Arsimit (ISHA), në 28 shkolla të mesme të DAR-eve Tiranë, Durrës, Shkodër, Lezhë, Kukës, Fier dhe Vlorë, tregojnë një përgatitje në rritje për maturën, por ekzistojnë akoma disa probleme që duhen zgjidhur me qëllim për të pasur një rezultat sa më të mirë.

Nga gjetjet e inspektimit rezulton se në të gjitha gjimnazet e inspektuara është ngritur këndi i Maturës Shtetërore në të cilin është afishuar gjithë informacioni lidhur me zhvillimin e provimeve të Maturës dhe të gjithë drejtuesit e gjimnazeve të inspektuara kanë ngritur Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore. Por jo të gjitha veprimtaritë e parashikuara janë realizuar në të gjitha gjimnazet dhe jo në çdo rast përbërja e Komisionin Shkollor të Maturës Shtetërore përputhet me Rregulloren përkatëse.

Në mbi 90% të gjimnazeve të inspektuara janë planifikuar orët e konsultimeve për dy lëndët e detyruara gjuhë-letërsi dhe matematikë. Në 8 gjimnaze nga 28 të inspektuara, ose 30% të tyre, nuk janë parashikuar konsultime në lëndën e gjuhës së huaj të parë. Vetëm në dy prej këtyre gjimnazeve janë hartuar plane monitoruese mbi procesin e zhvillimit të orëve të konsultimeve për nxënësit e klasave të  12-ta për provimet e Maturës ndërsa rreth 50 % e mësuesve nuk bëjnë planifikimin e orëve të konsultimeve, por edhe ato mësues që e kanë bërë planin e konsultimeve, nuk e shoqërojnë atë me plan ditor dhe fletore regjistër ku duhet të pasqyrohet pjesëmarrja. Kryerja e konsultimeve të planifikuara çon në minimizimin e kurseve private që vijnë si presion mbi nxënësit me qëllime përfitimi.

Gjithashtu ekzistojnë akoma probleme lidhur me plotësinë e dokumentacionit. Në 7 prej gjimnazeve të inspektuara mësuesit kujdestarë nuk disponojnë  dokumentacionin lidhur me kreditet e fituara nga maturantët, ndërsa 5 prej tyre nuk disponojnë plan pune për këshillimin e karrierës.

Bazuar në gjetjet e inspektimit ISHA-ja ka dhënë rekomandimet përkatëse në funksion të përmirësimit të cilësisë së përgatitjeve për Maturën. Rekomandimet janë bërë të njohur në DAR-tet dhe në drejtoritë e shkollave përkatëse. Ato kanë të bëjnë me ngritjen e Komisionit të Maturës Shtetërore në ato shkolla ku ai nuk ka qenë ngritur në zbatim të rregullores; hartimin e grafikut të konsultimeve në lëndët e detyruara; planifikimin e konsultimeve dhe në lëndën e  gjuhës së huaj të parë; hartimin dhe zbatimin e planit të monitorimit të grafikut të konsultimeve për lëndët e detyruara; verifikimin e numrit të krediteve për secilin maturant, dhe hartimin e një plani pune të veçantë lidhur me temat që do zhvillojnë në orët e konsultimeve, plan ditor si dhe fletore regjistër ku të pasqyrohet pjesëmarrja e nxënësve në konsultime.

Për të testuar mendimin e nxënësve paralelisht me inspektimet, në fund të muajit Mars, ISHA-ja ka zhvilluar një pyetësor me 1014 maturanë nga i cili rezulton se akoma rreth 10% e nxënësve (96 nxënës) nuk janë të informuar mirë mbi të gjitha procedurat e Maturës Shtetërore; 23% e nxënësve (236 nxënës) nuk zhvillojnë asnjë orë konsultim; 21.5% e nxënësve (217 nxënës) nuk zhvillojnë e orët e konsultimeve për gjuhën e huaj të parë; 42 % e nxënësve (432 nxënës) nuk kanë informacion për kreditet që duhet të plotësojnë ata deri në fund të vitit shkollor për t’u pajisur me diplomën e gjimnazit; ndërsa 10.4% e nxënësve (64 nxënës) nuk kanë informacion se sa lëndë duhet të zgjedhin nga lista e lëndëve me zgjedhje të Maturës Shtetërore.

Inspektimit për Maturën ka shërbyer si ndihmë në parapërgatitjet e nxënësve në funksion të një procesi korrekt dhe një rezultati sa më të mirë. Inspektimet dhe rezultatet e pyetësorit kanë ndihmuar për të evidentuar gjendjen dhe për të ndërhyrë aty ku duhet. Një proces rinspektimi në disa prej shkollave të inspektuara për Maturën 2014 do të kryhet në ditët në vijim për të parë nivelin e përmirësimit të rekomandimeve të lëna nga Inspektorati.
 
2.
Diskutimi për Maturën Shtetërore është një proces i vazhdueshëm që lidhet me standardet e shoqërisë shqiptare dhe vetë arsimit shqiptar. Ka disa çështje për të cilat ekspertët e fushës së arsimit por edhe grupet e interesit, vetë të rinjtë, mendojnë se nuk mund të konsiderohen të zgjidhura njëherë e mirë. Pika më e disktueshme mbetet përqindja që zë Mesatarja e shkollës së mesme në raport me provimin e Maturës Shtetërore. Ky raport nuk është thjeshtë një zgjedhje apriori, por një organizëm i gjallë që lëviz dhe ndryshon në kushtet e realitetit shqiptar.

Ministria e Arsimit po kërkon gjetjen e një prerjeje të artë, që do të jepte një produkt sa më meritor në përzgjedhjen e studimeve të arsimimit të lartë për çdo nxënës shqiptar. Kjo “prerje” kushtëzohet nga dy faktorë:
Së pari, nga niveli i administrimit të procesit të Maturës. Praktika ka treguar se administrimi është momenti më delikat i Maturës Shtetërore. Në vitet e kaluara, ka pasur raste të daljes së sekretit të tezës së provimit dhe degjenerim të procesit, gjë që ka krijuar lëkundje në besueshmërinë e njerëzve ndaj këtij procesi dhe shpresë për të paaftët dhe batakçinjtë. Rreziku i kopjimit vazhdon të mbetet eminent. Një rast i tillë, qoftë vetëm një rast, do të krjionte kushte për deformim të procesit, do t’u zvogëlonte maturantëve padrejtësisht mundësinë në përzgjedhjen e profesionit të ardhshëm, ndërsa do të favorizonte kopjacët, “hajdutët e dijes”.

Niveli i administrimit, deri tani, nuk ka garantuar një proces të drejtë. Korrupsioni “i brendshëm” dhe sidomos presioni i “jashtëm” ishte kthyer në njëlloj kulture përfitimi. Kjo është një nga arsyet kryesore që shkon në favor të rritjes së përqindjes së mesatares së shkollës së mesme, që vjen si rezultat i tre viteve proces mësimor, të kontrollur nga disa institucione, duke filluar me mësuesin e lëndës, drejtorinë e shkollës përkatëse, DAR/ZA-të, dhe vetë Ministria e Arsimit, nëpërmjet ISHA-së, si edhe mjaft faktorë të tjerë qëndrorë e lokalë, përfshirë edhe vetë ambjenti ku kryehet shërbimi arsimor. Mesatarja e shkollës së mesme, që vjen si rezultat i një procesi që realizohet në një shtrirje shumë të madhe kohore dhe kontrollohet në proces nga disa faktorë, është shumë më e kontrollueshme, se sa një moment siç është Matura, të cilin mund ta bëjë të dështojë qoftë edhe një specialist apo administrator i papërgjegjshëm ose i korruptuar.

Së dyti, niveli i ndryshëm faktik i shkollave të mesme në qendër krahasuar me ato në periferi. Arsimi i mesëm i lartë në Shqipëri është i unifikuar. Ai funksionon bazuar në të njëjtin ligj, dhe dispozita normative, d.m.th. shkollat e mesme të të njëjtit profil kanë të njëjtën kurrikul. Por pavarsisht nga kjo niveli i tyre nuk është i njëjtë, madje ka shumë diferenca, aqsa nota e njëjtë në dy gjimnaze të ndryshme, nuk reflekton të njëjtin nivel dije. Fjala vjen nota 8 në një gjimnaz në qendër të Tiranës, Vlorës apo Shkodrës nuk reflekton të njëjtën dije me notën 8 të një gjimnazi në një fshat të Korçës, Elbasanit apo Kukësit. Që do të thotë se që këtu periferia është më e avantazhuar në startin e fillimit të Maturës Shtetërore.

Matura shtetërore ndodhet mes të dy rreziqeve, nga njëra anë ai i kopjimit (kjo tingëllon fjala më e qartë) në provimin e Maturës gjë që do ta dështonte procesin në vetëm tre orë kohë, duke çuar dëm djersën dhe mundin e tri viteve për mijëra nxënës, dhe nga ana tjetër i pabarazisë që lind që në startin e Maturës, për shkak të realisht disnivelit jo të vogël mes shkollave të të njëjtit profil, që vjen si pasojë të disnivelit ekonomiko-shoqëror dhe kulturor të vetë zonave të ndryshme të vendit. Pikërisht për këto arsye, është kërkuar, dhe po kërkohet vazhdimisht gjetja e asaj që në fillim e quajta “prerje e artë” raporti mes mesatares së shkollës së mesme dhe provimit të maturës.

Në kushtet e një teknologjie që do të garantonte një proces perfekt, pa asnjë rrezik, mesatarja e shkollës së mesme do duhej të kishte shumë pak peshë, ose fare, ndërsa në kushtet ku ndodhemi, për arsyet që shpjegova, mesatarja do duhej ndoshta të zinte edhe më tepër vend në përqindjen e totalit të pikëve. Rritja e kësaj përqindjeje nga 20 në 26%, krahasimisht me vitin e kaluar përbën një zgjedhje më të mirë, rrit besueshmërinë dhe interesin e nxënësve për shkollën e mesme, dhe ul shkallën e rrezikut të degjenerimit të provimit.

Perfeksionimi i procesit nëpërmjet teknologjisë, mund të ishte mënyra më e mirë dhe zgjidhja përfundimtare. Po ashtu rankimi i shkollave të mesme dhe përdorimi i koeficientëve në përllogaritjen e mesatares së shkollës së mesme do të shmangte pabarazinë në start, në rastin e dhënies rëndësi mesatares.

Në kushtet kur akoma nuk kemi arritur të krijojmë një sistem ku nxënësi të realizojë provimin online, një teknologji kjo që pritet të futet në të ardhmen, - pa patur nevojë për bartje tezash në gjithë territorin e Shqipërisë dhe vendosjen e “pesëqind rojeve” për të mbrojtur procesin, dhe pa pasur druajtje se teza mund të dalë në mes të natës apo ditën për diell -, do të na duhet të ruajmë një ekuilibër duke konsideruaer ndoshta edhe më tepër mesataren, e cila në tri vite vjen si produkt i një procesi, siç e përmendëm, pluralisht të kontrolluar. (Diferenca që vjen në startin e Maturës nga disnivelet e shkollave, është shumë më pak e padrejtë dhe disekuilibruese se sa kopja në ditën e provimit ku në pak orë mund të përmbyset shumëçka).
 
3.
Roli i inspektimit në procesin e Maturës është mjaft i rëndësishëm për të monitoruar, vlerësuar dhe promovuar ose gjetur modelin më të mirë që ti përshtatet realitetit shqiptar në zhvillim. Administrimi i provimeve të maturës është aksioni më i rëndësishëm ditor në rang kombëtar që shoqëria shqiptare përjeton çdo vit. Si i tillë ky aksion do të monitorohet jo thjesht për qëllime rutinë, por për të krijuar një model të qëndrueshëm që të na japë një rezultat të drejtë, ku çdo nxënës të zgjedhë profesionin që meriton bazuar në dijet dhe vlerat e krijuara përgjatë gjithë jetës së tij. Inspektorati Shtetëror i Arsimit (ISHA) është duke e monitoruar këtë proces në çdo hap deri në përfundimin e tij.

Masat ndaj çdo individi abuzues që do të përfshihet në këtë proces do të jenë më të ashprat që parashikohen në ligj. Matura shtetërore kërkon një angazhim kompleks, të koordinuar, të të gjithë faktorëve, brenda një sistemi ku përgjegjësia ka emër. Dhe si e tillë duhet trajtuar me vëmëndje nga të gjitha faktorët dhe në të gjitha parametrat. Sukesi për Maturën është edhe suksesi për të ardhmen e Shqipërisë. Cilësia e menaxhimit të këtij procesi është cilësia e shoqërisë shqiptare, brenda së cilës sot jetojmë ne, nesër pasardhësit tanë.
 
*) Kryeinspektor i Inspektoratit Shtetëror të Arsimit

Shkrimi u publikua sot 25 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com) 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 10 Janar, 11:51

    A duhet të çojë SPAK Berishën përpara Gjykatës për masakrën e 21 janarit?



×

Lajmi i fundit

Rama inspekton Tregun e Rusit në Shkodër! Benet Beci: Rikonstruktimi në kohë rekord

Rama inspekton Tregun e Rusit në Shkodër! Benet Beci: Rikonstruktimi në kohë rekord