Letërsia dhe Matematika u kanë hequr mundësinë për të marrë pjesë në garën për në shkollë të lartë plot 2000 maturantëve. Kjo sepse kanë rezultuar mbetës, duke mos siguruar as pragun minimal të pikëve, në dy provimet e para me detyrim të Maturës Shtetërore 2011. Por nëse i krahasojmë mbetësit e këtyre dy lëndëve me atë të një viti më parë, do të vëmë re se në të vërtetë numri i tyre është shumë më i ulët se sa maturantët që nuk kaluan një vit më parë pragun minimal të pikëve. Një vit më parë në testin e Letërsisë u vlerësuan me notën 4 plot 1106 të rinj, ndërsa në atë të matematikës dyfishi i tyre, plot 2095 të rinj, ndërkohë që këtë vit në të dy lëndët me detyrim numri i mbetësve ishte rreth 2 mijë. Por surpriza këtë vit kanë qenë lëndët me zgjedhje. Sipas statistikave mësohet se numri i atyre që janë vlerësuar me notën 4 në provimet me zgjedhje është plot 2500 maturantë. Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj nga shpjegon se numri i atyre që janë vlerësuar me notën 9 dhe 10 është 13 për qind e të rinjve që iu nënshtruan testeve të lëndëve me zgjedhje, ndërsa kanë qenë plot 230 të rinj që kanë mundur të rrëmbejnë vlerësimin maksimal në lëndët me zgjedhje. Në provimet e maturës shtetërore këtë vit morën pjesë rreth 42 mijë të rinj. Në total, këtë vit gjatë procesit të maturës shtetërore janë vlerësuar me notën 4 plot 4500 gjimnazistë, të cilët automatikisht përjashtohen nga gara për në shkollë të lartë. Në bazë të rregullores për zhvillimet e provimeve të maturës shtetërore, të gjithë ata që vlerësohen me notën 4 humbasin të drejtën për të plotësuar formularin A2, i cili është formulari i aplikimit për në universitet dhe nëse nuk e plotëson atë atëherë nuk figuron i regjistruar për në shkollë të lartë.

Ndryshimet
Por përjashtimi nga e drejta për të marrë pjesë në garën për në shkollë të lartë është vetëm njëra anë e medaljes për këta gjimnazistë. Këtë vit, në bazë të rregullores së re të publikuar nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës këta 4500 mbetës humbasin edhe të drejtën për të marrë diplomën e shkollës së mesme, pasi për herë të parë nuk do të ketë data vjeshte ku ata mund të futen dhe të përmirësojnë notën që kanë marrë. Kjo kategori, jo vetëm që humbet të drejtën për të konkurruar për në shkollë të lartë, por nuk merr as diplomën e gjimnazit, format i cili aplikohet për të dytin vit radhazi dhe ka zëvendësuar dëftesën e pjekurisë që lëshohej deri më tani. Në fakt e njëjta procedurë u ndoq edhe një vit më parë, por më pas Ministria e Arsimit u detyrua që të caktojë një sezon shtesë në vjeshtë dhe këta të rinj i shpëtuan penalizmit.

Kopjacët
Ndonëse këtë vit është përfolur shumë për kopje masive, në të vërtetë teste që specialistët e ministrisë së Arsimit kanë mbajtur si të dyshuar kanë qenë shumë të pakët. Bëhet fjalë për 300 teste në ët gjitha provimet e maturës shtetërore, të cilët janë verifikuar, janë tërhequr të premten nga drejtoritë Arsimore, dhe sipas Alfons Harizajt, ata nuk do të penalizojnë të rinjtë në plotësimin e formularit A2. ndërsa një vit më parë testet e dyshuara kanë qenë rreth 500.

(ek/shqiptarja.com)