TIRANE - Maturantët e të gjitha shkollave të mesme në vend kanë filluar t’u nënshtrohen provimeve përgatitore për Maturën Shtetërore. Këto provime bëhen nga çdo gjimnazist dhe shërbejnë për të parë nivelin e maturantëve. Gjimanzistët do të japin dy provime përgatitore, atë të matematikës dhe të letërsisë. Lëndë këto që janë të detyruara për të gjithë gjimazistët e viteve të fundit.

Modeli i testimit është ai që do të bëhet në provimet e Maturës Shtetërore. Në lidhje me këto provime maturantët shprehen se pyetjet e testit kanë qenë nga më të lehtat deri te më të vështirat. “Ne e zhvilluam provimin përgatitor të maturës të mërkurën dhe të premten e javës që shkoi.

Testi ishte mesatar, kishte pyetja të lehta, por kishte edhe pyetje të vështira. Gjithatu kishte edhe pyetje për nivelin mesatar. Ky testim ka një gjë të mirë se të tregon se sa e përgatitur je për provimet e detyruara” shprehet maturantia Desi Rabo. Ndërsa dje provimit përgatitor për lëndën e matematikës i janë nënshtruar të gjithë maturantët e shkollës së mesme “Qemal Stafa”.

Ata shprehen se provimi ishte për të gjitha nivelet. “Pyetjet e provimit ishin për çdo nivel. Pastaj matematika është pak e vështirë. Por provimi ishte edhe për ata që janë shumë të mirë edhe për ata që kanë nivel mesatar dhe të mirë. Provimi kishte pyetje me alternativë, por edhe me zhvillim. Ato me alternativa ishin më të lehta” tregojnë maturantët.

Provimet përgatitore do të vazhdojnë të jepen në të gjitha shkollat e vendit. Datat kur do të jepen provimet e maturës shtetërore janë: Gjuhë Shqipe dhe Letërsia do të zhvillohen më 31 maj 2013, Matematika në 14 qershor 2013 dhe provimet me zgjedhje në 29 qershor 2013.
Provimet e Maturës Shtetërore, si të detyruara ashtu dhe me zgjedhje fillojnë në orë 10. Testi për provimet me detyrim ka gjithsej 25 pyetje, nga të cilat 13 janë me alternativa, ndërsa pjesa tjetër me zhvillim. Ndërsa testi për provimet me zgjedhje ka 20 pyetje nga këto 10 janë me alternativa.

Aktualisht në shkolla po zhvillohet plotësimi i formularit A1Z, ku formulari shërben për të gjithë maturantët e viteve të kaluara që nuk kanë rezultuar fitues në universitet. Ai gjithashtu plotësohet edhe nga fëmijët e emigrantëve që dëshirojnë të vazhdojnë universitetin në Shqipëri.


Afati i fundit i plotësimit të këtij formulari është deri në fund të prillit. Ndryshe nga vitet e tjerë këtë vit provimet e Maturës Shtetërore do kryhen elektonikisht. Do bëhet një korrigjim i dyfishtë i cili pritet të bëjë një vlerësim të saktë të çdo përgjigje që do të japin kandidatët. Korrigjimi i parë do të kryhet nga mësuesit e caktuar nga MASH, ndërsa korrigjimi i dytë do të kryhet elektronikisht.

Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 23.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)