Një maturante nga Përmeti fitoi vëmendjen e 2 ambasadorëve më të rëndësishëm në vendin tonë, atë të BE-së Luigi Soreca dhe të ambasadores së SHBA, Yuri Kim. Ajo i ka marrë mikrofonin Sorecës dhe i ka thënë se në të ardhmen e sheh veten si prokurore për të dhënë kontribut në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Këtë ndodhi Soreca e postoi në rrjetet sociale, postim të cilin e publikoi edhe Kim.
Maturantja tashmë e njohur për të gjithë, Esmeralda Metko, në një intervistë të dhënë për Report Tv u shpreh se mesazhi që ka dhënë në takimin me ambasadorin Soreca është të rinjtë shqiptarë duhet ta ndërtojnë të ardhmen këtu në vendin e tyre.
"Unë për zgjedhjen e këtij profesioni nisem nga aspiratat e mia, nga të gjitha objektivat që unë kam. Sigurisht që ka vend për përmirësim në sistemin tonë. Në momentin që çdo i ri që i vë synim vetes që të bëjë drejtësi unë mendoj se sistemi do të marrë një formë tjetër. Juriste ka qenë ëndrra, dëshira ime, është objekti im. çdo ditë e më tepër përpiqem ta arrij objektivin tim. Është e rëndësishme që t'i hedhim sytë nga librat, të përpiqemi të gjithë shumë fort për të bërë realitet dëshirat. Gjithmonë të mundohemi që në karrierën tonë të funksionojë pozitivitet, të studiojmë sa më shumë në mënyrë që të profesionalizohemi në një fushë të caktuar. Do të studioj në Shqipëri. E gjithë perspektiva e studimeve të mia është që t'i bëj në Shqipëri", tha ndër të tjera Esmeralda në Report Tv.