MAURITANI - Presidenti i Mauritanisë Mohamet Ould Abdelaziz është qëlluar me armë dhe ka mbetur i plagosur. Burimet zyrtarë thanë se ai do ti nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në krah dhe se së shpejti do të udhëtojë jashtë vendit për trajtim të specializuar.

Më herët Ministri i komunikacionit Hamdi Ould Mahjoub tha për televizionin kombëtar se një trupë ushtarake gabimisht ka hapur zjarr ndaj eskortës së Presidentit. Fillimisht, radio e Mauritanisë dha lajmin se Abdelaziz i ka shpëtuar një tentative për vrasje.

Por, ministri sqaroi se 55 vjeçari Abdelaziz është plagosur në krah dhe se jeta e tij nuk është në rrezik. Ai po trajtohet aktualisht në spitalin ushtarak në kryeqytet. Sipas versionit zyrtar në rrugën për kthimin në kryeqytet eskorta presidenciale u qëllua nga patrulla e cila nuk e kishte identifikuar.

BBC raporton se spitali ku ndodhet Presidenti ndodhet i rrethuar nga forcat e sigurisë dhe se shumë qytetarë janë mbledhur rreth godinës për të marrë lajmet më të reja.

(dm/s.f/Shqiptarja.com)