Max Reinhardt: Si e zbulova gjeniun
e skenës Aleksandër Moisiu

Max Reinhardt: Si e zbulova gjeniun<br />e skenës Aleksandër Moisiu
Meritat e Max Reinhardit në teatrin gjerman janë shumë të njohura: ishte ai që solli në skenë e i ngriti në sukses një grup të madh aktorësh, të cilët u bënë pjesë e historisë së teatrit gjerman që mund të thuhet “u shkrua” nga i madhi Max Reinhardt. Merita e madhe e Reinhardit ishte jo vetëm se solli një mënyrë të re në artin skenik, por edhe se ishte zbuluesi i shumë talenteve, më shumë se kushdo tjetër në Teatrin Gjerman.

Ai nxorri talente nga masa e  madhe e aktorëve të kohës, nga kryeqyteti Berlin, nga periferitë, njerëz që nuk kishin dalë asnjëherë në skenë apo që i kish parë vetëm në prova, e pastaj me durim solli në dritë dhuntinë e talentin që gjindej në secilin prej tyre. Nga të gjithë këto zbulime, ajo e Aleksandër Moisiut ishte më e përmendura. Jo vetëm se ishte talenti më i madh që kishte gjetur, por sepse për ta mbajtur e për ta zhvilluar atë ju desh shumë guxim dhe energji si për askënd tjetër në karrierën e tij.

Njerëzit të cilët e quanin Reinhardtin  gjuetar me instinkt talentesh, ishin të bindur që ai ishte gabuar me Moisiun. Reinhardti  e provoi me durim Moisiun në të gjitha mënyrat, në role të mëdha e të vogla, në drama e komedi, muaj pas muaji, vite me rradhë, e në Berlin pat shumë autorë pjesësh teatrore që e ironizuan dhe e tallën Reinhardtin për këtë.

Në të vertetë asnjë drejtor tjetër teatri, nuk i trajton bashkëpunëtorët si Reinhardti Aleksandrin tonë.Së pari drejtuesi është i interesuar për fitimin që mund të sigurojë nga aktori e më pas kërkon të bindet për talentin e tij skenik. Përpjekja e pashembullt e Max Reinhardtit për të sjellë drejt suksesit Moisiun, është një ndër të paktët kapituj të historisë të teatrit gjerman që të bën përshtypje për moralin pozitiv.

Max Reinhardt dhe Aleksandër Moisiu në qendër të fotos me logo
(Në foto Max Reinhardt dhe Aleksandër Moisiu në qendër)

Reinhardt kujton: Sapo ishte krijuar në Berlinin lindor një teatër i vogël  (1904 - “Vorstadtbühne”), me deshira shumë të mëdha, por me mundësi ekonomike shumë të vogla. Aty mblidheshin aktorët e rinj  të panjohur, me pak talent e të varfër, të cilët mundoheshin të aktivizoheshin e të tregoni talentin e tyre. Kisha dëshirë të vija në skenë Genoveva-n e Hebbels-it. Elementët e talentuar më mungonin e kjo më bëri të humb durimin tim profesional. Vendosa më vehten time të mbaj pak distancë, nga dëshirat e mija për të vënë në skenë këtë pjesë,  e pamundësisë për të gjetur  elementet (aktorët) që më duheshin.

Isha i lodhur dhe i zhgënjyer, kur ... papritur qëndron në skenë perpara meje një i ri i panjohur i cili fillon të bëjë rolin e Golos. Duhet të theksoj se Golo është ndoshta figura më e vështirë nga të gjitha rolet për tu interpretuar, sepse teksti është pothuaj i tëri një monolog, brenda të cilit krijohen situata të ndryshme, nga ajo e brendshme e personazhit në kohën e tashme, e më pas në të kaluarën....

Autori Hebbel ka shkruar një formë të pazgjidhur e shumë të veshtirë dialogu, duke i veshur personazhit ndjenjën djallëzore të dobët e dyshuese të Luzifer-it, por edhe të dashuruarit njëkohësisht....fjalët e tij rrjedhin në disa raste të vetëdijëshme  si rryma uji drejt pellgut të madh plot  siguri, e që këtë figurë nga 100 aktorë, 50 prej tyre do të krijonin dashnorin klasik, kurse  49 të tjerë dashnorin patetik e të pa jetë.

Aleksandër Moisiu me Tristan Bernard, Minister Becker dhe Max Reinhardt me logo
(Në foto Aleksandër Moisiu me Tristan Bernard, Minister Becker dhe Max Reinhardt)

Mendimet e këtij personazhi nuk munden të jenë si një rreze drite që ndriçon e qetë e normal, ato duhen të dalin verbuese e shpërthyese nga një gjoks njerëzor që digjet e që do të ndezë zjarre të tjerë të rinj... Për këtë rol, aktori duhet të “ndizet flakë”, por ai  aktor të cilit nuk i mungon shpirti shpërthyes dhe i zjarrtë. Ky aktor duhet që më pas të jetë në gjendje që teknikisht këtë lumë fjalësh të monologut ta vendosë në lëvizje, e si në levizjet fizike të memecëve, të shprehë çdo mendim e çdo emocion të tij.

Unë personalisht nuk njoh një detyrë më të vështirë në të gjithë fushën e literaturës teatrore se interpretimi i Golos. ... E në këtë rast (nga Moisiu) kjo detyrë ishte e zgjidhur me mjeshtri e talent, nga një aktor i cili nuk e fliste gjuhen gjermane, e cila i krijonte paqartësi e pasiguri, por nga e cila pa pushim ai arrinte të reflektonte pasion dhe emocion.

Ai  arrinte që me energji të papara fizike ti jepte çdo mendimi të brendëshëm lëvizjen përkatëse trupore e cila i dilte instinktivisht duke ndihmuar edhe në kuptimin e tekstit të vështirë, por gjithmonë pa humbur fillin e rolit dhe të pasionit që roli përmbante, duke i dhënë jetë nga qenia e tij, duke arritur të na tundojë e trazojë në shpirt ne të gjithëve. Ky aktor ishte Aleksandër Moisi.

Moisiu nuk ishte aktori i “kulturës moderne”, ai që donte të binte në sy e të mundohej të krijonte famë botërore, një profil e personalitet i rëndë, ai nuk ishte një aktor mediokër, as edhe besnik i “deshirave të vogla” të autorëve. Ai është një nga sera e vjetër e aktorve, kategoria më e thjeshtë qytetare, i “pagdhenduri”, njeriu pa kufij, natyra e vagabondit, ishte aktori i ndjenjave njerzore në lojën aktoriale, ishte “egërsira e zbutur”, shpirti, nervat, gjaku, lëkura dhe flokët e të cilit ishin pjesë dinamike e lëvizjeve të mëdha emocionale jetësore,  për tu reflektuar në veprat e çdo dramaturgu.

Moisiu krijoi një tip të ri aktori në botën e dramës: artistin e shekullit të 20-të që rrezaton vetvehten me zgjuarsi e personalitet në skenë, që vendos shpirtin në zgjidhje të çdo roli e figure skenike. Kritikët e artit janë të mendimit që: “është e tepërt të thuhet që pa Reinhardtin nuk do të kishte Aleksandër Moisi, por mund të thuhet që: Max Reinhardt u kujdes që figura e magjishme Moisi të rrezatojë në skenë. Me pak “kujdes e distancë”, por mund të thuhet edhe që suksesi vezullues i Reinhardit pa Moisiun nuk do të ishte kështu siç është.” (R.S. Moissi, faqe 80).
 
Përveç Moisiut, Reinhardt nuk ngurroi kurrë të angazhojë në skenën e teatrit gjerman, aktorë me akcent të huaj që vinin nga Hungaria, Rusia apo Amerika e kjo kishte edhe arsyet e veta ekonomike mbasi, kur luante Moisiu arka (kasa) ishte plot.

Askush nuk e “ndizte” publikun si Aleksandër Moisiu, por edhe Max Reinhardt nuk mundi që atë që ishte aktori kryesor i shfaqjeve të tija, këtë burrë që transformohej nga roli në rol me magjinë e talentit të tij, ta mbante përgjithmonë. Mbi 20 vjet punuan dy gjigandët së bashku. Ndarja ndodhi në vigjilje të luftës së parë botërore. Aktori Moisi nga skena e Berlinit u kthye në aktor shetitës, jeta e tij artistike vazhdoj  nga një turne në tjetrin...

Wien, me 3 qeshor 2013

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.06.2013

Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Himara zgjedhje më 4 gusht, rrëzohet kërkesa e Belerit për anulimin e dekretit të Begajt

Himara zgjedhje më 4 gusht, rrëzohet kërkesa e Belerit për anulimin e dekretit të Begajt