TIRANE - Mazhoranca kuvendore zyrtarizon nismën për heqjen e imunitetit të deputetëve. Mesditën e sotme deputetët e Partisë Demokratike dhe të aleatëve kanë mbledhur firmat e nevojshme për heqjen e imunitetit. Lajmi u bë i ditur për mediat nga burime brenda Partisë Demokratike, të cilat nuk kanë saktësuar numrin e firmave të mbledhura.

Heqja e imunitetit ka qënë jo pak herë kërkesë e ndërkombëtarëve, për t’i hapur rrugë përmbushjes së 12 rekomandimeve të Bashkimit Europian nga ana e klasës politike shqiptare. Madje, jo më larg se 4 ditë më parë, ambasadorët e huaj në vendin tonë përsëritën thirrjen për zhveshjen e zyrtarëve nga mbrojtja që i bën posti shtetëror.

Burimet bënë me dije se pritet që javën e ardhshme, nisma e mazhorancës të nisë shqyrtimin në Komisionin e Ligjeve, për t’ia kaluar më pas seancës në Kuvend.

(aq/shqiptarja.com)