Mazhoranca rrëzon dekretin
e Topit, kalon ligji i mbetjeve

Mazhoranca rrëzon dekretin<br />e Topit, kalon ligji i mbetjeve
TIRANE- Parlamenti rrëzoi me 73 vota dekretin e Presidentit Topi, i cili kërkonte rishqyrtimin e ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve.Mazhoranca votoi 73 vota kundër, ndërsa 59 vota të opozitës ishin pro dekretit të kreut të shtetut. Ligji kaloi në Parlament pas një debati të ashpër që zgjati për gati 7 orë. Mazhoranca e cilësoi të domosdoshëm miratimin e ligjit, si në përputhje me standardet e kërkuara europiane  Nga ana e saj opozita bëri thirrje për të mos e votuar duke ngritur alarmin se me këtë ligj, Shqipëria rrezikon të kthehet në një depo plehrash. Ndërkohë jashtë parlamentit, Aleanca kundër importit të plehrave protestoi kundër votimit të këtij ligji.  Berisha deklaron: U themelua Partia e Plehut. Ligji na mbron. Ruçi reagon: Jo importit të mbetjeve. Hiq nenin 22 të ligjit. Bej referendum.

DEBATI PRO E KUNDER
Në parlament kryeministri Berisha  deklaroi se ligji mbron Shqipërinë nga mbetjet toksike. “Ky është ligji që i imponon qeverisë të përjashtojë me vendim të Kuvendit të gjitha plehrat toksike, ky ligj i imponon qeverisë mosfutjen e lëndëve toksike, jo si deri tani kur ju ishit në pushtet. Këta që kanë varur shpresat te partia e plehut për të ardhur në pushtet, ta harrojnë, nuk është kjo rruga e pushtetit”- tha Berisha duke akuzuar opozitën dhe kreun e saj, Edi Rama për mashtrim të shqiptarëve.

“Sot kjo ditë shënon de fakto themelimin e 'Partisë së plehut' në këtë sallë. Pasi u themelua Aleanca e plehut shpërtheu epidemia. O burra të gjejmë vota në plehra... po rrëmohet, po kërkohet që në plehra të mbinë particka. Ligji që është miratuar është ai i mbrojtjes së Shqipërisë nga mbetjet toksike” nënvizoi Berisha.

Ai nënvizoi se qeveria ka vendosur që në Shqipëri të hyjnë vetëm 50 lloje mbetjesh, të cilat do të importohen sipas kushteve të nevojshme për të shmangur çdo rrezik.

Nga ana e opozitës, kryetari i Grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi kërkoi heqjen e nenit që lejon importin e mbetjeve dhe mbajtjen e një referendumi. Ruçi nënvizoi se "Opozita jo vetëm nuk e jep votën për këtë ligj, por nëse ai miratohet, do të jetë i pari që opozita do rrëzojë sapo të vijë në pushtet."

“Ne ndahemi prerë në këtë ligj që ke kaluar në dy momente, së pari ligji nuk zgjidh problemin për menaxhimin e plerave tona, së dyti, nuk lejojmë importin e plehrave në Shqipëri. Nuk na imponon dot aletarnativën tëndë, aleanca jonë sot është me qytetarët dhe ne po ta themi, ligji në seancën e parë nëse e miraton sot, është ligji i plehrave që bashkë me qeverisjen tënde të zhduken dhe plehrat nga Shqipëria. Neni 22 lejon importin, Nuk mund të pranojmë as 400 as 50 lloje plehrash, por asnjë. Hiqe këtë nen dhe ulemi të diskutojmë referendum popullor pse nuk pranon, pse ngut. Janë ata që na kanë prurë ne këtu, janë ata që dëmtohen nga ky nen”- tha Ruci.

Deputeti i PS-së, Blendi Klosi i bëri thirrje deputetëve të mos e votojë ligjin që do kthehet në gangrenë për Shqipërinë."Ky ligj është qoka e radhës që kryeministri i bën ndonjë klani klientelist. Ky ligj tregon se Shqipëria do të bëhet vend grumbullimi për plera, kërkohet që Shqipëria të bëhet depo plehrash.... Është një ligj që në asnjë nen të tij nuk flet qartë për menaxhimin e plehrave” tha Klosi. Nga foltorja e Kuvendit shtoi se ligji duhet të kalojë në referendum, që të vendosin shqiptarët për të. "Duhet të ketë referendum. .. Pse keni frikë nga opinioni shqiptar? Pse të mos i dëgjojmë, para se të votojmë me kartonat që ata na i kanë dhënë në dorë? shtoi deputeti i PS.

Nga ana e qeverisë Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu mbrojti ligjin duke e cilësuar atë në parametrat europiane dhe riciklimin si një proces të domosdoshëm për vendin.
Mediu nënvizon se për ligjin janë bërë gjithë konsultimet e nevojshme me pushtetin lokal, specialistët dhe përfaqësuesit e BE-së.
“Është konsultuar pushteti lokal, janë bërë disa takime me përfaqësuesit e tyre, kemi zhvilluar takim përmbyllës për draftin e tij në prezencë të përfaqësues të BE dhe pushtetit lokal, me bashkinë e Tiranës për planin e menaxhimit. Diskutimi ka qenë me të gjithë aktorët pa asnjë lloj përjashtimi, nuk është parë të ftohen njerëz që kundërshtojnë dhe pranojnë”- nënvizoi ai.
Ministri i Mjedisit sqaroi se janë bërë100 milionë investime në industrinë e riciklimit dhe garantoi se ligji kufizon importin ne 55 lloje, pjesë e e listës së gjelbër.
Ai ftoi opozitën, shoqërinë civile dhe kundërshtuesit të jenë pjesë e debatit për kufizimin e listës se gjelbër.

PROTESTA
Drejtues të Aleancës kundër importit të plehrave, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, si dhe analistë të njohur të medias janë mbledhur para parlamentit në shenjë proteste kundër votimit të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Protestuesit mbajnë pankarta ku shkruhet “Përfaqësues të popullit mos votoni ligjin që vret popullin tuaj”.

Ligji nuk kalon më tek Presidenti i Republikës, pasi ai u shpreh më parë me një dekret, por do të botohet në Fletoren Zyrtare dhe sipas procedurave hyn në fuqi brenda 14 ditëve nga botimi në të. Më pas, dalim udhëzimit për mënyrën se si ai zbatohet, procedurë e cila nuk zgjat më shumë se dy javë deri në një muaj. Pas miratimit të udhëzimeve nga Ministria e Mjedisit, do të fillojë zbatimi i tij.

LIGJI
Më 1 nëntor Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin kaloi të pa ndryshuar ligjin, e kthyer nga presidenti, duke ia lenë seancës plenare ndërmarrjen ose jo të ndryshimeve. Me 12 vota kundër dekretit të Presidentit të Republikës dhe vetëm një pro, komisioni la ligjin në formën fillestare që u miratua një muaj më parë në.Pak ditë më parë Presidenti Topi e ktheu ligjin për mbetjet me argumentin se ai bie në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Presidenti justifikoi vendimin me faktin se ligji nuk jepte garanci për mbrojtjen e mjedisit në vend.
Kthimi i ligjit ngjalli reagime të ashpra. Kryeministri dhe Ministria e Mjedisit e quajti veprim politik. Nga ana e tij, kryetari i Partisë Socialiste në opozitë, Rama akuzoi kreun e qeverisë si një person që sulmon kundërshtarët pa etikë. Ndërsa ambasadori i OSBE-së Wollfarth deklaroi se kthimi i ligjit të mbetjeve, është një proces demokratik.
(s.g/Shqiptarja.com)


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit