TIRANE - Pavarësisht thirrjeve të komisionerit Evropian të Zgjerimit, Stefan Fyle, i cili pak ditë më parë kritikoi iniciativën për Referendum për 3 ligjet, dhe kërkoi konsensusin mes palëve, sot në Kuvend mazhoranca ka zgjedhur që pa opozitën të votojë kërkesën e 66 deputetëve që hap dritën jeshile për zhvillimin e referendumit popullor për ligjet, si një nga kriteret që kërkon Komisioni Evropian për marrjen e statusit kandidat.

Përmes votimit elektronik në seancën plenare në Parlament, Referendumi u miratua vetëm me 73 votat e mazhorancës, ndërsa opozita bojkotoi votimin duke u larguar nga salla, pas kërkesës për votimin e 3 ligjeve.

Seanca plenare u shoqërua me debate të ashpra e të zjarrta mes deputetëve opozitarë e të mazhorancës, të cilat përfshinë sallën e Kuvendit në një seancë maratonë të nisur prej orëve të mëngjesit të sotëm e deri në orën 22:00 të mbrëmjes.

DEBATET PER REFERENDUMIN E 3 LIGJEVE


Kryeparlamentja Jozefina Topalli pranë përfundimit të seancës maratonë të nisur që prej mëngjesit të sotëm, iu drejtua opozitës me thirrjen për të votuar 3 ligjet e ashtuquajtura të integrimit, të cilat janë një nga kushtet e vendosura nga Komisioni Evropian për marrjen e statusit kandidat të Bashkimit Evropian, për të shmangur kështu zhvillimin e një referendumi popullor për këtë kauzë.

Topalli “3 Ligjet e Brukselit, 3 sekonda për 3 ligje dhe s’kemi nevojë të bëjmë referendum për integrim”, këto ishin fjalët e kryeparlamentares, të cilat frymëzuan më tej Kryeministrin Berisha i cili gjithashtu iu drejtua me thirrje të vazhdueshme opozitës, duke e ftuar të votojë 3 ligjet dhe duke premtuar njëkohësisht se Referendumi bëhet i paqenë.

Berisha:
“Nëqoftëse ju keni nevojë për kohë për të reflektuar, referendumi bëhet i paqenë, jua them këtu. Por që të shpenzosh kur mund ta zgjidhësh me vota këtu..(nga salla vinin kundërshtime)

Berisha: Dakord..mirë...sovrani do flasë por nuk do jetë mirë...Unë ju ftoj në mënyrën më të sinqertë. Urdhëroni të votojmë ligjet. Por të drejtën e qytetarit për t’u shprehur për çështje të rëndësishme nuk mund të mohohet. Prandaj ju ftoj në një ujdi, të merrni kohën.. unë jam i sinqertë dhe i hapur...

Berisha: "Ua lexoj edhe njëherë manifestin ju këtu...sepse ju qëkur filluat të kthejë mbrapa adaptuat këto qëndrime..po ça kujtuat ju se mund të vepronte një udhëheqës i juaj në këtë kohë..mund të veproje ti Majko, Meta, Nano? Kurrën e kurrës...

Berisha: "A doni t’jua them sot komplotin se si u rrëzua Fatos Nano? (Ndërhyn Topalli) “Thuaja, thuaja.”

Berisha: "Do jua jap të regjistruar se si u stis komploti nga Rama me ca bashkëpunëtorë të mi. Dilni nga qerthulli o miqtë e mi. A kryetar partie, që merr dhe paraqet një kandidat në Kukës për tu thënë deputetëve të veriut e këputa kokën e maçokut. Ngrihuni mbi këto gjëra të votojmë ligjet dhe të bëjmë histori në këtë parlament. (ndërhyrje nga salla)

Berisha: "Mirë. Unë me të mirë e pata, ju si të doni. Mirë.”

Pasi përfundoi deklaratat e tij, shefi i mazhorancës kërkoi që të zhvillohej një takim mes kryetarëve të grupeve Parlamentare, teksa kryeparlamentarja kërkoi 5 minuta pushim për këtë fakt. Por opozita pas kërkesës që ata të votonin tre ligjet, u largua nga salla duke bojkotuar kështu votimin për projektvendimin, i cili i hap rrugë referendumit për votimin e tre ligjeve, dhe që kaloi përmes votimit elektronik vetëm me 73 votat pro të mazhorancës.

FYLE: JO REFERENDUM, POR KONSENSUS

Vetëm pak ditë më parë komisioneri evropian për Zgjerimin, Stefan Fyle kritikoi qeverinë për iniciativën e Referendumit, duke vënë në fokus se kishte kërkuar nga Shqipëria miratimin me konsensus të tre ligjeve dhe jo Referendumin.

"Mora shënim vendimin e mazhorancës qeverisëse për të mbajtur një referendum për miratimin e dy ligjeve dhe rregullores së parlamentit që kërkohen për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë. Unë e kam theksuar në mënyrë të përsëritur se ligjet, dhe në veçanti rregullorja e parlamentit, duhet të aprovohen me konsensus mes opozitës dhe qeverisë dhe për këtë arsye është e vështirë të kuptohet ky vendim që është në kundërshtim me frymën e përfshirjes”, -nënvizoi komisioneri Fyle.

HEC-et DHE LOTARIA, OK PRIVATIZIMIT VETEM ME VOTAT E LSI E PD

Të gjitha debatet të cilat ndezën sot sallën e Kuvendit, u përmbyllën me miratimin e projektligjeve të cilat ishin në rend të ditës, vetëm me votat pro të mazhorancës. Me 73 votat e mozhorancës është miratuar në seancën e sotme parlamentare, ratifikimi i kontratës për shitjen 100 % të aksioneve të 4 HEC-eve Bistrica 1 Bistrica 2 në jug të vendit, dhe Ulëz e Shkopet në veri të Shqipërisë, ndërsa ashtu siç edhe kishte paralajmëruar opozita ka dhënë votën kundër, me 61 deputetët e saj prezent në Kuvend.

Me të njëjtat vota, 73 pro të mazhorancës dhe 61 kundër të opozitës u miratua edhe Lotaria Kombëtare, dhënia me koncesion e të drejtës për organizimin e saj nga kompania austriake, Austria Lottery me vlerën e 3.5 milionë dollarëve. Edhe ligji i Medias Audiovizive, kaloi me 73 votat e koalicionit PD-LSI dhe 61 kundër të opozitës.

Këto privatizime u shoqëruan me debate të ashpra e të zjarrta mes deputetëve opozitarë e të mazhorancës të cilat përfshirë sot sallën e Kuvendit.  Debatet për lotarinë kombëtare dhe privatizimet e HEC

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)