TIRANË, 16 Dhjetor/ATSH/-Ministria e Punëve të Brendshme ka reaguar nëpërmjet një deklarate për mediat, duke hedhur poshtë akuzat e bëra nga Partia Demokratike, që kanë për qëllim vetëm hedhjen e baltës mbi punën e Policisë së Shtetit, duke synuar krijimin e frymës së pasigurisë në vend për qëllime krejtësisht politike.
Policia e Shtetit është në krye të detyrës më shumë se asnjëherë tjetër në historinë e saj dhe dëshmja më e plotë e kësaj janë vetë rezultatet, theksohet ne deklarate. Vetëm në muajin tetor 2014, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë regjistruar këto rezultate: 66.7% më pak vrasje, 10.6% më shumë persona të proceduar për krime ekonomike, 11% më pak të vrarë nga aksidentet, 233% me shume të proceduar për pastrim parash, 71 ,4% më pak vjedhje me armë, 36, 1% më pak vjedhje të bizneseve, 11% më pak shkatërrim prone me eksploziv, 206 persona në kërkim janë kapur vetën në tetor 2014.
Policia e Shtetit siguron qytetarët se angazhimi i saj është maksimal dhe kërkon partneritetin e tyre në këtë luftë të përbashkët e të vështirë me krimin. Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje PD-së, të mos bëjnë politikë me Policinë e Shtetit duke inkurajuar kriminalitetin.
"Ne mbetemi të vetëdijshëm se siguria dhe shteti ligjor? ndërtohen me veprime konkrete dhe bashkëpunim, ndaj në këtë kontekst, PD mbetet e mirëpritur të japë kontributin e saj jo me akuza dhe deklarata politike, por me sugjerime dhe alternativa që domosdoshmërisht janë detyrë edhe e punës së opozitës së një vendi demokratik", thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit ./i.v//a.ke/











