Lushnjë - Rrushi, vera dhe rakia u bënë protagonistët e një feste që bashkoi në fshatin Toshkëz traditën, prodhimin dhe kulturën e zonës.
Në zemër të Njësisë Administrative Allkaj, vreshtarët ekspozuan prodhimet e tyre, ndërsa ‘Festa e Vreshtarisë’ solli në vëmendje një prej aktiviteteve bujqësore më të rëndësishme për këtë zonë.
Të pranishëm ishin kultivues rrushi, banorë të zonës dhe kryetarja e Bashkisë Lushnjë, Eriselda Sefa, e shoqëruar nga zv.kryetarja Maldrita Bardho.
Aktiviteti u shoqërua me këngë dhe valle të interpretuara nga fëmijët e Shkollës Toshkëz dhe nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Lushnje.
Në fjalën e saj Eriselda Sefa, tha se ‘Festa e Vreshtarisë’ organizohet në Toshkëz për shkak të sipërfaqeve të konsiderueshme të mbjella me vreshta në këtë zonë.
Vreshtarët e konsiderojnë këtë panair një mundësi të rëndësishme për të reklamuar prodhimet e tyre dhe për t’i prezantuar ato tek banorët dhe vizitorët. Ata thonë se aktivitete të tilla ndihmojnë në promovimin e prodhimit vendas, ndërsa për këtë vit vlerësojnë se prodhimi i rrushit ka qenë i mbarë.
Megjithatë, krahas rezultateve pozitive në prodhim, sfidë për fermerët vijon të mbetet tregu, çmimi dhe shitja e prodhimit.
Tradita pritet të vijojë edhe në të ardhmen, ndërsa aktivitete të ngjashme synohet të zhvillohen edhe në njësitë e tjera administrative të Bashkisë Lushnje, në promovim të produkteve dhe traditave lokale










Komente
Komento