Edhe ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u vendos shtyrja e seancës paraprake për dosjen ‘Meta’, duke caktuar si të radhës datën 22 janar. Shkak i shtyrjes së seancës kësaj radhe ishte mungesa e avokatit të të pandehurit Pirro Xhixho, pasi ndodhej në një seancë tjetër gjyqësore.
Në seancën e sotme nga e cila pritej vendimi për kalimin për gjykim ose jo të dosjes së SPAK për ish-presidentin Ilir Meta, ishin të pranishëm bashkëshortja e Metës, Monika Kryemadhi dhe avokatët mbrojtës.
Kryemadhi u pa teksa hynte në ambientet e GJKKO-së duke përshëndetur me 2 gishta gazetarët, ndërsa avokati i Metës, Kujtim Cakrani, tha para kamerave se ‘GJKKO dhe gjyqtarët e saj janë pak më të mirë se Koçi Xoxe i 1945-ës’.
GJKKO ka urdhëruar më herët SPAK që ish-presidentit t'i vendoset në dispozicion një pjesë e akteve.
Burime për Report Tv sqarojnë se Ilir Meta nuk ka kërkuar të gjithë dosjen, por vetëm një pjesë të akteve ku SPAK pretendon se implikojnë ish-presidentin.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash e mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim, ndërsa Fatime Kryemadhi për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Meta ndodhet në burg që nga tetori 2024, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje.
Komente










