Mbajtja e flamurit të BE-së në institucionet publike, ministrja e Jashtme: Ftoj kolegët ta votojnë, e të vazhdojmë punën për anëtarësimin

Në sallën e Kuvendit po zhvillohet diskutimi për aktin normativ për mbajtjen e flamurit të BE-së krahas flamurit kombëtar në institucionet publike. Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka në fjalën e saj ftoi kolegët e saj që të votojnë këtë amendim e që më pas së bashku të vazhdojnë punën për objektivin madhor të anëtarësimit të vendit në BE.

 

‘Akti normativ që kemi sjellë sot për votë reflekton ndryshime që përcaktojnë krahas flamurit tonë kombëtar, në të gjitha institucionet tona publike qoftë në ambientet e jashtme qoftë në ato të brendshme të vendoset edhe flamuri i BE. Janë pra ndryshime që pasqyrojnë vendimin për hapjen e negociatave dhe anëtarësimin në BE dhe që përshtatin aspekte protokollare dhe ato të ceremonialit në përputhje me këtë zhvillim historik.

Arsyeja përse ky akt normativ u miratua me urgjencë ishte për të qenë të përgatitur në një kohë sa më të shkurtër, nga ana protokollare dhe ajo ceremoniale, duke qenë se jemi në pritje të zhvillimeve të vrullshme dhe të takimeve intensive ndërmjet ekipeve negociuese, që pritet të ndodhin së shpejti, të cilat janë në vijim të përgatitjeve më të hershme që prej qershorit të vitit 2018 për ngritjen e strukturës së negociatave të anëtarësimit.

Pra në thelb, ky akt nënvizon në aspektin protokollar rëndësinë e hapjes së negociatave që janë një zhvillim historik, pasi për herë të parë në 30 vite marrëdhënie me BE, na jepet perspektiva e qartë për të qenë në të ardhmen një vend anëtar.

Është një ndërhyrje modeste do të thosha në aspektin ligjor, por me një rëndësi të madhe historike, pasi reflekton hapjen e një kapitulli të ri në historinë e vendit tonë.

Por nga ana tjetër, është një ndërhyrje që ilustron më së miri punën që na pret në të ardhmen, teksa negociojmë me Bashkimin Evropian deri në anëtarësimin e plotë, duke ndryshuar në mënyrë shumë më të thellë e shumë më thelbësore jo thjesht kuadrin ligjor e institucional, por edhe aspekte shumë më të imëta të jetës së vendit.

Në këtë kuptim, mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare dhe hapja formale e negociatave ishte jo thjesht një njohje e punës që ka bërë Shqipëria deri më sot në fushën e kritereve politike, si reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe vlerat evropiane, si dhe orientimi i politikës sonë të jashtme bazuar në këto vlera, por edhe hapja e një kapitulli të ri, akoma më voluminoz punësh e ndërhyrjesh për ngritjen e strukturës së negociatave të anëtarësimit, për plotësimin e rekomandimeve dhe detyrave të lëna prej Këshillave te BE-se, të përafrimit të vazhdueshëm me  standardet e legjislacionin e BE-se dhe në fjalë të fundit, konsolidim i arritjeve prej reformave të vështira e thelbësore gjithë këto vite

Pas mbajtjes së Konferences se Parë Ndërqeveritare, siç e dini, ne menjëherë zhvilluam një takim  më të cilin Komisioni nisi edhe zyrtarisht procesin e shqyrtimit analitik të legjislacionit të BE-së (screening). Ky takim  formal i nisjes së screening do të pasohet nga një kalendar takimesh mes administratës tonë të përfshirë në negociatat e anëtarësimit dhe Komisionit Evropian, me qëllim që të vlerësohet  niveli i përafrimit tonë me acquis të BE, nevojat ligjore, administrative, institucionale dhe financiare dhe planifikimi për arritjen e përputhshmërisë së plotë gjatë negociatave dhe përpara anëtarësimit. Është një proces që ne synojmë ta mbyllim sa më shpejt për të kapur kohën e humbur duke pritur hapjen e negociatave, për shkak të çështjeve që nuk të gjithë e dini shumë mirë, nuk lidheshin me Shqipërinë.

Unë i ftoj kolegët që ta votojmë këtë amendim me të cilin besoj të gjithë jemi dakord dhe të vazhdojmë së bashku punën për të çuar përpara objektivin madhor të shqiptarëve që është integrimi evropian.’- u shpreh Xhaçka.


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Miratohen ndryshimet në buxhetin 2022 për paketën e dytë të rezistencës sociale! PS: Mbrojtje për qytetarët! Opozita: E pamjaftueshme


M.Q.//Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër