Një qytetar është arrestuar në Mborje të Korçës për armëmbajtje pa leje. Policia bën me dije se Dh.M., ka qenë i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Atij i janë sekuestruar edhe një pistoletë e krehër.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Posedonte armë zjarri në banesën e tij, vihet në pranga një shtetas, i dënuar më parë po për këtë vepër penale.
Sekuestrohet një armë zjarri tip pistoletë dhe një krëhër me municion luftarak, pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, si edhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas posedonte armë zjarri pa leje, organizuan shërbimet, për të bërë të mundur lokalizimin dhe gjetjen e personit.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, në fshatin Mborje, Korçë, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri tip pistoletë dhe një krëhër, me municion luftarak, pa leje.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Dh. M., banues në Mborje, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.
Komente










