Mbaron mandati i 5 anëtarëve të Këshillit të Bankës së Shqipërisë, qeveria hap aplikimet për tre (Kriteret)

Mbaron mandati i 5 anëtarëve të Këshillit të Bankës së Shqipërisë, qeveria hap aplikimet për tre (Kriteret)

Banka e Shqipërisë

TIRANE-Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë dhe pesë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës u përfundon mandati 7-vjeçar ne nëntor të këtij viti. Sejko u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë në datë 5 shkurt 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ai mori mandatin e lënë përgjysmë të nisur nga guvernatori Fullani (u shkarkua pas skandalit te thesarit) në vitin 2011.

Por, lidhur me mandatin e Sejkos po zhvillohet një debat pasi ka vend për interpretim nëse do të konsiderohet si vazhdim i mandatit të Fullanit. Përpos Sejkos mandati u përfundon edhe Dhori Kules, Ela Golemit, Elisabeta Gjonit, Petraq Milos dhe Arben Malajt. Sipas ligjit, Këshilli i Ministrave ka hapur aplikimin për plotësimin e tre vendeve vakante për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Afati i dorëzimit të aplikimit pranë Këshillit të Ministrave është deri më 30 shtator 2018. Aplikanti duhet të plotësojë disa kritere, të cilat Shqiptarja.com i sjell më poshtë të plota.   Ndër pikat kryesore është edhe plotësimi i formularit të për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione.

Drejtuesit e BSH që u përfundon mandati
-GENTI SEJKO u emërua Guvernator i Bankës së Shqipërisë në datë 5 shkurt 2015 nga Kuvendi i Shqipërisë, bazuar në dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Ai mori mandatin e lënë përgjysmë të nisur nga guvernatori Fullani në vitin 2011.

-DHORI KULE është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011.

-ELA GOLEMI është zgjedhur anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor 2011 dhe nga muaji gusht 2015 është anëtare edhe e Komitetit të Auditimit të Bankës së Shqipërisë.

-ELISABETA GJONI është Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë që prej muajit janar 2012. Ajo është edhe anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë që prej muajit nëntor 2011.

-PETRAQ MILO është zgjedhur anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë në nëntor të vitit 2011

-ARBEN MALAJ-zëvendësoi mandatin e Ermelinda Meksit.

Si funksionon zgjedhja e anëtarëve të Këshillit të Bankës së Shqipërisë
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është organi më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrës i saj. Ai është përgjegjës për hartimin e politikës monetare dhe për miratimin e udhëzimeve për zbatimin e saj.

Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vendos mbi politikat e administrimit në përgjithësi, si dhe përcakton mënyrat ose procedurat për realizimin e veprimtarisë operative të Bankës së Shqipërisë, për të siguruar administrimin e drejtë të institucionit dhe përgjegjshmërinë kundrejt publikut për veprimet, angazhimin dhe rezultatet e saj.

Të gjithë anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbështetur në propozimet e bëra si më poshtë:

-Pesë anëtarë propozohen nga Kuvendi;

-Tre anëtarë propozohen nga Këshilli i Ministrave;

-Një anëtar propozohet nga Këshilli Mbikëqyrës.

Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi, me propozimin e Presidentit të Republikës.

Aplikimi i hapur nga Këshilli i Ministrave
Në përputhje me pikën 2/b, të nenit 44, të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, Këshilli i Ministrave është institucioni përgjegjës për propozimin e tre anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, të cilët zgjidhen dhe emërohen nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Në përfundim të mandatit të 3 prej anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, Këshilli i Ministrave inkurajon personat që përmbushin kriteret të aplikojnë.

Aplikanti duhet të plotësojë kriteret, si më poshtë vijon:

1. Të ketë:

a) arsimin e lartë ekonomik ose juridik;

b) përvojë profesionale në çështje financiare dhe bankare;

c) kualifikime profesionale të profilit;

ç) përvojë pune mbi pesë vjet në administratën publike ose në institucionet financiare dhe bankare.

2. Të mos ketë pengesat e mëposhtme:

a) është dënuar nga gjykata për një vepër penale, për të cilën ligji parashikon dënimin me burgim;

b) është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose është deklaruar i falimentuar dhe nuk është rehabilituar;

c) është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë;

ç) gjatë ushtrimit të detyrës, në mënyrë aktive merr pjesë në veprimtari politike.

Funksioni i anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës është i papajtueshëm me atë të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, të deputetit në Kuvend, të anëtarit të Këshillit të Ministrave, si dhe të punonjësit, të administratorit dhe të aksionarit, me pjesëmarrje ndikuese në bankën e nivelit të dytë ose në subjektet që licencohen nga Banka e Shqipërisë.

Dokumentet që duhet të dorëzohen janë:

⦁ Kërkesë për aplikim;

⦁ Kopje e letërnjoftimit;

⦁ Curriculum Vitae në gjuhën shqipe;

⦁ Dokumente të diplomimit dhe të kualifikimeve profesionale të kërkuara;

⦁ Dokument që të provojë vjetërsinë në profesion;

⦁ Formular të plotësuar e të firmosur të vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, në përputhje me ligjin nr.138/2015, të ndryshuar;

⦁ Vetëdeklarim se nuk është në pamundësi për të paguar detyrimet monetare ose deklaruar i falimentuar;

⦁ Vetëdeklarim se nuk është ndaluar ose pezulluar nga gjykata të ushtrojë detyrën si nëpunës shtetëror apo në shërbimin publik ose të ushtrojë veprimtarinë apo mjeshtërinë;

⦁ Vetëdeklarim se gjatë ushtrimit të detyrës nuk merr pjesë në mënyrë aktive në veprimtari politike.

(Deklarimi i rremë, përveç përgjegjësisë penale sipas ligjit, sjell përjashtimin

nga çdo procedurë e mëtejshme)

Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 30 shtator 2018.

Adresa: Kryeministria

Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr. 1, 1000

Tiranë, Shqipëri

Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm

Tel.: 00355 4 22 77 401

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi

Lulja e kuqe e Krishtlindjeve, si të kujdeseni për ta pasur sa më gjatë në shtëpi