Mbaron në 1 gusht; Paguam 32 mln euro për koncesionin e markimit që nuk e luftoi kontrabandën e naftës

Mbaron në 1 gusht; Paguam 32 mln euro për koncesionin e markimit që nuk e luftoi kontrabandën e naftës

Koncesioni i markimit

Të luftosh kontrabandën apo fenomenin e informalitetit nëpërmjet kontratave koncesionare, me sa duket po ngjan si lufta me mullinjtë e erës.

Edhe sot, 10 vite nga zbatimi i kontratës së koncesionit për markimin e naftës, ende nuk ka të dhëna konkrete nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (DPD) se sa i efektshëm ka qenë financiarisht koncesioni me luftën kundër kontrabandës.

DPD pohoi për “Monitor” se procesi i gjurmimit të naftës ka funksionuar normalisht, ndërsa për pyetjen se sa janë rastet e zbulimit të naftës kontrabandë nëpërmjet gjurmimit nga kontrata koncesionare, nuk bëri koment.

Për rrjedhojë për Doganat evazioni në sektorin e karburanteve rezulton të zbulohet në rast mospagese të akcizës nga operatorët, ndërsa nuk ka raste kontrabande apo informaliteti që deri tani të jenë zbuluar nëpërmjet kontratës koncesionare.

“Kontrata koncesionare e lidhur ndërmjet Autoritetit Kontraktues me kompaninë koncesionare ‘Global Fluids Internationals’ (GFI) ka si objekt markimin/shenjimin dhe monitorimin karburanteve, me qëllim përfundimtar kontrollin cilësor dhe mbledhjen e të ardhurave.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në cilësinë e “Autoritetit”, nëpërmjet strukturave të saj, ka bashkëpunuar dhe operuar me GFI në lidhje me kontrollin dhe monitorimin e produkteve hidrokarbure me synimin e qartë verifikimin e markimit të këtyre produkteve dhe për rrjedhojë, edhe shlyerjen e detyrime fiskale.

Grupe pune të përbashkëta, me përfaqësues të Autoritetit dhe GFI-së, çdo ditë pune mbi bazën e analizës së riskut, informacioneve operative, planeve të punës operojnë me kontrolle dhe verifikime fizike dhe analiza përkatëse, në pikat dhe distributorët e shpërndarjes ose shitjes, me pakicë dhe shumicë, të produkteve hidrokarbure.

Gjatë veprimtarisë së tyre të përditshme gjurmuese, këto grupe pune, kur kanë konstatuar problematika në nivelin e përqendrimit të shenjuesit në volumin e lëngut, janë ndalur duke proceduar sipas ligjit me bllokimin e sasisë së produktit, me bllokimin e pikës së distributorit, vjeljen e detyrimeve fiskale dhe gjobitjen e operatorit.

Si përfundim, mund të themi se procesi i gjurmimit ka funksionuar normalisht”, pohoi Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

Shoqata e Hidrokarbureve vijon të pohojë të njëjtin qëndrim ashtu siç paralajmëroi edhe 8 vite më parë se sistemi i gjurmimit të karburanteve në Shqipëri, nëpërmjet kontratës koncesionare të miratuar në 2011, ka dështuar.

Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigji Aliaj, tha për “Monitor” se kontrata është abuzive dhe ka pasur si qëllim vetëm zbatimin e një skeme vjedhje, pasi markimi i naftës asnjëherë nuk ka funksionuar.

Z. Aliaj thekson se kompania koncesionare nuk ka investuar në asnjë impiant për injektimin e lëndës gjurmuese, por e zbaton procesin teknikisht, duke mos realizuar përzierjen uniforme të shënjuesit.

Sipas kreut të Shoqatës së Hidrokarbureve, në total, për taksën 1 lekë për litër që u vilet operatorëve, për një proces që nuk zbatohet, në xhepat e konsumatorëve rëndojnë 15 mln USD kosto në vit.

“Markimi ose thënë më thjeshtë, shënjimi i naftës, nënkupton kur nafta dhe benzina ose hidrokarbure të tjera bëhen me shenjë, pra ngjyrosen ato sasi të cilat përjashtohen nga taksa, me qëllim favorizimin e sektorëve të ndryshëm, si: nafta për bujqësinë, peshkimin, sektorin detar, aviacion apo për përdorim ngrohje etj.

Është përgjegjësia e ministrit të Financave dhe Energjetikës të përcaktojnë llojin e shënjuesit (ngjyruesit) sipas sektorëve prioritarë.

Kjo procedurë është pjesë e standardit për çdo produkt dhe kompania, që merr të drejtën e furnizimit me naftë për këta sektorë, ka detyrimin ta sigurojë vetë këtë standard.

Shënjimi i naftës apo ngjyrimi i saj shërben që autoritetet e zbatimit të ligjit në këtë sektor të dallojnë lehtësisht nëse dikush abuzon, duke kaluar produktin e përjashtuar nga taksat në tregun ku duhej të paguhej taksa.

Kjo është një praktikë ndërkombëtare e ndjekur nga të gjitha shtetet ku funksionon ekonomia e tregut.

Në Shqipëri, për 10 vite, është shpikur një variant thjesht për të vjedhur dikush ca para. Tregu paguan taksën 1 lekë për litër për pseudo markimin e një produkti për të cilin paguhen të gjitha taksat, duke i zhvatur konsumatorit mesatarisht 15 milionë USD në vit.

Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës, pasi askush nuk ka si të përdorë produktin për të cilat janë paguar taksat, për sektorë të përjashtuar nga detyrimet. Kjo është paradoksale.

Por edhe sikur markimi të kishte rol, te ne nuk realizohet. Kjo për disa arsye. Së pari, kompania koncesionare nuk ka ndërtuar asnjë impiant injektimi dhe gjatë gjithë kohës përdor hedhje mekanike. Edhe individë me njohuri të pakta rreth kësaj fushe e kuptojnë që dy masa të lëngshme me specifikë të ndryshme nuk mund të përzihen në mënyrë uniforme.

Edhe kur është tentuar të bëhen kontrolle, ato kanë dështuar, pasi në një kampion, përqendrimi i markuesit ishte shumëfish i normës e diku tjetër, nuk kishte fare.

Së dyti, ky markues ndryshe nga shënjimi me ngjyrues nuk duket me sy. Për këtë kërkohen kryerja e analizave në laboratorë të specializuar që agjencitë tona shtetërore nuk e kanë. Pra është një shërbim zhvatës pa asnjë dobi”, pohon ai.

Kontrata u miratua nga qeveria e mëparshme në vitin 2011 me një ofertë të pakërkuar nga kompania ndërkombëtare Global Fluid International, me justifikimin se GFI ishte e specializuar në prodhimin e kimikateve dhe ka filluar të zbatohet në vitin 2013.

Qëllimi i koncesionit ishte të garantonte cilësinë e produktit (mospërzierjen e tij) dhe mosndërrimin e destinacionit të karburantit (p.sh., që nafta që përdoret për peshkimin të mos hidhej në treg).

 Doganat: Kontrata koncesionare përfundon më 1 gusht 2023

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave tha për “Monitor” se afati i përfundimit të kontratës është 1 gushti i këtij viti, sipas parashikimeve të VKM-së nr. 632, 31.7.2013, që ndryshe nga VKM nr.498, e datës 30.05.2013, përcaktonte datën 1 korrik 2013 të nisjes së shënjimit të naftës. Fillimi i kontratës koncesionare me afat 10-vjeçar u ndryshua më 1 gusht 2013 me vendimin e dytë të nxjerrë nga qeveria e mëparshme.

Me VKM nr.498, datë 30.05.2013, Këshilli i Ministrave ka miratuar procedurat e shënjimit të karburanteve në Shqipëri, duke i hapur zyrtarisht rrugën markimit të produktit. Vendimi përcakton se nga 1 korriku 2013, kompania koncesionare duhet të fillojë procedurat zyrtare për marrjen e të gjithë lejeve të nevojshme për instalimin e pajisjeve.

Ndërsa vendimi nr. 632, datë 31.7.2013, për një ndryshim dhe shtesë në vendimin nr. 498, datë 30.5.2013 të Këshillit të Ministrave “Për procedurat e shënjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës” në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 54 të ligjit nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave vendosi ndryshimet si: “1. Në aneksin 1, bashkëlidhur vendimit, kudo data “…1 korrik 2013…” zëvendësohet me “…1 gusht 2013 …”.

Nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka një përgjigje ndaj kërkesës për informim të “Monitor” si për afatet e përfundimit të koncesionit të markimit të naftës, fillimin e punës për inventarizimin e aseteve, por edhe si do të vijohet më tej me procesin e gjurmimit të karburanteve, do të menaxhohet nga shteti apo kompanitë private. Apo do të vijojë të jetë sërish GFI?

Vjet, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, sipas këtyre përcaktimeve për mbylljen e kontratës në muajin gusht 2023, ngriti një grup pune me ekspertë të saj dhe Doganave të Përgjithshme për zbatimin e procedurave të mbylljes së koncesionit.

Por kompania koncesionare GFI Albania bllokoi procesin e grupit të punës për mbylljen e koncesionit, me pretendimin se ende nuk është realizuar një element i kontratës, ai i markimit të naftës bruto.

Burime nga DPD që ishin pjesë e grupit të punës nënvizuan më herët për “Monitor” se nuk u lejuan të zhvillohen procedurat e mbylljes së koncesionit, pasi janë ndeshur me pretendimet e kompanisë për moszbatimin e një komponenti të saj, atë të markimit të naftës bruto.

Qëllimi i grupit të punës ishte përgatitja e inventarit për pajisjet e instaluara nga subjekti dhe përcaktimi se cilat prej tyre do të kalonin në pronësi të shtetit. Burime nga grupi i punës shtuan se nga MFE nuk u janë komunikuar ndryshime në afatin e përfundimit të kontratës.

Ky ishte rasti i dyti në Shqipëri, pas atij të koncesionit të pullave fiskale që pretendimet e kompanive koncesionare, po nxisin debate për afatet e përfundimit të kontratave, ndërsa tarifat e larta apo absurde të këtyre shërbimeve i paguan konsumatori.

Në rastin e koncesionit të pullave fiskale, pas pretendimit të kompanisë për zgjatjen me 10 vite të tjera të afatit për mosrealizimin e një komponenti të kontratës, MFE mori vendimin për zgjatjen e saj edhe me 10 vite dhe uljen 20% të tarifës që paguajnë kompanitë e mallrave të akcizës.

Për sistemin e gjurmimit të karburanteve vjet, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, paralajmëroi para deputetëve në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave ngritjen nga e para të një sistemi të ri gjurmimi për naftën, ndërsa tha se shteti shqiptar është në gjyq për këtë proces, pasi ai ka mbetur i pazbatuar.

“Komponenti i gjurmimit te karburantet mbetet i pazbatuar. Për këtë komponent jemi në proces gjyqësor.

Në planet e qeverisë shqiptare ishte edhe kryerja e gjurmimit të karburanteve, proces i cili nuk ka filluar. Kjo lidhet me gjyqin e shtetit shqiptar me një kompani edhe me ngritjen e një sistemi gjurmimi nga e para”.

“Monitor” mësoi se ishte kompania koncesionare e markimit të karburanteve Global Fluid International Albania (GFI Albania) që ka hedhur në gjyq vendimin e Këshillit të Ministrave për gjurmimin e karburanteve. GFI u pyet sërish nga “Monitor” se cilat janë arsyet e ankimit gjyqësor ndaj institucioneve shqiptare dhe për afatin e përfundimit të kontratës, por nuk mori asnjë përgjigje.

Shoqata e Hidrokarbureve thotë se operatorët e naftës vijojnë të paguajnë ende tarifën e markimit te karburantet, pavarësisht se kontrata ka përfunduar më 26 shkurt 2023 referuar anekseve të saj.

Në kontratën koncesionare parashikohet që data e përfundimit të saj është pas 10 vitesh operim, më 26 shkurt 2023. Të njëjtën datë të përfundimit të aktivitetit ka deklaruar në QKB edhe kompania koncesionare, Global Fluid International (GFI).

Kryetari i Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigji Aliaj, pohon se ndonëse kontrata koncesionare ka përfunduar, ende nuk është bërë asnjë ballafaqim me grupet e interesit, ku do të dilte qartë se sa i pavlerë ka qenë ky koncesion.

“Ndërkohë, taksa vijon të vilet tek operatorët, madje po negociohet për ta përsëritur, me pretendimin se operatorit nuk i kanë dhënë të markojë naftën bruto. Kjo është marrëzia më e padëgjuar në botë. Nëse vërtet koncesionari ka hedhur në gjyq Ministrinë e Financave për këtë arsye, le t’ua japin të markojë edhe 10 vite naftën bruto.

Por nëse nuk arrin ta markojë, gjë e cila është fizikisht e pamundur, shteti shqiptar nuk ka pse e paguan më këtë operator, pasi askush në botë nuk mund të paguhet nëpërmjet një kontrate për një punë që nuk e kryen. Të tjerat janë justifikime për t’i kaluar disa miliona dikujt në kurriz të konsumatorit shqiptar”, – nënvizoi z. Aliaj.

Markimi i naftës bruto që prodhohet në vend, edhe pse teknikisht rezulton i pamundur, parashikohej në kontratën koncesionare të miratohej nga qeveria e mëparshme.

Në zbatim të saj, ish-qeveria “Berisha” miratoi vendimin nr.498, të datës 30 maj 2013, “Për përcaktimin e procedurave të shënjimit të naftës bruto dhe nënprodukteve të naftës”. Vendimi përcaktoi edhe afatet e fillimit të këtij shërbimi, që ishte 1 tetor 2013.

Këtij procesi të parealizueshëm teknikisht, me urdhër të ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, në vitin 2016 do t’i hapej rrugë fillimit të procedurës të shërbimit, i parashikuar në kontratë.

Deputeti i PS-së, Erjon Braçe, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit Parlamentar të Ekonomisë në vitin 2016 do të deklaronte se “nafta bruto e prodhuar në vend, veçanërisht e asaj cilësie që është në Shqipëri nuk markohet, është e vështirë të markohet dhe është e vështirë të realizohet ky proces nga ana teknologjike, pavarësisht garancive që ka dhënë koncesionari.

Gjithashtu markimi i naftës bruto nuk ndodh kurrkund. Ky element u vendos në kontratë vetëm për të rritur vlerën e të ardhurave që do të arkëtonte koncesionari”.

Edhe zv.ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Ilir Bejtja, pohoi për “Monitor” se shteti shqiptar nuk e ka penguar koncesionarin të markojë naftën bruto, e parashikuar në kontratë. Pavarësisht se markimi i naftës bruto është i parashikuar në kontratë, procesi praktikisht dhe teknikisht është i pamundur të zbatohet, pasi ky markues është i vlefshëm deri në 45 gradë, ndërsa prodhuesit e naftës e përpunojnë atë deri në 95 gradë.

Z.Bejtja tha se kompania koncesionare ka tentuar ta realizojë procesin, por teknikisht ka rezultuar i pamundur. “Shteti shqiptar nuk e ka penguar kompaninë koncesionare të markojë naftën bruto, e parashikuar në kontratë.

Deri tani, procesi nuk është realizuar, pasi cilësia e naftës bruto të prodhuar në vend për t’u eksportuar, teknikisht nuk e mundëson markimin.

Megjithatë kompania koncesionare ka provuar ta markojë naftën bruto, për të rritur të ardhurat nga markimi, pasi kjo naftë nuk përdoret në tregun vendas dhe shteti nuk përfiton nga taksat dhe akciza, por nuk ka arritur ta realizojë procesin.

Për këtë arsye, mosrealizimi i procesit nuk është për fajin e qeverisë, por për faj të koncesionarit”, deklaroi më herët z. Bejtja.

 Të ardhurat e koncesionarit

Deri në 2021, për 9 vite (periudha 2013-2021), të ardhurat e kompanisë GFI Albania sipas bilanceve në QKB janë rreth 3,4 mld lekë, apo 32 mln euro.

Në vitet 2013-2015, humbjet e kompanisë janë 282 mln lekë, ndërsa për vitet 2016-2021, fitimet janë rreth 856 mln lekë.

Në vitin e parë të operimit në 2013, të ardhurat e kompanisë nga markimi i karburantit arrinin 137 mln lekë. Vitin e parë, kompania e ka mbyllur me pozitë jo të mirë financiare. Humbjet arrinin rreth 99 mln lekë.

Më pas, në 2014, të ardhurat e kompanitë u rritën 170% më shumë se 2013, ndërsa humbjet u thelluan me 84%.

Në dhjetor të vitit 2014, GFI ka shitur 75% të aksioneve tek aksioneri i dytë, “Petroleum Consulting Partners”, që më parë kishte rreth 25% të aksioneve dhe pjesën tjetër prej 75% e kishte GFI, sipas të dhënave të QKB.

Të ardhurat e kompanisë në 2015 ishin 374,5 mln lekë, ndërsa humbjet ishin 31 mln lekë. Për vitin 2015, të ardhurat shënuan rritje të lehtë krahasuar me 2014, ndërsa humbjet e kompanisë u reduktuan 5-fish krahasuar me vitin paraardhës.

Nga viti 2016 deri në 2021, të ardhurat e kompanisë vijuan trendin rritës, me përjashtim të vitit 2020, ku për shkak të pandemisë të ardhurat ranë 7% krahasuar më 2019. Nga viti 2016 shënuan rritje edhe fitimet e kompanisë.

Më 16 shkurt 2022, GFI Albania ndryshoi pronarin përfitues apo individin, që ka në pronësi apo kontrollon subjektin. Pronarët përfitues të regjistruar fillimisht për kompaninë GFI Albania ishin Ismail Mulleti (shtetas shqiptar) dhe Assaf Halkin (shtetas izraelit).

Më 16 shkurt 2022, sipas Regjistrit të Pronarit Përfitues në QKB, janë çregjistruar  Ismail Mulleti dhe Assaf Halkin dhe u regjistrua Nerve Korkmaz me shtetësi turke. / Monitor/

 

S.G/M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Delinquenti: 15/07/2023 17:04

    Ku ka perfundu Ismail Mulleti dhe leket e kujt ka xhiru me keto manovra......

    Përgjigju
  • Zeni: 15/07/2023 13:56

    Koncesione qe ne kohen e babi tim keto. Kam dhe une pjesen time aty, pse do ta lija pa mjelur une ate koncension?

    Përgjigju
  • Rezmi: 15/07/2023 13:08

    Varjani ne qafe Ahmetajt kete pune. U pa puna. Sa pune te veshtire ky Rama, ska ku coje milionat e taksapaguesve dhe lipset ti shperndaje ketyre PPPve te "pakerkuar" sipas metodes se Erion Veliaj. Keshtu vazhdoni.

    Përgjigju
    • popo: 15/07/2023 13:32

      O rezmije eshte bere ne kohe te salih sytopes kjo, mos ja fut kot si kau peles

  • Lala: 15/07/2023 11:06

    Si perfundim MBA's Kerin konkluzioni do na vjedhi prap qeveria APO Jo? Na hapet barkun

    Përgjigju
  • Toni: 15/07/2023 10:35

    Tani beni Gati ndonje koncesion tjeter por ndryshojini emrin, qe te duket me serioze qe te merrni ndonje cope tjeter

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja